Kohët e Namazeve
Caktimi i namazit në pesë kohë
Fakti që namazi përbëhet nga pesë kohë në ditë, mund të kuptohet edhe nga ajetet e Kuranit, edhe nga suneti i Profetit. Në fillim ne do të përmendim shenjat nga ajetet e Kuranit mbi përbërjen e namazit prej pesë kohësh, pastaj zbatimin e kësaj do ta shohim në hadithet profetike.
Pesë kohë namaz në Kuran
Si domosdoshmëri e qenies njerëz, ne i harrojmë menjëherë gjërat që kemi merituar dhe s’i kujtojmë më. Zoti që na njeh më mirë se ç’e njohim ne veten tonë, meqë e di shumë mirë këtë indiferentizmin tonë, e ka ndarë njëzetekatërorëshin ditë-natë në fragmente kohore dhe ka dashur që, gjatë këtyre fragmenteve kohore të dalim para Tij me duart lidhur në një atmosferë llogaridhënieje dhe t’i kujtojmë të mirat dhe dhuntitë që kemi në dispozicion. Kjo sepse për sa kohë që robi ndodhet pranë mjedisit hyjnor, habia dhe mahnitja e tij vazhdojnë, kurse, për sa kohë mbetet larg atij mjedisi, ndjenjat shtazore s’e lënë të qetë. Ja, pra, me qëllim që ne ta thyejmë këtë indiferentizëm, thotë se “Namazi u është bërë farz besimtarëve në kohë të caktuara” (Nisa, 4/103) dhe na fton të falim namaz në kohë të caktuara. Kurse në një ajet tjetër, Zoti thotë: “Dhe, kur të vijë mbrëmja dhe kur të arrini në mëngjes, në fund të ditës dhe në mes të ditës, bëjeni Allahun tesbih (falni namaz) se në qiej e në tokë falënderimi i përket vetëm Atij!” (Rum, 30/17-18) Me këtë ajet, Zoti bën të ditur se namazi është pesë herë në ditë. Nafi ibn Ezrak është njëri prej atyre që e kanë dëgjuar mendësinë komentuese të Kuranit nga ibn Abasi. Ai thotë: “Kur e pyeta ibn Abasin se a flitet në Kuran për pesë kohët namaz, ma lexoi këtë ajet dhe më shpjegoi se fjala tesbih që përdoret në ajet tregon namazin e pesë kohëve.”69 Po, ajeti tregon në mënyrë të hapur se namazi njëzetekatërorësh është në pesë kohë dhe duhet falur pesë herë në kohët përkatëse. Jo vetëm ibn Abasi, por edhe shumë sahabe të tjerë, të njëjtin kuptim kanë nxjerrë nga ky ajet. Kjo do të thotë se namazi duhet të jetë pesë herë në ditë… dhe robi duhet të dalë pesë herë para Allahut në mënyrë që të përparojë në përkryerje. Ai duhet të japë llogari për jetën e tij pesë herë në ditë që, duke e eliminuar indiferentizmin, ta ringrejë lidhjen me Zotin e vet. Njeriu duhet ta dijë se si të qëndrojë para Allahut në mënyrë që tek ai të mbisundojnë cilësitë e larta shpirtërore, t’i hedhë nga shpina veçoritë shtazore e të mos bartë një barrë të kotë.