Çfarë e bën të veçantë Ditën e Arafatit?

Nesër është Dita e Arafatit. Në mënyrë që të përgatitemi si duhet për këtë ditë, ne duhet që të jemi të informuar për rëndësinë e saj.

-Është Dita që Allahu zgjodhi të shpallte njërin prej ajeteve më të begata të Kuranit, “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…”  (Maide, 3) Një rabin i tha Kalifit Omer (r.a): “Nëse ky ajet do të na ishte shpallur neve, atë ditë do ta bënim një ditë feste.”

-Është një Ditë për të cilën Allahu bën një betim dhe e quan atë si një ditë “të dëshmuar”, siç thuhet në versetin وَشَاهِدٍوَمَشْهُودٍ.

Ibn Abbasi ka thënë: “Shāhid është dita e premte dhe mashhūd është Dita e Arafatit.” Kështu, Dita e Premte do të dëshmojë për ata që falen në të, ndërsa Dita e Arafatit është një ditë që Allahu dhe engjëjt e shohin dhe e dëshmojnë.

-Është Dita e Haxhit dhe esenca e pelegrinazhit. Profeti (a.s) ka thënë: “Haxhi është Arafat”, duke nënkuptuar që Haxhi është i gjithi rreth kësaj dite.

-Është një ditë, agjërimi i të cilës pastron mëkatet e një viti që ka kaluar dhe një viti që vjen pas – agjërimi i një dite të vetme është i barabartë me faljen e dy viteve. Nuk ka një ditë tjetër të vitit që të jetë si kjo ditë.

-Thuhet që kjo është Dita në të cilën Allahu mori Besën (për ta njohur dhe adhuruar Atë) nga Ademi dhe bijtë e tij. Po ashtu, në këtë Ditë, Allahu ia pranoi pendimin Ademit (a.s).

-Ajo është një Ditë faljeje dhe shpëtimi prej Xhehenemit. Ne mësojmë nga hadithi, se nuk ka ndonje ditë tjetër të vitit që Allahu të falë dhe të shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit më shumë njerëz, sesa në këtë Ditë.

-Është Dita në të cilën Shejtani ndihet më i dëshpëruar dhe më i poshtëruar se kurrë, teksa sheh Mëshirën e Allahut të zbresë mbi krijesat e Tij.

-Është Dita që Allahu zbret (pa përngjasim dhe pa e ditur natyrën e saj) në qiellin më të afërt të kësaj bote dhe u mburret engjëjve për haxhilerët dhe u plotëson atyre çdo lutje.

-Thënë shkurt, kjo Ditë është siç e ka përshkruar i Dërguari i Allahut: “Dita më e mirë e vitit është Dita e Arafatit.” (Ibn Hibban)

Sigurohuni mirë që ta shfrytëzoni sa më tepër këtë Ditë, edhe pse këtë vit s’po e kryejmë dot Haxhin. Kjo ditë është e begatë për të gjithë, pavarësisht vendit ku gjendeni.

Lutja e kësaj dite vijon si më poshtë:

لَاإِلَهَإِلَّااللَّهُوَحْدَهُلَاشَرِيكَلَهُلَهُالْمُلْكُوَلَهُالْحَمْدُوَهُوَعَلَىكُلِّشَيْءٍقَدِيرٌ

La ilahe il-la Allahu vahdehu la sherike lehu, lehu’l mulku ve lehu’l hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe të pashoq. Atij i takon pushteti dhe falënderimi, dhe Ai, ka fuqi mbi çdo gjë!)

Dr. Jasir Qadhi

Postime të ngashme