Mendjemadhësia është pengesë për besimin

Mendjemadhësia është të parit e vetes më lart dhe më të madh se të tjerët; ta shohësh veten në pozita shumë më lart nga ato që meriton vërtet. Njeriu mund të shpëtojë nga krenaria vetëmse duke e forcuar më tej besimin. Sepse syri i njeriut që i forcohet besimi hapet ndaj së vërtetës dhe ai njeri e kupton se vetëm Allahu është i lartësueshëm.

Në një hadith kudsi, Allahu i madhërishëm thotë: “Lartësimi është veshja ime e sipërme, ndërsa madhështia e poshtmja.[1] Sipas këtij hadithi, njeriu që është mendjemadh hyn në një lloj gare me Allahun xh.sh, duke kërkuar edhe ai pjesë prej cilësisë së “hyjnores”. Prandaj edhe Profeti ynë s.a.s thoshte: “Ai që ka qoftë edhe një grimcë të vetme mendjemadhësie në zemër nuk mund të hyjë në Xhenet.”[2] Dhe që këtej duket fare qartë se si mendjemadhësia është një sëmundje që mund të të gënjejë e të të bëjë të devijosh që në fillimet e të besuarit. Por është edhe një virus po aq i rrezikshëm për besimtarin, sepse nuk e lejon atë që të bëjë dot ndonjë hap përpara. Mendjemadhësia dhe besimi nuk mund të jetojnë dot në të njëjtin vend. Dhe, deri më sot, nuk është parë që nga mesi i njerëzve që ushqejnë një krenari të tepruar për vetveten të dalë ndonjë njeri i zgjedhur i Zotit, sepse një mendjemadh, edhe pse mund të jetë besimtar, ai njeri nuk mund të përparojë dot në besimin e tij, duke rënë kështu pre e krenarisë së vet.

Ka disa njerëz, që mund të dashurohen verbërisht pas pozitave që u ka dhënë mirëpandehma e njerëzve. Ata fillojnë të pandehin se petku që u është veshur u përket atyre me të vërtetë. Ky tip njerëzish mund të humbin njëherë e përgjithmonë. I Dërguari i Allahut s.a.s na ka këshilluar se “Allahu e lartëson atë që tregohet i thjeshtë”[3], duke na ofruar kësisoj kriterin e përparimit të njeriut në rrugëtimin drejt kënaqësisë së Allahut. Nëse njeriu e sheh veten më poshtë se gjithë të tjerët, kjo do të thotë se ai është i destinuar për t’u lartësuar nga Krijuesi i natyrës së tij.

Ndërkohë, në vijim të hadithit të mësipërm, i Dërguari i Allahut thotë: “Dhe këdo që e kaplon mendjemadhësia Allahu di si ta shkatërrojë atë.”[4] Në vetvete askush nuk është i madh. Qysh në krye, njeriu është krijuar nga një pikë uji e pistë. Ndërsa fundin e ka mes një grumbulli kockash ku ligjin e bëjnë krimbat. Pra, njeriu është mes dy ndyrësish të këtilla dhe vetëm falë rrezatimeve që vijnë prej Allahut xh.sh arrin që të përfitojë prej sekretit të krijimit për të qenë krijesa më e përsosur. Ndërsa ‘mendjemadhësia’ që përdoret në hadithin e bekuar është ajo mendjemadhësi që ka të bëjë me shfaqjen e vetes më të madh përmes rrugësh artificiale. Me një fjalë, njeriu që e shet veten për të madh është i vogël në vetvete. Sepse nëse njeriu do të kishte ndofarë madhështie, dihet se kjo është e mundur vetëm sajë lidhjes dhe marrëdhënies së fortë me Allahun xh.sh. Andaj edhe në njërin prej shumë ajeteve Kur’anore thuhet: “Ai që i meriton më së shumti qerasjet dhe mirësitë e Allahut është ai që është më i devotshëm ndër ju.”[5]

Vetëpëlqimi është që ta shfaqësh veten të madh kur nuk je i tillë, duke i parë të tjerët poshtë vetes. Nëse njeriu bie pre e artificializmave dhe kërkon të duket si i madh, Allahu e shkatërron, e zhyt atë edhe më thellë në tokë. Edhe sikur të jetë besimtar, ky njeri e ka të pamundur që të përparojë. Dhe, për sa kohë që nuk bën asnjë hap përpara edhe rrugëtimin për në botën tjetër do ta ketë duke u zvarritur. Në këtë këndvështrim, mendjemadhësia është parë si një ndër shkaqet kryesore të mosbesimit. Sepse një njeri që nuk e hedh dot tej ndjesinë e madhështisë, edhe nëse nuk ka hyrë në atmosferën e besimit, e ka të pamundur që të ketë fatin e përftimit të frymës së besimit. Ashtu siç nuk pati besuar dot lideri i hipokritëve, Abdullah ibni Ubej ibni Selul. Ai ishte njeri shumë i zgjuar dhe i ditur që e kalonte pjesën më të madhe të ditës me hebrenjtë dhe që i njihte shumë mirë, si Ungjillin, ashtu edhe Teuratin. Priste që ta caktonin udhëheqës të Medinës, pikërisht sepse bartte këto cilësi. Pikërisht në atë kohë, me të lindur Dielli i Vërtetë në Medinën e Shndritshme, u fik edhe qiriri i gënjeshtarit. Ja, kështu pati nisur problemi i mospranimit të Abdullah ibni Ubejit. Nuk do ta mundte dot kurrë mendjemadhësinë që kishte përbrenda, duke ushqyer veç urrejtje për të Dërguarin e Allahut s.a.s.

Njeriu që i pëlqen vetja, edhe nëse arrin në ndonjë majë, as që mund të mendohet se do të mund të rrijë dot gjatë aty, sepse me kalimin e kohës rënia do të jetë e pashmangshme.

[1] Muslim, birr 136; Ebu Dud, libas 26

[2] Muslim, iman 147-149; Tirmidhi, birr 61; Ebu Daud, libas 26

[3] Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/76

[4] Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/76

[5] Huxhurat, 49/13

Postime të ngashme

%d bloggers like this: