Kurani, gjëmimi i zemrave

 

Fuqiploti e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimit të Kuranit. Kurrë nuk mund të arrihet synimi pa kërkuar prijësinë e tij. Udhëtarët e pastrehuar nën tutelën e tij, derdhen e mbeten nëpër rrugë.

Kurani është fjala më e përkryer, më e fundit që i shkojnë pas, e cila të çon në synim pa të çorientuar, pa të gënjyer. Ndërsa lexohet me mjaft lehtësi në çdo kohë e nga çdo njeri, Kurani është pamundësisht i përsëritshëm. Ata që e dëgjojnë dhe e ndjejnë atë me thellësitë e tij në zemrat e veta, arrijnë të dëgjojnë e ndjejnë çdo gjë që duhet dëgjuar e ndjerë. Edhe ata që e shijojnë plotësisht atë, konsiderohen nga një “fron mëshire” më vete. Dhe zëri i tyre është gjithmonë i ndërthurur me frymëmarrjet e engjëjve!

Nëse në këtë botë të përkohshme e të vdekshme ku çdo gjë e re vjetërohet e rrënohet dhe ku çdo gjë e freskët fishket e zverdhet, në ka një gjë që mundet të mbetet në çdo kohë plot ngjyra dhe krejt e freskët, ai është Kurani! Po, qysh nga dita e parë kur zbriti, Kurani është i vetmi libër i cili, pavarësisht nga gjithë ato erëra të kundërta, pavarësisht nga ato të ftohta të papritura, pavarësisht nga bora e rënë pa kohë e nga akulli, pavarësisht nga atmosfera e ashpërsuar vende-vende dhe pavarësisht nga kushtet në ndryshim, ka mundur ta ruajë gjithmonë origjinalin e të mbetet i vetmi libër qiellor.

Prandaj ndodh që, sa herë që Kurani të lartësohet nga gjokset që shkumëzojnë entuziazëm me gjuhën e tij, të na zgjojë në shpirtra ndjenjën sikur nga qielli sapo na ka zbritur një sofër hyjnore dhe nga xheneti na ka ardhur një tufë hurmash të freskëta. Prandaj ndodh që, sa herë që Kurani shpërndan përreth margaritarët e thelbit të tij, i lartëson zemrat besimtare në horizontin e indiferencës ndaj të gjitha pasurive materiale të kësaj bote.

Kurani është një gjerdan shprehjesh i thurur prej fjalësh hyjnore.Të gjitha shprehjet në formë fjalësh në vatrat ku dëgjohet zëri i Kuranit, shndërrohen në gjëmime; nga bedenat e kalave ku valëvitet flamuri i tij, reshojnë drita mbi shpirtrat e besimtarëve dhe gurë mbi kokat e shejtanëve dhe atje qeniet shpirtërore bëjnë festa njëra pas tjetrës.

© URTËSI.AL

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: