Llojet e sexhdeve
Përveç sexhdeve që bëjmë në namaz, ka edhe disa lloje të tjera sexhdesh të cilat do t’i sqarojmë si më poshtë:
– Sexhdja e tilavetit
Sexhde e tilavetit quhet sexhdja e bërë kur këndohet ose dëgjohet njëri prej ajeteve të sexhdes që ndodhen në katërmbëdhjetë vende të Kuranit. Krahas rivajetit se kur Profeti s.a.s ka kënduar një sure që ka pasur ajet sexhdeje ka bërë sexhde, se edhe sahabet kanë bërë sexhde bashkë me të dhe se disa prej tyre nuk kanë gjetur vend ku të vënë kokën, është edhe rivajeti tjetër, sipas të cilit, lidhur me këtë çështje, Profeti s.a.s ka thënë kështu:
“Kur njeriu këndon ajetin e sexhdes dhe bën sexhde, shejtani qan dhe ikën që aty, duke thënë: “Mjerë për mua! Njeriu u urdhërua të bëjë sexhde dhe bëri sexhde menjëherë dhe xheneti është i tij. Kurse unë u urdhërova të bëj sexhde, por u shmanga dhe, prandaj, xhehenemi është imi!”
Për t’u bërë përgjegjës për kryerjen e sexhdes së tilavetit, para së gjithash duhet ditur se ajeti që është duke u dëgjuar, është ajet sexhdeje. Personi që nuk e di se mes ajeteve që po dëgjon ka ajet sexhdeje, nuk e ka për detyrë të bëjë sexhde. Çdo person i konsideruar fetarisht përgjegjës, i cili e këndon ose e dëgjon ajetin e sexhdes, duhet të bëjë sexhde. Bërja e sexhdes së tilavetit, sipas hanefive është vaxhib, kurse sipas tri medhhebeve të tjera, është sunet.
Sexhdja e tilavetit bëhet kështu:
Në fillim, personi që do të bëjë sexhden e tilavetit, duhet të jetë me abdes, të ketë veshje dhe pamje të pastër e të rregullt dhe t’i ketë të mbuluara pjesët intime të trupit. Personi kthehet në drejtim të kibles me nijetin për të bërë sexhden e tilavetit, thotë “Allahu Ekber” pa i ngritur duart dhe bie në sexhde. Pasi thotë tri herë “Subhane Rabbijel a’la”, thotë “Allahu Ekber”, ngrihet në këmbë. Esenciale në këtë sexhde është të vihet fytyra në tokë, domethënë, të bëhet sexhde. Thënia “Allahu Ekber” duke rënë e duke u ngritur nga sexhdja dhe “Subhane Rabbijel a’la” gjatë sexhdes janë sunet. Po kështu, rënia në sexhde jo nga pozicioni ndenjur por nga pozicioni në këmbë, ngritja nga sexhdja jo për në pozicionin ndenjur por për në pozicionin në këmbë dhe, gjatë ngritjes, thënia “gufraneke rabbena ue ilejkel masir” është mustehab.
– Sexhdja e harresës (sehvi sexhde)
Fjala “sehv” do të thotë “gabim, harresë dhe hutim”. Sipas kësaj, sexhde sehv quhet sexhdja që bëhet në fund të namazit në kushtet e braktisjes apo shtyrjes së njërit prej vaxhibeve të namazit për shkak gabimi, harrese ose hutimi. Në sajë të sexhdes sehv, përmirësohet e meta e krijuar në namaz, kompensohet mangësia. Hadithet profetike në vijim tregojnë për sexhden e harresës:
“Po qe se ndonjëri nga ju bie në dyshim në namaz, ta kërkojë si është e drejta dhe ta plotësojë namazin sipas bindjes së vet, pastaj të japë selam dhe të bëjë sexhde sehv!”
“Po qe se ndonjëri nga ju bie në dyshim se a e fali namazin me katër rekate apo me tre rekate, ta hedhë dyshimin dhe siç e di në fakt, ashtu të veprojë dhe ta plotësojë namazin. Para se të japë selam, të bëjë dy sexhde. Po qe se ka falur pesë rekate, këto sexhde bëhen pretekst për faljen e gabimit, kurse po ta ketë falur në rregull, bëhen pretekst për largimin e shejtanit!”
Forma e kryerjes së sexhdes së harresës
Pasi në ndenjjen e fundit këndohet lutja “Tahijjat” dhe jepet selam djathtas e majtas, bëhen edhe dy sexhde dhe ulet ndenjur. Në këtë ndenjje këndohen Tahijjat, Salavatet dhe Rabbena atina dhe pastaj, si gjithmonë, jepet selam në fillim djathtas dhe, pastaj, majtas.
Bërja e sexhdes sehv pas dhënies selam vetëm djathtas është më me vlerë dhe në përshtatje me maturinë. Prandaj, në namazet që falen me xhemat, me qëllim që xhemati të mos shpërndahet gabimisht, është parapëlqyer bërja e sexhdes sehv pasi të jepet selam vetëm nga ana e djathtë. Është vaxhib që për shkakun e quajtur sehv (gabimi i harresës), të bëhen dy sexhde; po kështu, është vaxhib që në ndenjjen pas sexhdes sehv të këndohet Tahijjat dhe të dilet me selam. Sexhde sehv duhet të bëjë edhe imami, edhe personi që falet individualisht.
Situatat që e kërkojnë sexhden e harresës
Siç dihet, namazi ka farzet e tij, siç janë kiraati, rukuja dhe sexhdet; ka vaxhibet, siç janë këndimi i Fatihas dhe i një sureje tjetër dhe respektimi i rregullit; ka dhe sunetet, siç janë këndimi i salavatit në ndenjjet. Që namazi të jetë i plotë dhe i përkryer, duhen respektuar të gjitha këto, duhen bërë përpjekje për t’i kryer plotësisht dhe ashtu siç duhet kërkesat e namazit dhe duhet treguar kujdes i posaçëm për ta falur namazin me zemër plotësisht të qetë e të kënaqur, gjë që e quajmë element përbërës të brendshëm të namazit. Megjithëkëtë, mund të ndodhë që, për shkaqe të ndryshme, këto kushte të mos respektohen. Prandaj ka rëndësi të njihen veprimet që përbëjnë mosrespektim të kushteve dhe të dihet se ç’duhet bërë në rastet e mosrespektimit të kushteve.
Shkaqet e saj janë tri:
- Shtimi,
- Mangësia,
- Dyshimi.
Shtimi:
Nëse ai që falet, qëllimisht shton edhe një qëndrim në këmbë (kijam), apo ulje, apo ruku, apo sexhde, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm. E nëse këtë e bën nga harresa dhe nuk i kujtohet veçse pas kryerjes së saj, atëherë, gjëja e vetme që i obligohet është sexhdeja e harresës dhe namazi i tij është i saktë. Nëse i kujtohet kur është duke e bërë atë (shtesën), atëherë ai detyrohet të tërhiqet nga kryerja e saj dhe të bëjë sexhden e harresës, dhe namazi i tij është i saktë.
Mangësia:
1) Mangësia në ndonjërën prej shtyllave të namazit:
Nëse ai që falet nuk e merr tekbirin fillestar, qoftë qëllimisht apo nga harresa, atëherë ai nuk ka namaz, ngaqë namazi i tij nuk ka filluar. Nëse ajo shtyllë që e ka lënë të mangët nuk është tekbiri fillestar, atëherë, nëse e ka lënë qëllimisht, namazi i tij është i pavlefshëm. Nëse e ka lënë nga harresa dhe arrin tek vendi i saj, në rekatin e dytë, atëherë, rekati i parë në të cilin e ka lënë atë, anullohet, ndërkaq rekati vijues e zëvendëson të parin. E nëse ende s’ka arritur tek vendi i asaj që e ka lënë të mangët, në rekatin e dytë (vijues), ai duhet të kthehet tek shtylla e lënë, ta kryejë atë dhe gjithashtu ato që vijojnë pas saj. Në të dyja rastet, ai duhet të bëjë sehui sexhde pas selamit.
2) Mangësia në obligime:
Nëse qëllimisht e lë ndonjë obligim të namazit, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm. E nëse këtë e bën nga harresa dhe i kujtohet para se të tejkalojë vendin e tij (obligimit) që e ka në namaz, atëherë e kryen atë dhe s’detyrohet me asgjë tjetër. E nëse i kujtohet pasi që e ka tejkaluar vendin e tij dhe para se të arrijë tek shtylla që vijon pas tij (obligimit), atëherë ai e kryen atë, e plotëson namazin e tij, jep selam, bën sehui sexhde dhe prapë jep selam.
Dyshimi:
Dyshimi është luhatja midis dy çështjeve, duke mos e ditur se cila prej tyre ka ndodhur.
Gjatë adhurimeve, në tri gjendje nuk duhet të merret parasysh dyshimi:
- Nëse është vetëm iluzion joreal, si vesveset.
- Nëse i ndodh njeriut shpesh, saqë nuk kryen ndonjë adhurim pa pasur në të mëdyshje.
- Nëse dyshon pas kryerjes së adhurimit; në këtë rast ai nuk e përfillë atë, përderisa nuk është i bindur rreth realitetit të çështjes, dhe kështu vazhdon në bazë të bindjes që e ka.
– Sexhdja e falenderimit (shukur sexhde)
Sexhdja e falënderimit si rrjedhojë e fitimit të një të mire ose të kapërcimit të një të keqeje ose fatkeqësie, bëhet kështu: Personi kthehet në drejtim të kibles, bën tekbir, bie në sexhde ku e lavdëron dhe e falënderon Allahun xh.sh, pastaj duke bërë përsëri tekbir ngrihet në këmbë.