Llojet e adhurimit

a) Adhurimet sipas kryerjes

Sipas mënyrës së kryerjes, adhurimet ndahen në tre lloje:

  1. Adhurimet e bëra me trup, si: namazi, agjërimi, këndimi i Kuranit.
  2. Adhurimet e bëra me pasuri, si: zekati, sadakaja, fitri, kurbani.
  3. Adhurimet edhe me trup, edhe me pasuri, si haxhi, xhihadi, umreja.

Secili nga adhurimet ka vlerën dhe rëndësinë e vet. Edhe pse të ndryshëm sipas mënyrës së kryerjes, të gjitha janë urdhra të fesë dhe të gjitha i përftojnë njeriut të mira (sevap).

b) Adhurimet sipas formës dhe kushteve

1) Adhurimet me formën dhe kushtet të përcaktuara

Janë adhurimet si namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati, që futen në kushtet e Islamit. Forma dhe kushtet e adhurimeve të këtij grupi janë përcaktuar nga vetë Profeti.

2) Adhurimet me formën dhe kushtet të papërcaktuara

Përveç adhurimeve me formën dhe kushtet të përcaktuara si më sipër, njeriu ka edhe përgjegjësi të tjera para Krijuesit që duhet t’i plotësojë. Këto quhen shkurt “punë të mira” (ameli salih).

Ameli salih: Fjala “amel” do të thotë veprim, punë, akt. Kurse fjala “salih” do të thotë i mirë, i dobishëm. Kështu, puna e mirë përmbledh të gjitha veprimet dhe sjelljet e mira, të bukura, të pëlqyeshme e të dobishme si adhurim e si moral, të cilat i sigurojnë personit lumturinë e jetës së pasme (ahiret). Puna e mirë mund të jetë edhe adhurimi, por mund të jetë edhe ndihma dhe mirësia ndaj nevojtarëve, lufta (xhihadi) në rrugën e Allahut, lufta kundër dhunës dhe padrejtësisë, ndihma reciproke mbi bazën e drejtësisë, mirësisë dhe devotshmërisë. Veçanërisht, tërësia e sjelljeve të porositura nga Allahu i Lartë dhe i Dërguari i Tij, Hz. Muhammedi a.s, si fitimi i lejuar (hallall), çuarja në vend e detyrave ndaj familjes, farefisit dhe shoqërisë, futet te punët e mira.

Në Kuran, “amelu’s-salih” përmendet afërsisht në nëntëdhjetë vende. Ajetet që bëjnë fjalë për punën e mirë, përgjithësisht fillojnë duke prekur së pari besimin dhe lidhur me të: “… ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira…” Kjo tregon se besimi dhe puna e mirë janë një e tërë e pandarë. Shkurt, ashtu si nuk ka dobi puna e mirë pa besim, ashtu dhe besimi i pashoqëruar me punë të mira nuk e shpëton njeriun nga ndëshkimi i xhehennemit. Që myslimani t’i ketë të gjitha punët të tilla që të futen te punët e mira, duhet që t’i përmirësojë dhe zbukurojë të gjitha sjelljet e veta që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote e të ahiretit. Ky është besimi dhe puna e mirë që kërkon Islami prej besimtarëve. Me të vërtetë, Allahu i përshkruan kështu në Kuran njerëzit që do të arrijnë shpëtimin:

“Betohem në kohën se, pa dyshim, njeriu është në humbje. Veç atyre që besojnë, që bëjnë punë të mira, që e këshillojnë njëri-tjetrin për drejtësi dhe durim!”[1] “Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, janë më të dobishmit e krijesave!”[2]

Siç kuptohet edhe nga këto ajete, krahas besimit duhet patjetër edhe punë e mirë. Dhe kjo do të thotë që urdhrat dhe ndalimet e Islamit të zbatohen në të gjithë botën, që njerëzit të bëjnë të gjitha përpjekjet, që u vijnë për dore për t’u bërë zotërues të jetës së vet.

 

[1] El-Asr: 1-3

[2] El-Bejjine: 7

Postime të ngashme

%d bloggers like this: