Kurani, e vërteta absolute
Nuk ka vend, kohë dhe kushte të caktuara për të menduar. Çdokush mund të mendojë duke ngarë makinën, duke punuar në kompjuter, duke pritur zhvillimin e një mbledhjeje, duke parë televizorin, apo duke ngrënë… Ju ndeshni në rrugë qindra e qindra njerëz, që duke i parë me kujdes do të shikoni se të gjithë janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, megjithëse kanë të njëjtat organe bazë, si: sytë, vetullat, duart, krahët, gojën, hundën, etj.
Po të mendojmë pak më shumë do të arrijmë në përfundimin se gjatë mijëra e mijëra vjetëve, Allahu ka krijuar miliarda njerëz, të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri… Dhe kjo është vetëm një pjesë e veprës së Krijuesit të Gjithëfuqishëm.
Kur e pyetën asketin e mirënjohur Ibn Arabiun për fshehtësinë e përkryerjes së Kuranit, ai iu përgjigj vetëm me këto pak fjalë: “E vërteta absolute”, sepse e shumta që mund të arrijë një shkrimtar, sado i dëgjuar qoftë, është e vërteta relative dhe e vërteta e tij subjektive, e cila del nga hapësira e kufizuar e vrojtimit të tij.
Secili prej nesh është në gjendje të përfshijë vetëm një pjesë të së vërtetës, sepse ai i shikon nga një kënd i caktuar dhe i shpëtojnë ato që mund të shihen në këndet e tjera. Vetëm Allahu i Gjithëfuqishëm dhe Gjithëdijshëm, është Ai që përfshin të vërtetën absolute. Prandaj Kurani që e ka burimin prej Allahut, jep të vërtetën absolute të gjithçkaje.