Agjërimi është zekati i trupit
Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejreja i nderuar (radijallahu anh), i Dërguari Fisnik i Allahut (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:
“Çdo gjë ka zekatin e saj. Dhe zekati i trupit është agjërimi. Agjërimi është gjysma e durimit.”
Si fjalë, zekat do të thotë: pastërti, shtim, që diçka të jetë e begatë. Duke dhënë zekatin besimtari e pastron pasurinë e tij nga ndotjet e ndonjë mëkati që mund ta ketë ndotur. Në një këndvështrim tjetër, nëpërmjet tij pastrohen edhe disa cilësi të shëmtuara që strehohen te njeriu, siç është kopracia, apo mundësitë e një përplasjeje të ashpër mes të kamurve dhe të varfërve në shoqëri. I Dërguari Fisnik (paqja qoftë mbi Të) thotë se çdo gjë ka zekatin e vet, që e pastron atë nga ndotjet dhe ndryshkja. Dhe ajo gjë që e pastron trupin është agjërimi. Sepse, ndërsa nga njëra anë agjërimi e pastron trupin materialisht, duke i mfalur shëndet, ai e pastron atë edhe shpirtërisht, nga mëkatet, dhe e shpëton kësisoj nga vuajtjet e Xhehenemit. Në këtë pikëpamje, po atë kuptim që ka zekati për pasurinë, ka edhe agjërimi për trupin.
Në pjesën e dytë të hadithit thuhet: “Agjërimi është gjysma e durimit.” Të mbash mbi shpinë barrën e përgjegjësisë së adhurimit, që të ka ngarkuar Allahu, duke mos u tronditur përballë gjërave që vijnë prej Tij, por duke qëndruar i palëkundur, duke mos u larguar nga porta e Tij, duke shtrënguar dhëmbët me durim… këto përbëjnë gjysmën e fesë. “Kështu, agjërimi është gjysma e durimit.” Sepse gjysma tjetër e durimit është shpërndarë në të tjera gjëra. Duke qenë se tek agjërimi ka një frenim karshi epsheve të egos, tek ai gjendet njëfarësoj durim ndaj mëkateve, nga ana tjetër (sidomos në ditët e nxehta) në të ka një durim si ai i vijimësisë së adhurimeve duke marrë përsipër diçka si qëndrimi pa ngrënë e pa pirë asgjë. Kësisoj agjërimi kthehet kështu në një të katërtën e fesë. Ai është, me pak fjalë, një nga katër kriteret më të mëdha dhe më të rëndësishme të Islamit. Veç kësaj, tek agjërimi, siç e theksuam edhe më sipër, qëndron i brendashkruar një qëndrim i palëkundur ndaj adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Allahut, por edhe ndaj kapriçove egoiste dhe ndjenjave e ngasjeve epshore të njeriut.