KUSHTET E HAXHIT

 

Sikurse edhe çdo adhurim tjetër në Islam, i cili i ka kushtet e veta, ashtu edhe Haxhi, që të jetë i vlefshëm, i ka kushtet e veta. Kushtet e Haxhit janë:

  1. Kushtet e detyrueshmërisë së kryerjes së Haxhit,
  2. Kushtet e vlefshmërisë së Haxhit

Kushtet e detyrueshmërisë së Haxhit

Kushtet e detyrueshmërisë së Haxhit janë ato nga të cilat varet përmbushja e kësaj shtylle islame, që do të thotë se nëse ekzistojnë këto kushte, njeriu detyrohet me Haxh, në të kundërtën nuk detyrohet. Ato kushte janë:

1. Islami

Haxhi, në kuptimin si e përmendëm më sipër, është detyrim vetëm për myslimanët.

2. Logjika – mençuria (shëndeti mendor)

Haxhi nuk është detyrim për të sëmurin psikik, sepse ai nuk ka aftësi të mjaftueshme për kryerjen e detyrimeve, për shkak të humbjes së logjikës së tij.

3. Liria

Haxhi është detyrim për të myslimanin e lirë, ngase robi nuk zotëron pasuri dhe liri që ta  kryejë këtë detyrim.

4. Mosha e pjekurisë seksuale

Haxhi nuk është detyrim për të vegjëlit, sepse detyrimet fillojnë me pjekurinë seksuale (bulug), andaj ai që nuk ka hyrë në këto vite nuk deturohet sipas dispozitave të jurisprudencës islame.

5. Të pasurit njohuri mbi detyrueshmërinë e Haxhit

Për njeriun i cili pranon Islamin por që jeton në shtetin e quajtur “Darul Harb”, të ketë njohuri për detyrueshmërinë e Haxhit është kusht, kurse për ata që pranojnë Islamin dhe jetojnë në shtetin islam, të diturit  për detyrushmërinë e Haxhit nuk është kusht.

6. Koha

Nëse myslimani zotëron pasuri për kryerjen e Haxhit në muajt e haxhit siç janë Shevali, Dhul ka’de dhe dhjetë ditët e muajit Dhulhixhxhe, atëherë është i obliguar të kryejë Haxhin. Allahu xh.sh.thotë:

الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ

Haxhi është në muajt e caktuar.” (Bekare, 197)

7. Mundësia fizike dhe materiale

Nga kjo nënkuptojmë që personi të jetë i shëndoshë fizikisht dhe të ketë pasuri të mjaftueshme që të sigurojë ushqimin dhe shpenzimet e nevojshme derisa të kthehet, për vete dhe për familjen e tij për të cilën kujdeset duke mos qenë koprrac por dhe duke mos shpenzuar pa nevojë. Gjithashtu, nënkuptohet edhe mjeti i udhëtimit, që ka lidhje me mundësinë e tij fizike për ta përballuar.

8. Siguria e rrugës

Me këtë nënkuptohet që rruga të jetë e sigurt dhe e lirë.

Ata të cilët nuk kanë mundësi të udhëtojnë për në Haxh për shkak të pamundësisë fizike, apo për shkak të pasigurisë në rrugë, kanë për detyrim që në vend të vet të çojnë dikë tjetër që t’ua kryejë Haxhin gjatë jetës së tyre apo të lënë porosi për kryerjen e Haxhit pas vdekjes së tyre.

Kushtet e vlefshmërisë së Haxhit

Këtu bëhet fjalë për ato kushte pa të cilat nuk mund të jetë Haxhi i vlefshëm (i pranuar). Mungesa reale e njërit ose e më shumë kushteve, nuk e shkarkon haxhiun nga detyrimi i farzit e as që arrin të marrë shpërblimin (sevapin) e merituar; të cilat janë:

  1. Ihrami në Haxh e bashkë me të bëhet edhe nijeti dhe telbija.
  2. Koha e caktuar, pra muajt e Haxhit (Sheval, Dhul ka’de dhe dhjetë ditë të muajit Dhulhixhxhe).
  3. Vendi i përcaktuar që Allahu xh.sh. ka caktuar për kryerjen e farzeve të Haxhit.
  4. Moskryerja e marrëdhënieve intime gjatë Haxhit.

Kushtet e veçanta për gjininë femërore

Për kryerjen e Haxhit, krahas kushteve të përgjithshme që vlejnë për dy gjinitë, për gjininë femërore ekzistojnë disa kushte specifike që duhen plotësuar, të cilat janë:

1. Që femrën, gjatë udhëtimit për në Haxh, ta shoqërojë bashkëshorti i saj, apo ndonjë mashkull nga rrethi i saj i afërm familjar (mahremi). Këtë e vërteton hadithi, të cilin e transmeton Ibn Abasi r.a. nga Profeti a.s., i cili ka thënë:

لَا تُسَافِرِ الْمَرْأَةُ ثَلَاثَةَ أَيَّامٍ إِلَّا مَعَ ذِي مَحْرَمٍ

Nuk (ka të drejtë) të udhëtojë gruaja tri ditë vetëm se me shoqëruesin e afërm (mahremin e saj).” (Buhariu)

Nga rrethi i saj i afërm familjar quhet personi me të cilin gruaja nuk ka të drejtë martese, pavarësisht nëse pengesa qëndron nga farefisnia, qumështi apo miqësia.

2. Që gruaja të mos jetë në pritje të iddetit (pritje gjatë së cilës vërtetohet nëse femra është apo jo shtatzënë) nga shkurorëzimi apo nga vdekja e bashkëshortit, sepse në këtë kohë ajo e ka të ndaluar të dalë nga shtëpia e burrit, apo nga shtëpia e përcaktuar në të cilën ajo duhet të qëndrojë.

 

 

Postime të ngashme