Si t’i qasemi leximit të Kuranit?

Kurani flet për disa ndodhi historike, por ai nuk është një libër historie, flet për trupat qiellorë, duke mos qenë një libër astronomie, flet për shiun, vetëtimën, retë, mirëpo nuk është një manual metereologjik. Ai flet për detin, guackat dhe margaritarët që gjenden në të, e përsëri nuk është një libër për oqeanografinë.

Kurani flet gjerësisht mbi parimet dhe vlerat e moralit, por megjithatë nuk është një libër i filozofisë së moralit. Për çdo gjë që përmend, Kurani ka arsye të thella, të cilat i shpjegon menjëherë në fund të ajetit, kurse herë të tjera në fund të tërësisë të temës së trajtuar.

Duke qenë se Kurani është Fjalë e Allahut, i tëri është pastërti dhe prandaj kërkon pastërtinë e mendimit e të veprimit, motiveve dhe qëllimeve (nga ata që dëshirojnë të depërtojnë në domethënien e tij të thellë). Sa më e madhe të jetë pastërtia e atij që studion Kuranin, aq më i thellë dhe më i qartë do të jetë kuptimi i domethënies së fjalëve të tij.

Pastërtia e mendimit, veprimit dhe motiveve, nuk janë parakushte për të kuptuar e vlerësuar ndonjë vepër tjetër në fushën e diturive apo të artit. Mirëpo ato janë parakusht krejtësisht i dobishëm për studimin e Kuranit, sepse vetëm kështu mund të hapen dyert, të cilat ruajnë domethënien dhe rëndësinë e përmbajtjes së tij.

Postime të ngashme