Llojet e agjërimit- Agjërimet e domosdoshme
- Agjërimi i kushtimit
Kushtimi, për të cilin në gjuhën turke përdoret fjala “adak”, ka kuptimin e marrjes përsipër si një përgjegjësi e detyrim të një pune që nuk është e ndaluar, për të treguar respekt karshi Allahut të Madhërishëm dhe për të arritur kënaqësinë e Tij. “Ia kushtoj Allahut, që nesër do të agjëroj për Allahun, apo që do të fal kaq namaz.” Këto janë kushtimet. Për sa kohë që nuk bëhet fjalë për diçka që është e ndaluar, njeriu është i detyruar që ta përmbushë atë që ia ka kushtuar Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe le ta mbajnë fjalën kur bëjnë një kushtim.” Në lidhje me këtë çështje i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që bën një kushtim (premtim) ndaj Allahut për diçka që është në bindje ndaj Allahut, le ta përmbushë atë; kushdo që bën një kushtim ndaj Allahut për diçka që do të thotë të ngresh krye ndaj Allahut, le të mos e përmbushë atë.”
- Zëvendësimi i agjërimit nafile
Nëse prishet një agjërim që po mbahet si nafile, atëherë mbajtja e tij sërish në një ditë tjetër është kësaj here një domosdoshmëri. Nëse një namaz apo agjërim niset si nafile, por për një arsye apo një tjetër lihet në mes pa u plotësuar, atëherë ai duhet zëvendësuar. Nëna jonë, aishja e nderuar (radijallahu anha) na ka transmetuar një ndodhi në lidhje me këtë: “Një ditë unë dhe Hafsaja ishim duke agjëruar dhe na sollën një ushqim. Na shkoi mendja për të ngrënë dhe hëngrëm prej tij. Pas pak, erdhi i Dërguari i Allahut. Hafsaja u tregua më e shpejtë se unë dhe i tha të Dërguarit të Allahut kështu: ‘O i Dërguari i Allahut! Ne ishim me agjërim. Na sollën diçka për të ngrënë. Na shkoi mendja dhe e hëngrëm.’ – Atëherë, Profeti ynë (pqmT) tha: “Në vend të kësaj do të mbani agjërim një ditë tjetër si zëvendësim.”