10 sunetet e ditës së xhuma
- Gusuli (pastrimi) në ditën e xhuma
Sipas asaj që transmetohet nga Samura r.a, i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë:
“Sa mirë për këdo që merr abdes ditën e xhuma; sidomos nëse merr abdes të plotë (gusul), është akoma më mirë.”[1]
- Veshja e rrobave të bukura (të pastërta dhe sipas rregullave të sheriatit)
Ebu Seid el Hudri r.a ka thënë:
Kur i Dërguari i Allahut a.s vishte një rrobë të re, si çallmë, këmishë dhe rida, lutej kështu : “Allahumme leke’l-hamdu ente keseutenîhi, es’eluke hajrahu ue hajra me sunia lehu, ue eudhu bike min sherrihi ue sherri me sunia lehu.”
“Allahu im! Të gjitha lavdërimet janë për Ty. Ti më mundësove që ta vesh këtë rrobëë. Të kërkoj që ta bësh të dobishme dhe të më japësh mirësinë e përdorimit të saj. Kërkoj strehim te Ti nga e keqja e përdorimit të saj, përveç qëllimit të krijimit të saj.”[2]
- Përgatitja shpirtërore dhe fizike, si dhe parfumosja me aroma të mira
Sipas asaj që transmetohet nga Ebu Abdullah Selman el-Farisi r.a, i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë: “Kush lahet ditën e xhuma, pastrohet aq sa mundet, parfumoset nga parfumi që ka, pastaj shkon në xhami dhe nuk ndan mes dy vetave, fal aq sa i ka caktuar Allahu të falë dhe hesht kur flet imami, veçse i falen atij gjynahet mes asaj xhumaje dhe tjetrës.”[3]
- Salavate të shumta për të Dërguarin e Allahut s.a.s
Sipas asaj që transmetohet nga Evs ibn Evs r.a, i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë:
“Dita më e virtytshme nga ditët tuaja është dita e xhuma. Për këtë arsye, më dërgoni shumë bekime dhe përshëndetje atë ditë; sepse përshëndetjet tuaja më vijnë mua.”[4]
- Dhënia e sadakasë
Sipas asaj që transmetohet nga Ebu Dherri r.a, i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë:
“Për çdo nyje që ka secili prej jush në trupin e tij kërkohet të jepet sadaka (me nyje ka për qëllim vendet ku bashkohen kockat me njëra-tjetrën). Kështu që çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tehmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il’Allah) është sadaka, çdo tekbir është sadaka, urdhërimi për të mirë është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka. Të gjitha këto i përmban falja e dy rekateve që dikush i fal në kohën e paradites (duhasë).”[5]
- Vizita e varreve
Dërguari i Allahut s.a.s, ka thënë:
“Kushdo që dëshiron t’i vizitojë varret, le t’i vizitojë ato. Sepse vizita e varreve na kujton ahiretin.”[6]
- Prerja e thonjve
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a, i cili thotë se i Dërguari i Allahut s.a.s ka thënë:
“Pesë sende janë nga natyra e fitres (natyrshmërisë së pastër):
1. Pastrimi i vendeve të turpshme (mënjanimi i qimeve),
2. Bërja synet (rrethprerja),
3. Shkurtimi i mustaqeve,
4. Mënjanimi i qimeve nga nënsqetullat,
5. Shkurtimi i thonjve.”[7]
- Leximi i sures Kehf
Transmetohet nga Ebu Derda të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.s:
“Ai që i mëson përmendsh 10 ajetet e para të sures “El-Kehf”, do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit.”[8]
- Përshëndetja me ‘selam’ dhe urimi i ditës së xhuma ndërmjet besimtarëve
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a se Profeti s.a.s ka thënë: “Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë pesë: kthimi i selamit, vizita kur sëmuret, përcjellja e xhenazes, përgjigja ndaj ftesës dhe t’i thotë jerhamukallah pasi thotë elhamdulilah kur teshtinë.”[9] Në një transmetim tjetër te Muslimi vazhdon: “…dhe ta këshillojë kur i kërkon këshillë.”
- Të shkuarit në kohë në xhami dhe dëgjimi i hutbes
Ebu Hurejra r.a transmeton se Profeti s.a.s ka thënë: “Çdo të premte engjëjt qëndrojnë tek porta dhe shënojnë emrat e njerëzve (sipas kohës që kanë hyrë në xhami) dhe kur imami ulet, ata i palosin fletat dhe bëhen gati për të dëgjuar hutben.”[10]
[1] Ebu Davud, Taharet 128; Tirmidhi, Xhuma 5
[2] Tirmidhi, Libas 28
[3] Transmeton Buhariu
[4] Ebu Daud, Salat 201
[5] Muslimi, Musafirin 84, Zekat 56
[6] Tirmidhi, Xhenaiz 60
[7] Buhariu dhe Muslimi
[8] Muslimi, Musafirin, 257
[9] Buhariu dhe Muslimi
[10] Muslimi, Xhuma 27