HAXHI PËR TJETRIN (bedel)
Sipas parimeve të përgjithshme të jurisprudencës islame, të gjitha format e adhurimeve për nga forma dhe mënyra e zbatimit të tyre kryesisht ndahen në tri lloje:
- Adhurimet, kryerja e të cilave ka karakter trupor – fizik, siç janë namazi dhe agjërimi. Në këto lloje të adhurimit dijetarët myslimanë janë të njësuar se nuk lejohet zëvendësimi, sepse qëllimi i këtij adhurimi është ndjeshmëria dhe lodhja fizike e kjo nuk arrihet me zëvendësim.
- Adhurimet, kryerja e të cilave ka karakter të pastër ekonomik, siç janë dhënia e zekatit, kefareteve, kurbaneve, sadakave të ndryshme etj. Edhe për këtë juristët myslimanë janë të njësuar se zëvendësimi është i lejuar në këto lloje të adhurimeve, sepse qëllimi i tyre është dobia e të tjerëve, andaj me zëvendësim arrihet ky qëllim.
- Adhurimet, te të cilat gjatë kryerjes së tyre kombinohet elementi trupor – fizik dhe ai ekonomik, siç është Haxhi, andaj në kryerjen e këtij lloji të adhurimit lejohet zëvendësimi, por me kushte të veçanta që do të përmenden në vazhdim.
Sipas dijetarëve të medhhebit Hanefi, personi të cilit i është bërë detyrim (farz) Haxhi, porse për zbatimin e tij praktik nuk ka mundësi fizike, për shkak të sëmundjes apo pleqërisë e mbase edhe vdekjes së tij, lejohet kryerja e Haxhit për të nga dikush tjetër, pra të bëhet zëvendësimi. Nga kjo nënkuptohet se zëvendësimi lejohet vetëm në rastet e pamundësisë së zbatimit personalisht, kurse në rastet kur mundet, atëherë nuk lejohet zëvendësimi. Pra, që kryerja e Haxhit të zëvendësohet nga dikush tjetër, kushtëzohet me pamundësinë që zgjat deri në vdekje dhe zëvendësimi për Haxh pas vdekjes i bazuar në testament.
Nga kjo që u tha më sipër, nënkuptohet se Haxhi bedel, sipas juristëve Hanefi, mund të bëhet për personin, i cili jeton dhe i ka plotësuar kushtet e detyrueshmërisë së Haxhit, por që nuk i plotëson kushtet e realizimit të tij, d.m.th. se Haxhi për të është farz, por zbatimin nuk mund ta përballojë, ose për personin i cili Haxhin e ka pasur detyrim – farz, porse ka vdekur para se ta kryejë këtë detyrim.
Argument për lejimin e zëvendësimit të Haxhit nga dikush tjetër që në terminologjinë e sheriatit njihet me termin “haxhxhun Bedel anil gajr”, është hadithi i Profetit a.s., të cilin e transmeton Abdullah Ibn Abasi r.a., ku thuhet:
عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ رَضِي اللَّهُ عَنْهُمَا قَالَ جَاءَتِ امْرَأَةٌ مِنْ خَثْعَمَ عَامَ حَجَّةِ الْوَدَاعِ قَالَتْ يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنَّ فَرِيضَةَ اللَّهِ عَلَى عِبَادِهِ فِي الْحَجِّ أَدْرَكَتْ أَبِي شَيْخًا كَبِيرًا لَا يَسْتَطِيعُ أَنْ يَسْتَوِيَ عَلَى الرَّاحِلَةِ فَهَلْ يَقْضِي عَنْهُ أَنْ أَحُجَّ عَنْهُ قَالَ نَعَمْ
“Një grua nga Hath’ami erdhi tek i Dërguari i Allahut xh.sh. dhe i tha: – O i Dërguari i Allahut, vërtet tim atë e ka zënë detyrimi i Allahut xh.sh. – Haxhi në moshë të shtyrë, dhe nuk ka mundësi të rrijë hipur në deve. A mund që të bëhet kompensim për të, ta bëj unë Haxhin për të? Profeti a.s. i tha: -Po. Dhe kjo ndodhi në Haxhin e Lamtumirës.” (Buhariu)
Po ashtu hadithi tjetër i transmetuar nga Ibn Abasi r.a.:
عَنِ ا بْنِ عَبَّاسٍ رَضِي اللَّهُ عَنْهُمَا أَنَّ امْرَأَةً مِنْ جُهَيْنَةَ جَاءَتْ إِلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَ سَلَّمَ فَقَالَتْ إِنَّ أُمِّي نَذَرَتْ أَنْ تَحُجَّ فَلَمْ تَحُجَّ حَتَّى مَاتَتْ أَفَأَحُجُّ عَنْهَا قَالَ نَعَمْ حُجِّي عَنْهَا أَرَأَيْتِ لَوْ كَانَ عَلَى أُمِّكِ دَيْنٌ أَكُنْتِ قَاضِيَةً اقْضُوا اللَّهَ فَاللَّهُ أَحَقُّ بِالْوَفَاءِ
“Kishte ardhur një grua te Profeti nga Xhuhejni dhe i tha: – Vërtet nëna ime kishte premtuar që ta bënte Haxhin, por nuk arriti ta bënte, sepse vdiq. A ta bëj unë Haxhin për të? Profeti i tha: -Bëje Haxhin për të. Nëse nëna juaj do të kishte borxhe, a do t’ia kishit larë ato borxhe, atëherë borxhi i Allahut është më parësor për t’u plotësuar.” (Buhariu)
Këto hadithe të Profetit a.s. në mënyrë të qartë bëjnë me dije se kryerja e Haxhit për tjerin, pavarësisht se a bëhet fjalë për person të moshuar që nuk ka mundësi udhëtimi apo edhe për të vdekurin, është veprim i lejuar sipas normave islame.