Surja Kadr-97
بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١﴾ وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ ﴿٢﴾ لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ ﴿٣﴾ تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ ﴿٤﴾سَلَامٌ هِيَ حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ ﴿٥﴾
Shqipërimi
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
- Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.
- E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?
- Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!
- Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.
- Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.
Surja Kadr quhet ndryshe edhe surja Inne Enzelnehu. Emërtimin e ka marrë nga fjala kadr në ajetin e parë që ka kuptimin “Nata e kadrit“. Surja Kadr është surja e 97-të e zbritur në Meke pas sures Abese. Ka pesë ajete. Allahu (xh.sh) na njofton se e ka zbritur Kuranin Famëlartë në këtë natë. Duke shtruar pyetjen “E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?” thekson rëndësinë e kësaj nate. Pastaj e tregon rëndësinë e kësaj e natë në tre pika: Tregon se kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj, tregon që me lejen e Zotit atë natë zbresin engjëj dhe shpirti për secilën çështje dhe se ajo natë është paqe deri në agimin e mëngjesit.
Interpretimi (Tefsir)
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١﴾
- Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.
Ne e zbritëm këtë Kuran të mrekullueshëm në një natë me vlera dhe madhështi të lartë. Dijetarët e tefsirit (interpretimit të Kuranit) thonë se kuptimi i zbritjes së Kuranit natën e Kadrit, është zbritja e Kuranit nga Leuhi Mahfudh (pllaka e ruajtur mirë tek i Madhi Zot) në qiellin e botës “Bejtu’l-Izze”. Më pas atë e zbriti Xhibrili (a.s) për 23 vjet. Ibn Abbas (r.a) thotë: “Allahu i Lartë e zbriti Kuranin njëherësh nga Leuhi Mahfudh në qiellin e botës ‘Bejtu’l-Izze’. Më pas sipas kohës dhe situatës ia zbriti Profetit Muhamed (s.a.s) për 23 vjet.”[1]
Zbritja e Kuranit natën e Kadrit, mbart edhe kuptimin e fillimit shpalljes (uahjit) në atë natë. Sepse, shpallja e parë ka ndodhur natën e Kadrit ose nata në të cilën filloi zbritja e Kuranit është nate e Kadrit. Shprehja إِنَّا أَنزَلْنَاهُ “Ne e zbritëm atë” dhe jo “Unë e zbrita atë” tregon madhështinë e Zbritësit dhe shton vlerat e Atij që i ka zbritur.
Sipas disa dijetarëve: Shprehja që thotë Allahu (xh.sh) në disa ajete të Kuranit Famëlartë “Ne” është më tepër për gjëra që tregojnë madhështi. Në vende të tilla, Allahu (xh.sh) kur flet për madhështinë e Tij krijuese të përgjithshme përdor këtë përemër. Ndërsa në rastet kur flet për krijimin e Tij të veçantë flet në vetën e parë “Unë”. Pra, Kurani Famëlartë si çështje që ka të bëjë me të gjitha krijesat, dhe duke qenë se i ka zbritur Profetit Muhamed (s.a.s) që ka të bëjë me të gjitha krijesat dhe vendet, dhe po ashtu duke qenë se kjo çështje i përket të gjitha krijesa dhe vendeve, Allahu (xh.sh) aty flet në emër të madhështisë së Tij krijuese të përgjithshme. Për rrjedhojë, thotë “Ne e zbritëm atë”.
Duke mos e shprehur hapur emrin e asaj që është zbritur, por duke u mjaftuar me përemrin هُ “Hu, atë”
është një tregues tjetër i madhështisë së Kuranit, aq sa ai është i ngulitur thellë në memorien e çdokujt pa pasur nevojë për sqarim.
Disa dijetarë kanë thënë se nata e Kadrit është nata e shpërblimit.
Ndërsa disa të tjerë thonë se ka kuptimin e vlerës së lartë dhe nderimit, duke marrë kështu emrin nata e vlerave të mëdha.
Sipas disa dijetarëve të tjerë ka kuptimin ngushtim ose ngjeshje, sepse engjëjve të shumtë që zbresin atë natë u vjen ngushtë kjo botë. Mbi të gjitha edhe shpallja Kuranit Fisnik ka filluar me një presion të madh nga engjëlli.
وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ ﴿٢﴾
- E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?
Ose, kush të informoi Ty se ç’është nata e Kadrit? Ose, a e di se ç’është nata e Kadrit?; pra, ajo, nata e Kadrit është një natë aq e vlefshme sa s’është e mundur që Ti ta mësoje vetë vlerën dhe rëndësinë e kësaj nate. Ashtu siç jemi Ne që ta zbritëm këtë Libër, po ashtu jemi Ne që ta mësuam vlerën dhe madhështinë e kësaj nate. Shprehja e ajetit në formë pyetëse, tregon vlerën dhe rëndësinë e kësaj nate të madhe.
لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ ﴿٣﴾
- Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!
Adhurimet, veprat dhe punët e mira të kryera në këtë natë, dhe përpjekja për të fituar kënaqësinë e Allahut e treguar në këtë natë, kanë më shumë sevape dhe shpërblim se sa veprat dhe punët e mira të kryera në një mijë muaj që s’janë natë Kadri.
Shkaku i Zbritjes
Tregohen dy ngjarje rreth shkakut të zbritjes së kësaj sureje.
- Profeti Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) u tregoi shokëve të Tij se, një ushtar nga Beni Israilët (pasardhësit e Jakubit a.s) kishte luftuar në rrugën e Zotit për një mijë muaj. Myslimanët u habitën shumë më këtë ngjarje dhe punët e tyre iu dukën shumë të pakta. Pas kësaj Allahu (xh.sh) zbriti suren Kadr.[2]
- Profetit Muhamed (s.a.s) i ishte treguar se popujt më parë kishin jetuar më gjatë se umeti (populli) i Tij. Për këtë arsye, Profeti (s.a.s) u shqetësua se populli i Tij me jetë më të shkurtër nuk mund t’i arrinte sevapet dhe shpërblimet që kishin arritur më parë popujt e tjerë me jetë më të gjatë. Allahu (xh.sh) i dhuroi Atij (s.a.s) natën e Kadrit, që është e vlefshme sa një mijë muaj të popujve të mëparshëm.[3]
Ky ajet, duke treguar mirësitë e panumërta që gjenden në këtë natë, është një sihariq për Profetin Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) dhe për umetin (popullin) e Tij.
Rëndësia e natës së Kadrit në Islam vjen nga fakti se, libri që e nxori njëzimin nga errësira e injorancës në dritën e udhëzimit filloi të zbresë atë natë. Një mijë muaj janë të barasvlefshëm me afërsisht 84 vjet. Pra, adhurimi në këtë natë, është i barasvlefshëm me sevapet dhe shpërblimin e 84 viteve.
تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ ﴿٤﴾
- Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.
Ka kuptimin që engjëjt zbresin së bashku me shpirtin (ruh). Sipas mendimit të shumicës së interpretuesve të Kuranit me shpirt (ruh) nënkuptohet Xhibrili (a.s). Disa të tjerë kanë thënë se shpirti (ruh) është një engjëll aq i madh saqë mund t’i përpijë qiejt dhe tokën si një kafshatë të vetme.
بِإِذْنِ رَبِّهِم “Me lejen e Zotit të tyre”, normalisht dihet se ata zbresin me urdhrin e Allahut (xh.sh), por theksimi këtu “Me lejen e Zotit të tyre” tregon rëndësinë dhe vlerën e kësaj pune.
مِّن كُلِّ أَمْرٍ ” për secilën çështje”, pra për çdo gjë që është shkruar të ndodhë atë natë. Përkundrejt mundësi që në çdo punë ka të mira dhe të këqija, për të larguar dyshimin nga e keqja në këtë natë është shprehur:
سَلَامٌ هِيَ حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ ﴿٥﴾
- Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.
Selam, pra paqe. Ose, paqe e dërguar nga Allahu (xh.sh). Engjëjt vazhdimisht i përshëndesin besimtarët me selam (paqe). Sepse, engjëjt që prej fillimit të natës e deri në agimin e mëngjesit zbresin grupe-grupe. Çdo grup kur zbret përshëndet me selam (paqe) dhe në atë natë vazhdimisht jepet selam me zbritjen e grupeve. Fjala “selam” në ajet mund të ketë edhe kuptimin shpëtim. Pra, atë natë nuk zbret asgjë e dëmshme, por vetëm gjëra të dobishme për robërit e Allahut (xh.sh). Ajo është nata e qetësisë. Atë natë, engjëjt nuk zbresin me dënim apo ndëshkim, sepse ajo natë është natë e sigurt nga vuajtjet dhe dënimet.
حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ “deri në agim të mëngjesit”, deri në zbardhje të ditës.
Duke menduar se, në këtë natë ka filluar zbritja e Kuranit, që i ka nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga ç’udhëzmi në udhëzim, dhe revolucioni më i madh botëror që bëri të mundur kalimin nga armiqësia në vëllazëri, këshillohet që kjo natë të kalohet duke lexuar Kuran me qetësi dhe përkushtim, duke falur namaze nafile (suplementare) dhe kaza (të pafalura më parë) dhe duke bërë dua. Profeti Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ai që këtë natë, duke besuar me bindje të plotë dhe për kënaqësinë e Zotit, ngrihet (dhe fal namaz dhe merret me adhurim), do t’i falen gjynahet e kaluara.”[4] Këtë natë, e cila ka fituar kaq shumë vlerë me zbritjen e Kuranit, ta kalosh me adhurime të tjera dhe të jetosh i painformuar nga Kurani, do të thotë moskuptim vlerës së kësaj nate.
Ajo që e bën këtë natë më të dobishme se një mijë muaj, është zbritja e Kuranit në këtë natë. Atëherë ajo që duhet të bëjë besimtari është: Si fillim duhet të mësojë leximin e Kuranit, pastaj duhet të mësojë kuptimin dhe interpretimin e tij, dhe më e rëndësishmja duhet t’i jetojë në jetën e tij mësimet që na jep Kurani. Pastaj duhet t’ia tregojë edhe të tjerëve këto të vërteta që të bëhet pretekst edhe për udhëzimin e tyre. Në të kundërt, të merresh me adhurim vetëm natën e Kadrit dhe pjesën tjetër të vitit ta kalosh i painformuar nga Kurani Famëlartë nuk është e drejtë.
Transmetohet nga Aishja (r.a) të ketë pyetur Profetin Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem): “O i Dërguari i Allahut! Nëse e kuptoj që është nata e Kadrit çfarë duhet të them? Ai më tha:
اَللّٰهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ كَر۪يمٌ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنّ۪ي
Allahumme inneke afu’un kerimun, tuhibbul afue, feafu anni!
O Allah! Ti je Falës, Bujar, e do faljen, pra më fal mua!”[5]
Përcaktimi kohor i kësaj nate ka qenë temë diskutimesh dhe ka rreth 40 mendime të ndryshme. Nata e Kadrit është e fshehur gjatë gjithë vitit. Por, mundësia më e madhe e gjetjes së kësaj nate është muaji i Ramazanit, në dhjetë ditët e fundit të tij, në netët teke. Mundësia për të qenë nata e 27-të ose nata e fundit është më e madhe. Kjo natë e madhe dhe me vlera përsëritet çdo vit.
Shumica e dijetarëve mysliman e kanë pranuar natën e 27-të të Ramazanit si natë Kadri. Ndoshta, që njerëzit të përfitojnë më shumë nga kjo natë, që ta kërkojnë këtë natë me adhurim dhe lutje, dhe që ta vlerësojnë këtë natë sa më mirë, Profeti (sal’la llahu alejhi ue selem) nuk na ka informuar saktësisht se cila është kjo natë e madhe.
[1] Kurtubi, XX, 130; Ibn Kethir, Tefsir, IV, 529.
[2] Bejhaki, es-Sunenu’l-Kubrra, IV, 306.
[3] Muuata, Itikaf 15.
[4] Buhari, Lejletu’l-Kadr 1.
[5] Tirmidhi, Dauet 84; Ibn Maxhe, Dua 5; Musned, I, 419, 438, VI, 171, 182, 183, 258.