Kushtet e vlefshmërisë së zekatit

Kushtet e vlefshmërisë së zekatit janë ato pa të cilat zekati nuk mund të jetë i vlefshëm. Për të qenë i vlefshëm detyrimisht duhen plotësuar ato kushte e, që janë:

  1. Nijeti. Dijetarët janë të njësuar se nijeti është kusht për dhënien e zekatit, duke u bazuar në hadithin e Profetit a.s., i cili thotë: “Veprat shpërblehen sipas qëllimit.

Nijeti është kusht ngase zekati është adhurim, sikurse namazi, andaj adhurimi nuk mund të bëhet pa nijet.

  1. Që zekati t’i jepet atij që e meriton, pra të shkojë në ato kategori që i ka caktuar Allahu xh.sh. E nëse dikush i anashkalon këto kategori, nuk i pranohet dhënia e zekatit.

Zekati në pasurinë e humbur

Pasuri e humbur konsiderohet ajo që nuk e ke ende, që ka rënë në det, ajo që është groposur në djerrinë (shkretëtirë), pasuria e uzurpuar, borxhi i mohuar nëse për të nuk ka fakte (prova), pasuria te depozituesi që nuk e njeh dhe të ngjashme me to. Në të tilla raste nuk jepet zekati.

Pengimi i zekatit

Nëse dikush pengon dhënien e zekatit, atëherë udhëheqësit gjegjës ia marrin me detyrim dhe e dorëzojnë në arkën e zekatit. Kjo mbështetet në ajetin Kur’anor, në të cilin Allahu xh.sh. thotë:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً

Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë…” (Et-Teube:103). Gjithashtu, mbështetet edhe në hadithin e Profetit a.s.: “Merre atë (zekatin) nga të pasurit e tyre.

Vlerësohet kështu ngase e drejta e marrjes së zekatit ishte e drejtë e imamit (udhëheqësit islam) në pasurinë e dukshme dhe ato të padukshme deri në kohën e Omerit r.a., duke u bazuar në këto tekste. Mirëpo, në kohën e Osmanit r.a., duke u frikësuar nga padrejtësia e kontrollimit të punonjësve të zekatit, pasurinë e brendshme e la në ndërgjegjen e pronarëve të tyre dhe në këtë kontekst pronarët e pasurive u shndërruan në pozitën e të autorizuarve të imamit. Nëse imami ka dituri se ata kanë pasuri, por nuk e japin zekatin, atëherë ua kërkon zekatin.

Nëse vdes personi dhe nuk e ka paguar zekatin ose sadakatul fitrin, në këtë rast nuk merret zekati e as sadakatul fitri nga pasuria e tij, por lejohet nëse trashëgimtarët e tij e paguajnë në mënyrë vullnetare.

Nëse i vdekuri ka lënë testament për pagesën e zekatit ose sadakatul fitrit, atëherë ajo paguhet vetëm sa një e treta (1/3) e pasurisë së lënë, sepse sadakatul fitri dhe zekati janë adhurime e ato nuk mund të kryhen ndryshe. Ose t’i kryejë vetë personi, ose zëvendësi i tij, për të realizuar kuptimin e adhurimit, i cili është ligjësuar për sprovim që të dallohen të nënshtruarit nga mëkatarët. Nëse jepet zekati nga të tjerët, atëherë ky qëllim nuk realizohet pa pëlqimin dhe nijetin e pronarit. Ai ishte i urdhëruar që ta kryente këtë detyrim, e kjo nuk mund të realizohet nga të tjerët, përjashto nëse është zëvendës i tij me autorizim, që ai ta kryejë punën e tij, në dallim nga trashëgimtari, sepse trashëgimtari e trashëgon detyrimisht, andaj nuk lejohet që trashëgimtari ta japë zekatin për të. Është lejuar nga aspekti i Istihsanit dhe është thënë se bie detyrueshmëria e tij nëse trashëgimtari e jep zekatin për të, duke u mbështetur në hadithin, në të cilin Profeti a.s. ka thënë: “Boxhi i Allahut ka më shumë përparësi.” (Buhariu)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: