Lutjet që bënte I Dërguari i Allahut s.a.s, para se të flinte dhe kur zgjohej nga gjumi

Enesi r.a tregon: “I Dërguari i Allahut s.a.s, kur shtrihej për të fjetur, thoshte gjithmonë: “Lëvduar qoftë Allahu, që na jep për të ngrënë, për të pirë; që na ruan nga çdo lloj rreziku dhe na mban me më të mirat. Ka sa e sa njerëz që nuk kanë askënd as që të kujdeset për ta, as që t’i strehojë.”[1]

Tregon Aliu r.a: “I Dërguari i Allahut s.a.s, kur do të shtrihej, në darkë, lutej gjithmonë duke thënë: “Unë veç prej Teje mund të kërkoj ndihmë e mbrojtje nga të gjitha krijesat, të cilat janë në zotërimin Tënd. O Zot, Ti je Ai që i lehtëson tërë vështirësitë. O Zot, vetëm ushtritë e Tua nuk dalin kurrë humbëse. E kurrë nuk ndodh që Ti ta shkelësh fjalën e dhënë. Në kohën dhe hapësirën ku sundon fuqia e forca Jote, as që mund të bëhet fjalë për forcë a fuqi tjetër. Unë të madhëroj Ty, sepse Ti nuk mund të kesh asnjë të metë; lëvduar qofsh, o Zoti im.”[2]

Bera bin Azibi r.a thotë: “Para se të shtrihej, i Dërguari Fisnik s.a.s do të lutej: “O Zot, unë po ta dorëzoj Ty trupin tim. E nga Ti e kam të kthyer edhe bytyrën. Ty t’i kam lënë të gjitha punët e veprat e mia. I mbështetur jam tek Ti, me shpresën te mëshira jote e pakufishme dhe i shqetësuar nga frika e ndëshkimit Tënd. Unë nuk di vend tjetër për të kërkuar ndihmë, veç Teje, as vend ku t’ia mbathësh. Unë e besoj librin që Ti më ke zbritur, ashtu siç e besoj edhe profetit Tend.”[3]

E tregon Hudhejfetu’l-Jemaniu r.a: “I Dërguari i Allahut s.a.s, kur shtrihej në shtrat, thoshte: “O Zot, unë veç me emrin Tënd jetoj dhe veç me emrin Tënd kam për të vdekur.”; kurse, kur zgjohej, në mëngjes, thoshte: “Lëvduar qoftë Allahu, i Cili, pasi vdiqëm (rënia në gjumë), na ngjalli sërish; të gjithë tek Ai do ta kemi kthimin.”[4]

Tregon Aishja r.a: “I Dërguari i Allahut s.a.s, kur zgjohej nga gjumi i natës, lutej me fjalët: “Nuk ka zot tjetër veç Teje. Unë të madhëroj Ty, sepse Ti nuk mund të kesh kurrfarë të mete. Lëvduar qofsh, o Zot. Unë të lutem që të m’i falësh mua mëkatet. Për mëshirë të lutem, të përgjërohem. Shtoma mua dijen, o Zot. E mos e lër zemrën time të devijojë pasi ka gjetur udhëzimin dhe falmë mua e jepma mëshirën Tënde. Nuk ka aspak dyshim, se Ti je Falësi më i begatë!”[5]

[1] Muslim, Sabib, 4/2085 (2715)

[2] Ebu Daud, Sunen, 2/732 (5052)

[3] Buhari, Sabib, 5/2326 (5954)

[4] Nesai, Sunen, 6/187 (10584)

[5] Ebu Daud, Sunen, 2/735 (5061)

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: