Kush nuk ka të drejtë në Zekat
Pasi pamë se kujt i takon t’i jepet zekati, në vazhdim, në pika të shkurta, duhet të shohim se kush nuk ka të drejtë në zekat. Personat, të cilët nuk kanë të drejtë në zekat, janë:
- Jomyslimani
Zekati nuk mund t’u jepet jomyslimanëve dhe ngjashëm me ta siç janë ateistët, murtedët (renegatët) etj., sepse nga kushtet e zekatit është që t’i jepet myslimanit. Këtë e vërteton hadithi i Profetit a.s. që i kishte thënë Muadhit: “Informoji ata, se Allahu ua ka bërë detyrim atyre (myslimanëve) dhënien e zekatit, merret nga të pasurit e tyre (myslimanëve) dhe u jepet të varfërve të tyre (myslimanë).” (Buhariu)
Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhamedit, lejohet që jomyslimanit t’i jepet sadaka vullnetare, që nuk është detyruese. Argument ku mbështetet ky mendim është ajeti Kur’anor ku Allahu xh.sh. ka thënë:
إِن تُبْدُواْ الصَّدَقَاتِ فَنِعِمَّا هِيَ وَ إِن تُخْفُوهَا وَ تُؤْتُوهَا الْفُقَرَاء فَهُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ وَ يُكَفِّرُ عَنكُم مِّن سَيِّئَاتِكُمْ
“Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai jua largon-shlyen (me punë të mira) të këqijat.” (Bekare: 271)
Nga ky ajet nënkuptohet se zekati dhe sadakaja lejohet t’u jepet të varfërve pa dallim feje, porse hadithi i Muadhit r.a. e veçoi dhe e ndaloi dhënien e zekatit jomyslimanëve, kurse çështjet e tjera ngelën sipas këtij ajeti. Nga ky mendim Imam Ebu Hanifja përjashton jomyslimanin, i cili është në luftë apo nuk ka marrëveshje paqeje me myslimanët, sepse dhënia e sadakasë atyre do të thotë ndihmë për ta kundër myslimanëve. Mirëpo, dhënia e sadakasë jomyslimanëve, që jetojnë në shtetin islam (apo aty ku ka bashkëjetesë fetare), nënkupton mirësinë tonë ndaj tyre, e për këtë nuk jemi të ndaluar sipas Islamit. Allahu xh.sh. ka thënë:
لَا يَنْهَاكُمُ اللَّهُ عَنِ الَّذِينَ لَمْ يُقَاتِلُوكُمْ فِي الدِّينِ وَ لَمْ يُخْرِجُوكُم مِّن دِيَارِكُمْ أَن تَبَرُّوهُمْ وَ تُقْسِطُوا إِلَيْهِمْ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ
“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (Mumtehine: 8)
- Personit i cili ka mundësi të punojë dhe të fitojë
Dijetarët janë të njësuar në mendimet e tyre se personit, i cili është i shëndoshë dhe ka mundësi të punojë, por nuk punon, nuk i jepet zekat. Urtësia e këtij konsiston në atë se Islami i lufton njerëzit parazitë, gjë që e vërteton hadithi i Profetit a.s., i cili ka thënë: “Zekat nuk lejohet për të pasurin dhe për atë i cili është i aftë për punë.” (Ebu Davudi)
Mirëpo dijetarët janë të mendimit se njeriu i cili mundohet të punojë, por nuk gjen punë, ose punon por rroga e tij nuk i mjafton për familjen e tij, atëherë atij apo asaj mund t’i jepet zekat.
- Zekati nuk i takon: prindërve, gjyshërve e gjithashtu nuk u takon edhe pasardhësve, siç janë djali, djali i djalit, nuk i jepet vajzës, edhe nëse janë jetimë, kurse fëmijëve të vajzës iu lejohet zekati. Gjithashtu nuk lejohet që bashkëshorti t’ia japë zekatin bashkëshortes dhe anasjellas. Nga ana tjetër, Imam Shafi’u si dhe Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi nga shkolla juridike hanefi janë të mendimit se bashkëshortja e pasur ka të drejtë t’i japë zekat bashkëshortit, i cili është i varfër, sepse ajo nuk e ka për detyrim furnizimin e bashkëshortit.
- Zekati nuk i jepet të pasurit, i cili ka pasuri mbi vlerën e nisabit, sepse Profeti s. ka thënë: “Nuk i jepet zekat të pasurit.”
Nëse dikush i ka dhënë zekat dikujt duke menduar se është i varfër, pastaj është vërtetuar se ai/ajo është i/e pasur, ose i ka dhënë duke menduar se është mysliman e më pas vërtetohet se ai nuk është mysliman, ky zekat nuk duhet të përsëritet, sepse kjo çështje ngrihet mbi bazën e përpjekjes (ixhtihadit) së gjetjes së vendit më të përshtatshëm për dhënien e zekatit. Mirëpo, nëse dhënësi i zekatit nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur vendin e merituar për dhënien e zekatit, e më pas shfaqet kjo çështje, atëherë duhet përsëritur dhënia e zekatit.
- Zekati nuk i jepet fëmijës dhe të sëmurit psikik, respektivisht nuk i dorëzohet fëmijës apo të çmendurit, por përgjegjësve të tyre.
- Zekati nuk i jepet familjes së Profetit a.s. dhe fisit të tij. Sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe Imam Malikut, fisi i Profetit konsiderohet fisi Beni Hashim, sepse ata marrin një pjesë të pasurisë nga plaçka e luftës. Sipas Ebu Hanifes, fisi Beni Hashim janë: familja e Abasit, familja e Aliut, familja e Xhaferit, familja e Ukajlit dhe djemtë e Ebu Talibit. Kohëve të fundit shumica e dijetarëve myslimanë kanë dhënë fetva se atyre u takon t’u jepet zekati, meqë atyre u është ndalur e drejta e marrjes së një pjese nga plaçka e luftës. Ky mendim gjithashtu bazohet në mendimin e Imam Ebu Hanifes dhe disa dijetarëve nga shkolla juridike Shafi’ dhe Maliki.