DOBITË DHE VLERAT E ADHURIMIT

  1. Adhurim ka në të gjitha fetë hyjnore

Feja hyjnore është tërësi e ligjeve hyjnore të dërguara njerëzve me ndërmjetësinë e profetëve. Qysh nga Hz. Ademi, njeriu i parë dhe profeti i parë, të gjithë profetët u kanë kumtuar njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Allahut. Në të gjitha fetë e kumtuara nga profetët, së bashku me parimet e besimit, ndodhen edhe urdhra mbi adhurimet. Fundja, qëllimi i krijmit të njeriut është besimi dhe adhurimi i Allahut!

Me ndërmjetësinë e profetëve, Zoti ua ka bërë të ditur njerëzve se cilat janë adhurimet që duhet të kryejnë. Tematikat, vendimet dhe urdhrat lidhur me adhurimet ndodhen në të gjitha librat e shenjtë. Fakti që sot hebrenjtë dhe krishterët kanë vendet e tyre të adhurimit dhe që ata kryejnë adhurime sipas tyre, tregon se adhurim ka pasur edhe në fetë para Islamit. Për këtë flasin edhe ajetet e Kuranit: “Dikur ne patëm marrë fjalën prej të bijve të Izraelit, se ata do të adhuronin vetëm Allahun dhe se do të silleshin mirë ndaj prindërve, të afërmëve, jetimëve, të varfërve dhe i patëm urdhëruar ata të thonë fjalë të mira, të falin namazin, të japin zekatin…”[1]

“(Isai) tha kështu: “Unë jam robi i Allahut. Ai më dha libër (ungjill) mua dhe më bëri të dërguar…. Dhe më urdhëroi namazin dhe zekatin sa të jem gjallë!”[2]

Shihet se adhurimi është urdhëruar jo vetëm për ummetin, bashkësinë e profetit tonë, Hz. Muhammedit s.a.s, por edhe për bashkësitë e tjera.

  1. Adhurimi fuqizon zemrën dhe besimin

Kushti i parë për të qenë mysliman është të kesh një besim të sinqertë e të shëndoshë, të pastruar prej të gjitha dyshimeve. Për pranimin e adhurimeve të bëra te Allahu, duhet më parë të kesh besuar. Mes besimit dhe adhurimit ka një lidhje shumë të ngushtë. Adhurimet kanë një funksion maturues mbi besimin. Hadithi profetik në vijim e tregon hapur lidhjen dhe marrëdhëniet mes besimit dhe adhurimit dhe nënvizon domosdoshmërinë e adhurimeve për përsosjen e besimit.: “A e dini se ç’është besimi? Besimi është të dëshmosh se s’ka zot tjetër veç Allahut, se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Allahut, të falësh namaz, të japësh zekat, të agjërosh në muajin e ramazanit, të paguash (në thesarin e shtetit) një të pestën e plaçkës së zënë në luftë!”[3]

Edhe mbrojtja e besimit, vazhdimësia dhe fuqizimi i tij bëhen të mundur në saje të adhurimeve, sepse, meqë adhurimet janë urdhri i Allahut dhe bëhen me qëllim për të fituar pëlqimin e Tij, ia kujtojnë njeriut Allahun vazhdimisht. Edhe besimi i njeriut që nuk e nxjerr nga mendja Allahun, forcohet, edhe njeriu që bën adhurim, e shijon besimin. Profeti ynë ka thënë kështu: “Janë tre gjëra që, kush i bën ato, e shijon besimin. Besimin e shijon ai që e di se s’ka zot tjetër veç Allahut, që s’adhuron tjetër veç Allahut dhe që çdo vit e jep zekatin me gjithë zemër!”[4] Nga ana tjetër, shijimi i besimit siguron pjekurinë dhe fuqizimin e tij. Qëndrimi i njeriut pesë herë në ditë para Allahut e bën atë ta ndjejë më mirë madhështinë dhe fuqinë e Allahut. Njeriu i cili para Allahut e ndjen se sa i dobët është, për çdo çast të jetës e ndjen se është nevojtar për Të. Në përfundim të kësaj, atij i forcohet besimi dhe dashuria për Allahun. Njeriu i cili, me anë të agjërimit, e pengon veten prej ushqimit për pëlqim të Allahut, e kupton vlerën e të mirave që i ka dhënë Ai. Njeriu mendon se, po të mos ia jepte Allahu, vetë nuk do të mund t’i siguronte e, kështu, e beson Allahun dhe lidhet pas Tij në mënyrë më të vetëdijshme.

