Kujdes, mos e dëmto mjedisin përreth teje
Islami mëson njeriun që ai duhet ta pranojë dhe mbrojë çdo gjë në botë, si një vlerë. Urtësia islame rreth mbrojtjes së mjedisit është respekti për bimësinë e kafshët, si dhe ekuilibri ekologjik i natyrës, për hir të Allahut, i Cili i krijoi të gjitha gjërat me qëllim.
Kjo botë i është lënë në besim njeriut, nga Allahu. Ajo është streha jonë, vendi ku ne jetojmë, ku ushqehemi, pushojmë dhe adhurojmë. Ne jemi të lirë të përfitojmë prej saj, por jo ta dëmtojmë. Përkundrazi, duhet të përpiqemi që me veprat e punët tona, ta zbukurojmë më tej atë.
Kjo nuk duhet parë vetëm në aspektin e përgjithshëm, por edhe në mikromjedisin ku ne jetojmë e punojmë çdo ditë. Por, nëse asnjëri nuk ndien detyrim e përgjegjësi për këtë, nëse rrugët, lulishtet, parqet, oborret pranë pallateve të banimit dhe shkollave, kthehen si “kosh” plehrash, ku mund të hedhim çfarëdo, atëherë jemi larg të kuptuarit drejt të detyrës fisnike, që na është dhënë mbi supe.
Nëse arrijmë të tregojmë kujdes për të mos i hedhur mbeturinat kudo, nëse kujdesemi që asgjë rreth e rrotull nesh të mos dëmtohet, atëherë ne mund të kërkojmë edhe prej të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë. Pa rregulluar më parë sjelljen tonë, nuk mund të përpiqemi të rregullojmë sjelljen e të tjerëve. Nëse arrijmë që për këtë çështje të ndërgjegjësojmë edhe të tjerët, atëherë e kemi treguar veten si “kujdestarë” të kësaj bote.