Lutjet që bënte I Dërguari i Allahut s.a.s pas namazit
I Dërguari i Allahut s.a.s e mori një ditë Muadh bin Xhebelin r.a për dore dhe i tha:
– “Shiko, Muadh, unë të dua ty.”
– “Kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im, o Resulullah, uallahi edhe unë të dua ty.”, -ia ktheu atij Muadhi. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.s tha:
– “Muadh! Mos e lër pa e thënë pas çdo namazi këtë lutje që do të të mësoj unë : O Zot! Ndihmomë mua që të të falënderoj, të të përmend dhe të të robërohem; mos e mpak ndihmesën Tënde mbi mua.”[1]
Tregon Ebu Bekrete r.a: “Pas namazeve Profeti ynë s.a.s lutej kështu:
– “O Zot, unë vetëm tek Ti e kërkoj mbrojtjen nga e keqja e mohimit, e varfërisë dhe e vuajtjeve të varrit.”[2]
Tregon Aliu r.a: “I Dërguari i Allahut s.a.s, pasi të jepte selam pas faljes së namazit, lutej gjithmonë duke thënë:
– “O Zoti im! Falmi mua të gjitha mëkatet e shkuara dhe mëkatet e ardhme; mëkatet e fshehta dhe mëkatet e bëra hapur; fjalët e pamatura, sjelljet dhe të gjitha gabimet që kam bërë pa e ditur, por që Ti i di të gjitha.”[3]
Aun bin Abdullah bin Utbeja r.a tregon: “Një ditë, një burrë e kishte falur namazin pranë Abdullah bin Amr bin Asit r.a dhe e pati dëgjuar teksa lutej duke thënë: “Allahum’me ente’s-Selam ue minke’s-Selam, Tebarekte ja dhel-Xhelali uell Ikram” (O Zoti im! Ti që je vetë paqja, burimi i qetësisë shpirtërore dhe paqes, prej Teje vjen e tërë qetësia dhe paqja e shpirtit. O Zoti im, Zoti i madhështisë dhe mirësisë! Sa i Lartë është Emri Yt!) Pastaj ai burrë pati falur namaz edhe pranë Abdullah bin Omerit r.a. Kur dëgjoi se edhe ai u lut duke thënë të njëjtat gjëra qeshi.
Ibni Omeri r.a e pyeti:
– “Pse qeshe?”
Ai iu përgjigj:
– “Unë kam falur namaz edhe pranë Abdullah bin Amr bin Asit, e të njëjtën lutje e bënte edhe ai.”
-“Po, kështu thoshte edhe Resulullahu s.a.s menjëherë pasi jepte selam në fund të namazit.”, – u përgjigj Ibni Omeri.
[1] Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/244 (22172)
[2] Nesai, Sunen, 8/262 (5465)
[3] Ebu Daud, Sunen, 1/260 (760)