Edhe ajeti kur’anor, “Allahu e forcon orientimin (besimin) e atyre që ecin në rrugë të drejtë!”[5], e pohon se adhurimet e forcojnë besimin. Sepse të ecësh në rrugë të drejtë do të thotë të çosh në vend urdhrat e Allahut dhe të ruhesh prej gjërave që ka ndaluar Ai. Edhe zbatimi i urdhrave të Allahut dhe ruajtja nga gjërat e ndaluara prej Tij është adhurim.

Adhurimet e forcojnë zemrën e njeriut. Zemra kënaqet vetëm duke e kujtuar Allahun dhe duke e adhuruar Atë. Me të vërtetë, Allahu ka thënë: “…ta dini se zemrat gjejnë qetësi vetëm duke e kujtuar Allahun!”[6] Zemra e njeriut që bën adhurim, ndjen kënaqësi morale-shpirtërore nga ky adhurim dhe e shtyn njeriun për të bërë edhe më shumë adhurim. Në përfundim të kësaj, besimi i njeriut forcohet dhe njeriu s’bart më qëllime dhe ndjenja të këqija në zemër, nuk u bën të këqija as vetes, as të tjerëve. Ai sillet ndaj qenieve me mëshirë e dhembshuri, ndaj njerëzve ushqen dashuri dhe respekt.

Adhurimi mbron besimin. Njeriu që adhuron, e ka zemrën dhe besimin të fuqishëm, prandaj ai ruhet prej çdo lloj sjelljeje që ia dëmton besimin.

  1. Adhurimi lartëson vlerën dhe moralin e njeriut

Njeriu është qenia më e nderuar mes krijesave. Fakti që Allahu i Lartë e ka krijuar gjithësinë për njeriun, që i ka vënë qeniet në shërbim të tij, flet për vlerën e njeriut te Allahu dhe tregon se është një qenie e nderuar. Ndërkaq, njeriu mund ta ruajë këtë nder e këtë vlerë nëse beson dhe kryen adhurimet përkatëse. Për këtë bën fjalë ky ajet: “Pa dyshim, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në nivelin më të ulët. Por për ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, ka gjithmonë një shpërblim që nuk shterron!”[7] Ata që kanë rënë në nivelin më të ulët, nuk janë të gjithë njerëzit, por njerëzit që s’besojnë e që s’bëjnë adhurim! Këtu kuptojmë se vlerën e njeriut e lartësojnë besimi dhe adhurimi. Njeriu që bën adhurim, duke e ditur se është nën vëzhgimin e vazhdueshëm të Allahut, ruhet nga qëndrimet dhe sjelljet që ia rrëzojnë vlerën dhe që nuk përputhen me dinjitetin njerëzor.

Çdo njeri, pavarësisht nga emri, seksi, raca, ngjyra, është robi i Allahut, kështu që të gjithë njerëzit janë, si njerëz, të barabartë. I bardhi ndaj zezakut, zezaku ndaj të verdhit, arabi ndaj joarabit, etj., nuk kanë asnjë përparësi. Megjithëkëtë, para Allahut, një pjesë njerëzish pranohen si më me vlerë e më të lartë se të tjerët. Dhe këta nuk janë nga ndonjë racë apo komb i caktuar, janë vetëm më të devotshmit. Këtë çështje e shpjegon ky ajet: “O njerëz! Pa dyshim, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre. Dhe, për t’u dalluar nga njëri-tjetri, ju ndamë në fise e kombe. Pa dyshim, më i çmuari prej jush te Allahu është ai që e ka më shumë frikë Atë. Pa dyshim, Allahu di dhe ka informacion për çdo gjë!”[8]

Këtë çështje e ka trajtuar edhe Profeti ynë në hutben e tij të lamtumirës: “O njerëz! Dijeni se Zoti juaj është një. Edhe ati juaj është një. Të gjithë jeni bij të Ademit, kurse ai është prej dheu. Më i vlefshmi prej jush pranë Allahut është më i devotshmi prej jush. Arabi nuk ka asnjë përparësi ndaj joarabit. Përparësia është vetëm me devocion!”[9] Shihet se vlera e njeriut matet me devocionin e tij. Njeriu më me vlerë te Allahu është njeriu më i devotshëm. Devotshmëria (takva) është frika nga Allahu dhe adhurimi i Tij ashtu siç duhet.

