KUSHTET E ZEKATIT

Si çdo adhurim tjetër edhe zekati, që të përmbushet, duhet të plotësohen kushtet e tij. Kushtet janë ato elemente që i paraprijnë një detyrimi dhe nëse nuk plotësohen kushtet paraprake, atëherë nuk mund të ekzistojë edhe veprimi, gjegjësisht detyrimi. Juristët (fukahatë) myslimanë, i ndajnë në dy lloje kushtet e zekatit:

– kushtet e detyrueshmërisë së zekatit dhe

– kushtet e vlefshmërisë së zekatit.

I. Kushtet e detyrueshmërisë së zekatit

Kushtet e detyrueshmërisë së zekatit janë ato pa të cilat zekati nuk mund të bëhet farz. Pra, nëse mungon njëri prej këtyre kushteve, atëherë zekati nuk mund të jetë farz. Ato kushte janë:

  1. Islami. Që të jetë zekati detyrim (farz) patjetër duhet që personi të jetë mysliman, sepse zekati është adhurim, kurse jomyslimanët nuk janë të detyruar me adhurime islame.
  2. Bulugu (mosha e pjekurisë seksore – puberteti). Sipas dijetarëve të shkollës juridike Hanefi, fëmija dhe i sëmuri psikik nuk detyrohen me dhënien e zekatit, sepse zekati është adhurim e fëmija nuk është i ngarkuar (mukel-lef) me të. Kjo vërtetohet me hadithin e Pejgamberit a.s., ku ka thënë: “Është ngritur lapsi nga tre persona: prej fëmijës derisa të hyjë në pubertet, prej atij që fle derisa të zgjohet dhe prej të sëmurit psikik derisa të shërohet.” (Ebu Davudi, Nisaiju)
  3. Liria. Të gjithë dijetarët myslimanë janë dakord se robi nuk detyrohet me zekat, sepse pasuria e tij është e pronarit të vet, kështu që ai nuk mund të detyrohet në këtë drejtim.
  4. Nisabi (kuota, sasia), zotërimi i sasisë së përcaktuar të pasurisë. Nisabi si sasi dhe lloj është: “Sasi e përcaktuar e pasurisë që Allahu xh.sh. e ka përcaktuar si shenjë që detyron zekatin.” Nisabi, pra kuota është e përcaktuar në disa lloje të pasurisë, për të cilat do të flasim më vonë.
  5. Kalimi i një viti hënor (haulanu el-haul). Me plotësimin e vitit hënor, është kërkesë që nisabi i përcaktuar të jetë i përmbyllur në dy skajet e vitit (në fillim dhe në fund), pavarësisht nëse gjatë vitit është pakësuar diç ose jo. Nga kjo nënkuptohet se nëse gjatë vitit është pakësuar sasia e gjendjes materiale, por nuk është zhdukur e tëra dhe në fund të vitit shtohet e plotësohet, atëherë pronari i kësaj pasurie detyrohet me dhënien e zekatit. Për plotësimin e vitit dhe për dhënien e zekatit merret parasysh viti hënor, i cili ka 354 ditë e jo kalendari apo viti diellor. P. sh., nëse ekziston nisabi më 1 Muharrem të vitit 1435 H., ai qëndron deri më 1 Muharrem 1436 H. Në këtë mënyrë pranohet se është plotësuar kushti “haulanu el-haul” dhe besimtari detyrohet me dhënien e zekatit. Mirëpo, nëse në fillim është plotësuar nisabi dhe më pas, gjatë vitit, ai është pakësuar dhe ka ngelur kështu i pakësuar deri në përfundim të vitit, atëherë bie detyrueshmëria e zekatit.
  6. Pasuria të jetë e llojit që shtohet. Me këtë nënkuptohet se për dhënien e zekatit, është kusht që pasuria e cila plotëson kuotën materiale nga del zekati, të jetë nga ajo lloj pasurie e cila rritet – shtohet, ose nga ajo lloj pasurie, e cila në thelb e pranon shtimin dhe rritjen.
  7. Të jetë i liruar nga borxhi. Nëse dikush e zotëron kuotën e pasurisë së caktuar, por ndërkohë i ka borxh dikujt tjetër, atëherë nuk është i detyruar me zekat. Juristët e shkollës juridike Hanefi këtë lloj të borxhit për nga natyra e tij e ndajnë në tri lloje:

1- Kur njeriu i ka borxh dikujt tjetër, por ky borxh është tamam e drejtë e njeriut (hak i njeriut), atëherë ky lloj i borxhit pengon dhënien e zekatit.

2- Kur borxhi është ndaj Allahut xh.sh. (hak i Allahut), porse ky borxh mund të kërkohet edhe nga njeriu, si p.sh. borxhi i zekatit të cilin e kërkon udhëheqësi islam apo zëvendësi dhe i autorizuari i tij. Nëse personi zotëron 20 masa ari, por është plotësuar viti hënor dhe ai nuk e ka dhënë zekatin, pastaj përsëri është plotësuar edhe viti i dytë, në këtë rast detyrohet me zekat vetëm për vitin e parë, por jo edhe për të dytin, sepse vitin e parë ka ngelur borxh me dhënien e zekatit. Sikur ta kishte dhënë në kohë, do t’i binte kuota materiale për zekatin, kësisoj për vitin e dytë nuk do të detyrohej pa e plotësuar kuotën. Edhe ky lloj i borxhit e pengon dhënien e zekatit.

3- Që borxhi të jetë plotësisht e drejtë e Allahut dhe atë nuk mund ta kërkojë askush nga njerëzit, si p.sh. borxhi nga moszbatimi i Haxhit, apo kefareteve. Nëse njeriu nuk e ka paguar kefaretin, apo nuk e ka bërë Haxhin, ai ngel borxh para Allahut xh.sh., por këtë borxh nuk e kërkon askush nga njerëzit. Ky lloj i borxhit nuk e pengon dhënien e zekatit.

Postime të ngashme