Kurani dhe shkenca
Kur’ani është drita dhe themeli i botës shpirtërore dhe intelektuale të Islamit; është treguesi i rrugës drejt lumturisë. Ai është çelësi i të vërtetave për zemrat dhe shpirtrat; mendjet dhe shkencat; materies dhe përtej saj; Kurani është Fjala e mrekullueshme e Allahut, që iu shpall Profetit Muhamed.
Pavarësisht nga tentativat që s’reshtën kurrë për ta tjetërsuar atë, me gjithë intrigat dhe sulmet për ta bllokuar atë, Kurani, ka depërtuar përtej çdo kohe dhe hapësire, dhe ende ruan me dinjitet origjinalitetin duke mbetet i vetmi libër qiellor.
Kurani shërben si burim për mijëra të vërteta shkencore që janë zbuluar e vazhdojnë të zbulohen. Në këtë drejtim janë kryer qindra studime dhe janë konstatuar mijëra lajme mbi shkencën.
Shumë tema shkencore e teknike si rrumbullakësia dhe rrotullimi i tokës, forma e shtypur e poleve, atomet dhe gjurmët e gishtave, krijimi i njeriut dhe fazat që kalon njeriu në barkun e nënës, formimi i shiut, i reve, zgjerimi i universit, transmetimi i zërit dhe pamjeve etj., të cilat preken ose për të cilat aludohet shumë shkurt në Kur’an, kanë zënë vend mjaftueshëm, pa e cenuar mrekullinë e Kuranit.
Allahu i Lartë e ka krijuar gjithësinë brenda një rregullsie dhe harmonie të caktuar, dhe këtë e deklaron në Kuran.
Kurani, gjithësia dhe njeriu janë nga një libër më vete ku shfaqen në trajta të ndryshme emrat dhe atributet e Allahut.
Shkencat, janë identitet i raporteve të nxjerra nga veprimtaria ekzekutive e Allahut në gjithësi, nga marrëdhënia mes ligjeve hyjnore me materien dhe dukuritë.
Feja me shkencën e vërtetë janë si dy fytyrat e të njëjtës të vërtetë. Feja e shëtit njeriun në rrugë të vërteta dhe i jep mundësi të arrijë në përfundime që do ta bënin të lumtur. Kurse shkenca me qëllim dhe synim të qartë, si një pishtar në këto rrugë, ia ndriçon atij atë çka para.
Shumë të vërteta të parashtruara sot nga shkencat moderne, Profetët i kanë parashtruar shumë më parë qoftë edhe në formën e hipotezave të përgjithshme.
Përmes profetëve Zoti u ka dhuruar njerëzve mrekullitë e qytetërimit. Si anija, një mrekulli e Profetit Nuh (a.s.) dhe ora, një mrekulli e Profetit Jusuf (a.s.).
Për shembull, siç përshkruhet në suren Bekare, në kohën e Profetit Musa (a.s.), një njeri i vdekur është ngjallur përkohësisht.[1]Kjo do të thotë se shkenca e mjekësisë do të zhvillohet gjer në një pikë të tillë që të jetë në gjendje t’i japë vdekjes ngjyrën e një jete të përkohshme.
Edhe Profeti ynë Muhamed (s.a.s.), në shumë hadithe të tij, ka shënuar pikat ku mund të arrijnë shkencat.
I Dërguari i Allahut ka bërë të ditur se ka për t’u jetuar një epokë përshpejtimi. Duke bërë të ditur se intervali kohor mes projektimit dhe aksionit do të ngushtohet shumë, se largësitë do të tkurren dhe se synimi do të arrihet me shpejtësi, ai ka treguar se në shkencat do të kryhet një zhvillim tejet i shpejtë. Veçanërisht në fushën e ndërlidhjes dhe komunikacionit, shekuj më parë është njoftuar se do të ndodhin zhvillime marramendëse.
Le të japim një shembull tjetër. Profeti (s.a.s.) ka paralajmëruar se do të ndodhë që një grup njerëzish të hanë e të ngopen me një kokërr shegë.[3] Kjo do të thotë se në bujqësi do të bëhen përmirësime varietore, si rezultat i të cilave, do të krijohen, për shembull, shegë aq të mëdha që mund t’i mbarojnë së ngrëni njëzet vetë, se lëkura e një shege do të mund t’i bëjë hije një njeriu! Siç shihet, në këtë hadith Profetik është shënuar se sa do të zhvillohet teknologjia e gjeneve, mbi të cilën sot sapo është nisur të punohet.
Me anë të mrekullive të Profetëve, Kurani ka shënuar kufijtë e fundit ku mund të arrijnë shkencat.
Veç shembujve të dhënë, në Kuran, edhe në shumë hadithe është aluduar mbi degë shkencore të ndryshme dhe kufijtë ku do të mund të arrijnë ato, që ne sot nuk mundemi t’i dimë apo t’i shohim, por që në të ardhmen do të duken patjetër.
Shkenca shqyrton dhe studion mënyrën e krijimit dhe ekzistencës së botës materiale, jetës dhe, veçanërisht njeriut. I gjen dhe i nxjerr ligjet hyjnore që veprojnë në këtë gjithësi. Në sajë të këtyre ligjeve, përgatit mundësi që njerëzimi të përparojë edhe më tej në teknikë dhe qytetërim.
Kurse feja parashtron se pse janë krijuar gjithësia dhe bota materiale dhe kush është krijuesi i tyre. Veçanërisht, përcakton pozitën speciale të njeriut mes qenieve, qëllimin final të krijimit të tij dhe natyrën e detyrës së tij në këtë botë.
Në këto kushte, shkenca dhe feja janë dy çelësa që hapin kutitë e fshehtësive të botës ekzistente. Për shembull, gjeometria është një shkencë. E vërteta dhe pika fundore e saj, mbështetet duke arritur emrat e Zotit, Adl (i drejtë, i saktë) dhe Mukaddir (vlerësues, përcaktues). Mjekësia është një shkencë dhe një art. Edhe fundi dhe e vërteta e saj mbështetet në emrin Shafi (shërues) të Allahut.
Ndërsa shkenca parashtron formën e krijimit të qenieve, natyrën dhe përbërjen materiale të tyre, feja shpjegon shkakun dhe qëllimin final të krijimit të tyre.
Nga ky këndvështrim, në këtë mes nuk ka ndonjë situatë kontradiktore në të cilën shkenca dhe feja të konfrontohen, përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën.
Ata që kanë pandehur se, me zhvillimin e shkencës, pikëpamjet fetare do të falimentojnë, në këtë pikë janë vetëmashtruar. Çdo hap i hedhur para nga shkenca, çdo zbulim i ri e ka afruar edhe më shumë njerëzimin që mendon dhe arsyeton, ndaj vlerave fetare dhe e ka treguar edhe më nga afër madhështinë e Allahut, Zotit të gjithësisë.
Kështu, Kurani ua shpjegon njerëzve gjithësinë, u bën dritë materies dhe dukurive në gjithësi.
© URTESI.AL