Vlera e njeriut që bën adhurim rritet jo vetëm para Allahut, por edhe para njerëzve. Njeriu që çon në vend detyrat e veta ndaj Allahut, zë në shoqëri një vend të nderuar, sepse ai nuk u bën keq të tjerëve, i trajton njerëzit me dashuri dhe respekt, ruan të drejtat e personit. Edhe njerëzit që nuk e çojnë në vend detyrën e robit ndaj Allahut, madje, ndjejnë respekt për njeriun që bën adhurim, i japin vlerë atij! Të gjitha urdhrat fetare janë moralisht të mira e të bukura. Zbatimi i urdhrave fetare lidhur me adhurimet e maturon moralin, e mban personin larg shprehive dhe sjelljeve të këqija. Për shembull, sjellje dhe veprime të tilla, si: ndihma ndaj të tjerëve, dhënia e sadakasë dhe zekatit, respektimi i të drejtave të personit janë adhurime që e zbukurojnë moralin e njeriut. Besimi i njeriut që kryen adhurimet, forcohet, zemra i pastrohet prej qëllimeve, ndjenjave e mendimeve të këqija. Dhe kjo bëhet pretekst për zbukurimin e moralit të njeriut. Sepse njeriu që e beson Allahun dhe i bindet Atij, që e pastron zemrën prej të këqijave, shmanget prej fjalëve e sjelljeve moralisht të pakëndshme, priret ndaj të mirës, të bukurës e të drejtës.

  1. Adhurimi siguron lartësimin shpirtëror dhe ideor të njeriut

Njeriu që e adhuron Allahun, fiton të mira (sevape). Dhe njeriut që fiton të mira, i rritet vlera morale-shpirtërore para Allahut. Profeti ynë a.s e ka bërë të ditur se adhurimi e lartëson nivelin moralo-shpirtëror të njeriut, me këtë hadith: “Bëni sexhde (adhurim) shumë, sepse, kur ju bëni sexhde (adhurim), për secilën prej tyre Allahu jua rrit vlerën!”[10]

Adhurimi e maturon personin mendërisht, e mban larg prej besimeve, opinioneve dhe mendimeve të gabuara. Sepse njeriu që adhuron Allahun, nuk u jep vend në zemër dhe në mendje gjërave të tjera, veç të vërtetave të treguara prej Tij. Për të bërë adhurim, duhen njohur urdhrat fetare, sepse zbatimi i urdhrave fetare dhe respektimi i ndalimeve është i mundur duke i njohur ato. Myslimani i mëson urdhrat fetare mbi adhurimet, dobitë dhe vlerat e adhurimeve, sepse beson që adhurimi i Allahut është një urdhër dhe përgjegjësi e formës së prerë. Në përfundim të kësaj, ai njeri arrin një nivel të lartë dituror dhe ideor.

  1. Adhurimi e shtyn njeriun të jetojë me plan dhe disiplinë

Kohët, format dhe kushtet e kryerjes së adhurimeve janë përcaktuar në Kuran dhe Sunnet. Për shembull, namazet falen në kohë të përcaktuara për secilin namaz dhe jashtë kësaj nuk mund të dilet. Gjithashtu, numri i namazeve është pesë dhe ky numër nuk mund të ndryshohet. Agjërimi farz mbahet vetëm në muajin e ramazanit. Edhe koha e haxhit është e ditur. Edhe shembuj të tjerë që mund të sjellim, tregojnë se adhurimet bëhen brenda një disipline dhe në bazë të parimeve të caktuara. Adhurimet me vendin, kohën, kushtet dhe elementët përbërës të përcaktuar në këtë mënyrë, e drejtojnë njeriun të jetojë me plan dhe disiplinë. Njeriu që i kryen adhurimet pa mangësi dhe në kohën e duhur, e reflekton këtë qëndrim edhe në jetën e përditshme. Për shembull, një tregtar ngrihet herët, fal namazin dhe e fillon punën në kohën e vet. Edhe nëpunësi shkon në punë në orar. Personi që fal namaz, duke kryer punët e përditshme, vepron me plan, sillet në mënyrë që as namazin e as punët të mos i lërë mangut, për rrjedhojë, edhe punët që kanë lidhje me këtë botë i kryen e i çon përpara në mënyrë të planifikuar e të programuar.

