Llojet e agjërimit- Agjërimet e detyrueshëm

  • Agjërimi i Ramazanit

Agjërimi është një nga adhurimet e rëndësishme në Islam, që u është urdhëruar të gjithë atyre që janë të ngarkuar me një përgjegjësi të tillë. Agjërimi i Ramazanit është bërë i detyrueshëm në vitin e dytë të mërgimit. Për të gjithë besimtarët që nuk kanë ndonjë sëmundje, nuk janë në udhëtim apo nuk kanë ndonjë gjendje tjetër të justifikueshme, agjërimi i plotë i muajit të Ramazanit është detyrim për të gjithë (farz-i ajn), pra është një adhurim që duhet ta kryejnë të gjithë, secili prej besimtarëve.

  • Zëvendësimi i agjërimit të Ramazanit

Një person, i cili e ka detyrim agjërimin, të gjitha ditët e agjërimit që nuk i ka mbajtur dot përgjatë muajit të Ramazanit, për një arsye të caktuar ose pa arsye të justifikueshme, apo që i ka nisur, por e ka prishur agjërimin, i zëvendëson ato pas muajit të Ramazanit, duke agjëruar një ditë tjetër në vend të ditës së pambajtur të agjërimit përgjatë Ramazanit. Këtë e shpreh fare mirë edhe ajeti kuranor: “Të sëmurët dhe udhëtarët, agjërojnë në ditë të tjera po aq ditë të agjërimit, të cilat nuk i kanë mbajtur dot.”

  • Agjërimi i faljes së agjërimit të prishur

Në Islam thelbësore është përfundimi medoemos i një adhurimi të nisur. Sepse, në të vërtetë, adhurim do të thotë që të jesh në praninë e Allahut duke shfaqur një sjellje karshi Tij. Të adhurosh do të thotë t’i shprehësh Allahut respektin dhe përlartësimin që ndien për Të duke shprehur me të gjithë veten se je robi i Tij. Për këtë arsye nuk duhet bërë asgjë që bie ndesh me edukatën e të qenit në praninë e Tij. Dhe, për rrjedhojë, kjo ka edhe një ndëshkim të caktuar nga vetë Allahu. Dhe ja për shembull, nëse dikush që agjëron gjatë Ramazanit e prish agjërimin vetë me dashje dhe duke e ditur dhe pa pasur asnjë farë justifikimi, si ndëshkim ai duhet të agjërojë për dy muaj me radhë pa ndërprerje. Njësoj siç agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është i detyrueshëm, edhe zëvendësimi apo agjërimi për faljen e agjërimit të prishur, janë po ashtu farz, pra detyrim, për besimtarët. Në lidhje me këtë ne na është transmetuar nga Ebu Hurejreja (radijallahu anh) ky hadith: “Tek i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të) erdhi një burrë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë mora fund.” Profeti ynë e pyeti: “Çfarë të ka bërë ty të marrësh fund?” dhe ai iu përgjigj: “Unë kam kryer marrëdhënie me gruan gjatë Ramazanit.” Atëherë, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) tha këto fjalë: “A mund të gjesh plaçkë sa për të liruar një skllav?” – “Jo,” – u përgjigj burri. – “A mund të agjërosh për dy muaj me radhë pa ndërprerje?” – e pyeti sërish Profeti ynë. – “Jo,” – u përgjigj ai njeri. Atëherë, Profeti ynë e pyeti edhe njëherë: “A mund të gjesh plaçkë sa për të ngopur gjashtëdhjetë të varfër?” – “Jo,” – ishte po prapë përgjigjja. Pastaj ai burrë u ul në një qoshe. Në atë kohë, Profetit tonë i sollën ca hurma në një torbë. Profeti ynë i mori hurmat dhe ia zgjati atij burri duke i thënë: “Merri këto dhe shpërndaji si lëmoshë.” – Aty, ai tha: “Po ku ka më të varfër se ne! Në të gjithë Medinën nuk gjen familje më në nevojë se e jona.” – Kur dëgjoi këto fjalë, Profeti ynë i Nderuar buzëqeshi sa iu dukën edhe dhëmbët dhe tha kështu: “Shko e çoja këto hurma familjes, t’i hanë.”

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: