Llojet e feve

Sipas specialistëve të historisë së feve, fetë ndahen në:

  1. a) fe me burim hyjnor (fe hyjnore)
    b) fe pa burim hyjnor
    (fe johyjnore)

Fetë me burim hyjnor (revelativ) kanë qëndruar mbi të njëjtat baza themelore dhe kanë theksuar të njëjtat të vërteta. Çdo Profet i dërguar nga ana e Allahut, përsa u përket disiplinave themelore, brenda kornizës së përshtatshmërisë ndaj kushteve të asaj dite dhe nevojave të kohës, është sjellë si vazhduesi, plotësuesi, përkryerësi i paraardhësit, e ka përsëritur mesazhin e Profetëve para tij, ka bërë plotësime sipas situatave dhe kushteve, i ka shtjelluar specifikat që kanë kërkuar hollësi, ka bërë rinovime në çështjet që kanë kërkuar rinovim dhe është përqendruar gjithë po mbi të njëjtat tema. Besimi monoteist, Profetësia, ringjallja dhe adhurimi janë bërë çështjet më parësore të çdo Profeti.

Allahu i Lartë u ka dhënë Profetëve direktiva private në hollësitë dhe ka vënë për ta ligje të posaçme, të gjitha këto sipas nivelit të dijes dhe aftësisë kuptimore përfshirëse të popullatave ku i ka dërguar, sipas cilësisë së problemeve dhe llojit të nevojave të tyre.

Ja pra, në vartësi të kësaj ideje themelore, në mesazhet e të gjithë Profetëve, të dërguarve dhe dishepujve të tyre nga Profeti i parë gjer te i Dërguari i Fundit, Profeti Muhamed s.a.s, lidhur me temat dytësore, bie në sy gjithmonë një ndryshim në zhvillim, por asnjëri nga ndryshimet nuk e prek frymën e mesazhit bazë dhe nuk e kapërcen kornizën e hollësive.

Edhe në një hadith të Profetit Muhamed (s.a.s.) thuhet: “Profetët janë vëllezër të një babe dhe feja e tyre është një!”[1] Islami e ka pranuar besimin në origjinën e feve të dërguara Profetëve si njërin prej bazave themelore të besimit. Mbi këtë temë do të qëndrohet shpesh edhe në kapitujt e mëtejshëm.

Megjithëse feja e të gjithë Profetëve është Islami, me Profetin Muhamed feja islame arriti përkryerjen, u vu pika e fundit mbi fetë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 5/3)

Të gjithë Profetët, krahas kumtimit të fesë së vërtetë, e kanë përfaqësuar atë duke e jetuar thellë dhe në mënyrë tejet të dallueshme nga çdo njeri tjetër. Fesë së sjellë nga Profeti Musa iu dha më vonë emërtimi “hebraizëm”. Në të njëjtën mënyrë, edhe “krishterim” është emërtimi i mëvonshëm i fesë së sjellë nga Profeti Isa. Këto emërtime s’i kanë njohur e s’i kanë përdorur as Profeti Musa e as Profeti Isa.

Për faktin që ka burim hyjnor dhe që e ka ruajtur formën origjinale, Islami është fe e vërtetë. Ndërsa mbështeten në revelacionin hyjnor, hebraizmi dhe krishterimi nuk i kanë ruajtur dot origjinalet e tyre qiellore. Megjithëkëtë, pikat e përbashkëta dhe paralelizmat mes librave të tyre dhe Kuranit nuk janë të pakta.

Hebrenjve dhe krishterëve u thuhet edhe njerëz të librit[2]. Disa i pranojnë edhe zoroastrianët[3] si njerëz të librit, megjithëse është e dyshimtë nëse ata kanë pasur libër apo jo.

Kurse fetë që nuk mbështeten në revelacionin hyjnor, janë fe bestyte, false, supersticioze ose, thjesht, supersticiozitete, bestytni.

Janë edhe disa sisteme të organizuara me pamjen e një bindjeje shpirtërore, si meditacionizmi dhe jogizmi që nuk mbështeten në themel as në ndonjë Profet e as në revelacionin hyjnor.

 

 

[1] Buhari, Enbija, 48; Muslim, Fedail, 143

[2] ehli kitap, njerëz të librit, pasues të librit, zotërues të librit hyjnor të dërguar atyre nga Zoti. Përkthyesi.

[3] mexhusí, adhurues të zjarrit.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: