Llojet e abdesit

Ka tre lloje abdesesh:

  • 1) Farz
  • 2) Vaxhib
  • 3) Mendub

Abdeset farz:

Çfarëdo namazi që të jetë (farz, nafile, namazi i xhenazes), është farz që të merret abdes. Nuk ka dhe nuk mund të falet namaz pa abdes. Edhe për të bërë sexhden e tilavetit, edhe për ta prekur Kuranin, marrja e abdesit është kusht.

Abdeset vaxhib:

Për atë që s’ka abdes, është vaxhib të marrë abdes për ta bërë tavaf Qaben. Po qe se Qabeja bëhet tavaf pa abdes, tavafi mbetet i vlefshëm, por, për shkak të lënies pa marrë abdes, duhet therur kurban ose duhet dhënë sadaka sipas llojit të tavafit.

Abdeset mendub (abdeset që nxiten për t’u marrë):

Veç specifikave që i përmendëm më sipër, janë edhe shumë situata kur nxitet të merret abdes. Le t’i përmendim disa prej tyre:

* Eshtë mendub që, për t’i prekur me dorë librat fetarë, si Fikhun, Hadithin, Akaidin, etj., të merret abdes. Marrja abdes për t’i lexuar këta libra është për t’i respektuar këto dituri. Dijetarët tanë i kanë kushtuar shumë vëmendje kësaj specifike. Në këtë çështje ka shumë shembuj. Këtu duam të mjaftohemi duke përcjellë nja dy shembuj. Imam Hulvani ka thënë: “Ne e merituam këtë gradë në dituri me anë të respektit që ndjemë ndaj diturisë. Unë s’kam marrë në dorë as edhe një letër pa abdes!”

Një nga imamët e mëdhenj të shkencës së fikhut, Serahsiu, qe sëmurur një natë nga zorrët. Ai ka thënë për atë rast, kështu: “Që të mundja të punoja atë natë, m’u desh të merrja abdes shtatëmbëdhjetë herë!”

* Marrja abdes para gjumit.
* Marrja abdes pas ngritjes nga gjumi.
* Marrja abdes për t’u ndodhur gjithmonë me abdes.
* Rimarrja abdes duke qenë me abdes.
* Marrja abdes pas mëkateve të tilla, si përfolja pas shpine pa dashje, pas gënjeshtrës, pas sharjes, etj.
* Marrja abdes pas qeshjes me ha-ha-ha.
* Marrja abdes për ta qetësuar zemërimin. Në lidhje me këtë, Profeti na ka porositur: “Zemërimi është nga shejtani. Shejtani është krijuar nga zjarri. Dhe zjarrin e shuan vetëm uji. Prandaj, kur të zemëroheni, merrni menjëherë abdes!” (A. Hanbel, Musned, 4/226)
* Marrja abdes për të kënduar Kuran përmendësh. (Kurani përmendësh mund të këndohet pa abdes).
* Marrja abdes për të lexuar hadith dhe për të treguar hadith.
* Marrja abdes për të lexuar një nga shkencat islame ose për ta dhënë mësim atë.
* Marrja abdes për të bërë vakfe në Arafat dhe për të bërë vajtje-ardhjet mes kodrave Safa dhe Merve.
* Marrja abdes për të shpëtuar nga çështjet kontradiktore mes shkollave juridike-fetare, si çështja nëse prekja e gruas e prish apo jo abdesin.
* Marrja e abdesit për ta larë të vdekurin dhe për ta ndjekur varrimin e tij.

Postime të ngashme