Rëndësia që Profeti (a.s) i jepte pastërtisë

Profeti (a.s) i kushtonte shumë rëndësisë pastërtisë. Ai vazhdimisht i lante duart para dhe pas ushqimit. Kur zgjohej nga gjumi, nuk hante dhe nuk pinte asgjë, pa larë më parë duart.

Puna e parë që bënte kur ngrihej për të falur namazin e natës dhe të sabahut ishte larja e dhëmbëve me misvak, madje edhe në momentin e fundit të jetës u kishte kërkuar një misvak shokëve që e rrethonin, me qëllim që të pastronte dhëmbët.

Ai (a.s) i kushtonte shumë kujdes pastërtisë së zemrës dhe po aq i kujdesshëm tregohej edhe ndaj pastërtisë së trupit dhe rrobave. Kishte raste kur vishte edhe rroba të vjetra, por asnjëherë nuk dilte me rroba të grisura apo të ndotura. Sidomos kur priste ndonjë mik, i kushtonte edhe më tepër kujdes rrobave që vishte.

Ai (a.s) i mbulonte enët apo ushqimet, që t’i ruante nga ndotja e ambientit. Urdhëronte mbajtjen pastër të rrugëve apo vendeve të ndryshme, ku njerëzit uleshin për të pushuar, si vendet përreth pemëve, etj.

Profeti (a.s) dëshironte që brenda mundësive çdo mysliman të vishej mirë dhe t’i kushtonte rëndësi pamjes së tij. Shpesh ai i tërhiqte vërejtjen në mënyrë të kujdesshme çdo personi të papastër, duke i thënë: “Përse nuk i pastron rrobat?” Një herë kishte parë një mysliman me flokë të pakrehura dhe e kishte pyetur, se përse nuk i lante dhe nuk i krihte flokët?

Postime të ngashme

%d bloggers like this: