Leximi i Kuranit gjatë muajit të Ramazanit
Para nesh po vjen një muaj i madh në të cilin ndodhin ndryshime të jashtzakonshme. Ky muaj është Ramazani, muaj në të cilin besimtarët agjërojnë ditën dhe falen natën. Atmosfera e çdo gjëje fillon të ndryshojë. Te të gjithë lind një dëshirë e madhe për të bërë mirë dhe për të ndryshuar. Gara do të fillojë shumë shpejt, dyert e Parajsës hapen gjerësisht dhe dyert e Ferrit mbyllen tërësisht. Ky muaj ka aq shumë begati saqë askush s’mund të mbetet pas.
Padyshim një nga veçoritë e këtij muaji është edhe zbritja e Kuranit Famëlartë në të. Fjala e Zotit të gjithësisë iu shpall Muhamedit (a.s) në këtë muaj dhe kështu ndërroi e gjithë rrjedha e historisë botërore. Arabët mendonin se kishin arritur majat në elokuencë dhe oratori, por Kurani e sfidoi këtë aftësi të tyren dhe mahniti çdokënd që kishte shije të hollë gjuhësore. Poetin e madh Velid ibn Mugiren gati sa nuk e çmendi madhështia e kësaj fjala. Ai fort thellë brenda vetes e dinte që kjo s’ishte fjalë njerëzore, por diçka përtej kapacitetit dhe aftësisë njerëzore.
Allahu thotë se Ai e zbriti Librin e Tij brenda këtij muaji. Kjo do të thotë që ne duhet t’i kthehemi këtij Libri në muajin e Ramazanit më shumë se kurdoherë tjetër. Profeti (a.s) e lexonte së bashku me Xhebrailin të gjithë pjesën e shpallur të Kuranit. Kjo praktikë e tyre vijoi për vite të tëra. Jo vetëm kaq, por i Dërguari i Zotit lexonte shumë Kuran edhe në namazin e tij të natës gjatë Ramazanit. Hudhejfe transmeton se ai u fal pas tij dhe Profeti (a.s) ra në ruku pasi kishte lexuar me radhë 3 suret e para të Kuranit, që do të thotë më tepër se 100 faqe.
Kjo praktikë e Profetit (a.s) u ndoq edhe nga sahabët. Shumica prej tyre e lexonin të gjithë Kuranin një herë në javë jashtë Ramazanit, e ndërkohë brenda muajit tē begatë e shtonin edhe më shumë leximin e tij. Omeri (r.a) caktoi Ubej ibn Kabin (r.a) si imam të myslimanëve për namazin e teravive, i cili do të lexonte për ta pothuajse të gjithë natën. Shumë njerëz të tjerë të mëdhenj e ndoqën këtë traditë të bukur. Prej tyre ishte edhe Imam Shafiu, i cili do ta lexonte Kuranin më tepër se 60 herë në muajin e Ramazanit.
Imam Maliku e ndërpriste mësimin e tij të Hadithit në xhaminë e Profetit (a.s) gjatë këtij muaji dhe i përkushtohej tërësisht Librit të Allahut. Kurani është dhurata e Zotit të gjithësisë për ne. Brenda tij gjendet udhëzimi ynë, rruga e drejtë dhe sqarimi i të vërtetave të mëdha të ekzistencës. Osmani (r.a) tha që nuk dinte rrugë më të shpejtë që të çonte te Zoti sesa nëpërmjet Fjalës së Tij. Umeti i Kuranit duhet t’i kthehet edhe një herë këtij Libri, duke e lexuar, studiuar dhe reflektuar mbi urtësitë e tij të pafundme.