Adhurim s’do të thotë vetëm namaz, agjërim, haxh, etj. Edhe interesimi i personit për familjen, plotësimi i kërkesave të gruas dhe fëmijëve, është adhurim, sepse këto janë urdhra të fesë. Personi që u kushton kujdes këtyre çështjeve dhe që i çon në vend ato, kthehet në kohë në shtëpi. Në vend që ta kalojë kohën me gjëra boshe, merret me njerëzit e shtëpisë, interesohet për problemet e tyre. Dhe kjo siguron që jeta e familjes të jetë e rregullt dhe e lumtur. Adhurimet kanë aspekte që ndikojnë mbi gjendjen ekonomike të njeriut, që e bëjnë njeriun, lidhur me këtë çështje, të disiplinuar. Për shembull, feja jonë ka urdhëruar që njeriu të jetë ekonomiqar dhe e ka ndaluar shpenzimin e tepërt dhe shpërdorimin. Personi që u përshtatet këtyre parimeve, e rregullon jetën e tij ekonomike në mënyrë të planifikuar e të programuar. Ai shpenzon aq sa duhet për gjërat e nevojshme, kurse nuk e shpërdoron paranë për gjërat që s’duhen. Dhe, kur vepron kështu, nuk bëhet as nevojtar për të tjerët.

Feja jonë ka bërë të qartë se duhet të mos u zgjatet dora të tjerëve dhe se duhet fituar me punë. Edhe puna duhet bërë në bazë të rregullave të caktuara. Për shembull, çështje të tilla si fitimi në rrugë të lejueshme (hallall), respektimi i të drejtave të personit, mospërdorimi i gënjeshtrës dhe mashtrimit, kryerja e detyrave ashtu siç duhet janë disa prej parimeve të fesë sonë në lidhje me marrëdhëniet e punës, të cilat sigurojnë disiplinën e duhur.

  1. Adhurimi i jep njeriut shëndet shpirtëror dhe trupor

Njeriu përbëhet prej shpirtit dhe trupit. Këta dy elementë që përbëjnë njeriun, ndikojnë mbi njëri-tjetrin pozitivisht apo negativisht. Nëse njeriu nuk është i shëndoshë trupërisht, ndjen dhimbje shpirtërore dhe mund të bjerë në rënie shpirtërore. Edhe shëndeti fizik i njeriut të paqetë shpirtërisht, në stres e shqetësim, prishet. Për rrjedhojë, për të qenë i shëndetshëm, i qetë e i lumtur, njeriu duhet të jetë i shëndoshë edhe fizikisht, edhe shpirtërisht. Një faktor i rëndësishëm që i përfton njeriut shëndet fizik dhe shpirtëror, është adhurimi.

Besimi dhe adhurimet janë ushqimi ynë shpirtëror. Njeriu është përbërë prej trupit dhe shpirtit. Trupi është krijuar prej dheu, edhe ushqimi i tij del prej dheu. Kurse shpirti ynë ka burim hyjnor. Edhe ushqimi i tij hyjnor do të jetë. Ja, pra, adhurimet i sigurojnë njeriut lidhjet me Zotin dhe i japin qetësi. Jeta që kalon pa adhurim, i përngjet ushqyerjes së kalit duke e lënë kalorësin pa ngrënë, furnizimit të makinës me benzinë, duke e lënë shoferin pa ushqyer. Sepse trupi ynë është kali, kurse kalorësi, shpirti. Trupi ynë është si një makinë, kurse shpirti, si një shofer. Ushqimi i secilit është i veçantë. Ushqimi i shpirtit tonë është besimi dhe adhurimi i Allahut. Kur të jetë kështu, shëndeti i trupit dhe shpirtit bëhet i përsosur dhe, njeriu, i lumtur.

Shpirti nuk ka lidhje vetëm me shëndetin e trupit, por edhe me gjendjen morale të njeriut. Shëndeti shpirtëror i njeriut që bën mëkat, që u bën padrejtësi të tjerëve, që nuk mundet të plotësojë nevojat e veta moralo-shpirtërore, me kohë prishet. Kurse njeriu që beson dhe ruhet nga mëkatet, që nuk vë dorë mbi të drejtat e personit, që ruhet nga shpenzimi i tepërt dhe shpërdorimi, që ka moral të bukur, nuk ndjen dhimbje shpirtërore, është i qetë në ndërgjegje.  Disa prej ngjarjeve që e shqetësojnë njeriun shpirtërisht, janë fatkeqësitë që i bien mbi kokë. Nëse njeriu që beson dhe i kryen adhurimet, i pret këto fatkeqësi me durim, beson se shqetësimet dhe fatkeqësitë do të bëhen shkak që t’i falen mëkatet. Në çdo gjë që i vjen prej Zotit, ai pranon se për të ka një të mirë dhe dobi në lidhje me këtë botë dhe me jetën tjetër. Prandaj i përballon me durim fatkeqësitë, nuk i stërmadhon për t’i kthyer në dëshpërim, pra dhe nuk e fut në rrezik shëndetin shpirtëror.

Adhurimi i përfton njeriut edhe shëndet shpirtëror. Për shembull, një prej urdhrave të fesë sonë është edhe shmangia nga gjëra të dëmshme të tilla si pijet alkoolike, drogat, etj. Personi që rri larg prej këtyre lëndëve të ndaluara nga feja jonë, mbron shëndetin e vet. Veçanërisht është me shumë rëndësi porosia e Profetit, “Agjëroni që të gjeni shëndet!”[11], sepse agjërimi ndihmon shumë për një shëndet të mirë. Agjërimi bëhet shkak që trupi i njeriut të pushojë, të mos bjerë shpejt dhe që njeriu ta ruajë shëndetin. Yndyrnat e grumbulluara në trup shkrihen në saje të agjërimit dhe trupi lehtësohet.

  1. Adhurimi e largon njeriun nga të këqijat

Adhurimi buron nga besimi dhe e forcon besimin. Personi me një besim të fuqishëm shmanget, me të gjitha mundësitë, nga të këqijat. Sepse besimi dhe adhurimi e zbukurojnë moralin dhe e pengojnë njeriun nga të këqijat. Ajeti që thotë se “…pa dyshim, namazi largon nga imoraliteti dhe të këqijat…”[12], flet për këtë. Personi që fal namaz, ka turp të dalë para Allahut si mëkatar dhe ruhet nga kryerja e gjërave të këqija të ndaluara nga Allahu. Si namazi, edhe agjërimi e largon njeriun nga të këqijat. Me të vërtetë, Profeti ynë ka thënë kështu për agjërimin: “Agjërimi është mburojë (ndaj mëkateve e të këqijave)”, sepse agjërimi nuk kërkon vetëm ndërprjerjen e ushqyerjes, por edhe lënien e mëkateve dhe të këqijave.

Profeti porosit: “Allahu nuk ka nevojë për ndenjen pa ngrënë e pa pirë të një njeriu që nuk i lë gënjeshtrat dhe punën me gënjeshtra!” Me këtë, ai ka dashur të tërheqë vëmendjen se agjërimi duhet të ndikojë për mirë mbi sjelljet e njeriut. Personi që e kupton këtë veçori dhe rëndësi të agjërimit, shmanget prej të këqijave. Kjo veçori gjendet edhe në adhurimet e tjera. Fundja, edhe shmangia nga mëkatet dhe të këqijat është një adhurim më vete. Njeriu që beson dhe i kryen adhurimet, është i vetëdijshëm se në jetën e pasme (ahiret) do të japë llogari për të gjitha veprimet dhe qëndrimet e tij në këtë botë. Ky besim e drejton njeriun te e mira, duke e larguar nga e keqja.

 

 

[1] Bekare: 83

[2] Merjem: 30-31

[3] Sahîhu’l-Buharî, Kitabu’l-iman

[4] Sünenü Ebi Davud, Kitabu’z-Zekat, 1582

[5] Merjem: 76

[6] Er-Ra’d: 28

[7] El-Huxhurat, 13

[8] El-Huxhurat:13

[9] Abdülmelik b. Hisham, es-Sîretü’n-Nebeviyye, vëll. 2., f. 350

[10] Sahîhu’l-Muslim, Kitabu’s-salat, 225; Sünenü’t-Tirmidhi, Bâbu’s-salat, 388

[11] Sünenü’t-Taberanî, Babü’s-savm, 5

[12] El-Ankebut: 45

Postime të ngashme

%d bloggers like this: