Namazet nafile plotësojnë namazet farz
Në të vërtetë, namazet nafile janë legjitimuar si “xhebren li’n nuksan”. Kuptimi i kësaj është kështu: namazet nafile falen për të plotësuar ndonjë mangësi të krijuar në namazet farz. Në vetvete, xhebr do të thotë mbështjellëse mbi plagë. Prandaj, falja nga ne, bashkë me namazet e pesë kohëve, e suneteve revatib të caktuara për to, do të na i mjekonte plagët e ndryshme që na shfaqen në jetën tonë morale e shpirtërore, do të na shërbente si dëmshpërblim për mëkatet dhe në kiamet, duke u numëruar në vend të namazeve farz të mangëta, do të na bëhej pretekst që të hyjmë në xhenet. Një hadith të të Dërguarit të Allahut paqja qoftë
mbi Të që e shpreh këtë të vërtetë, e përcjell Hurejth bin Kabitha (r.a.): “Erdha në Medinë dhe u luta: “Allahu im, më jep një shok të mirë!” Ndërkaq, u ula pranë Ebu Hurejres (r.a.). Atij i thashë: “Iu luta Allahut të më japë një shok të mirë. Më thuaj një hadith që e ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut. Mund të ndodhë që Allahu i Lartë ma bën të mundur të përfitoj prej tij!” Atëherë, Ebu Hurejre më tha: “Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë kështu: “Në ditën e kiametit, personi do të japë në fillim, ndër punët e tij, llogarinë e namazit. Po të dalë mirë me këtë llogari, do të thotë se ka shpëtuar. Por po qe se kjo llogari i del keq, do të thotë se ka rënë në disfatë. Po qe se i dalin mungesa në farzet, Zoti i lartë do të pyesë: “Pa shihni, a ka nafile (të shkruara në librin e punëve) robi im?” Kështu, mungesat e farzit i plotësohen me nafile. Pastaj, në këtë mënyrë, i kërkohet llogari edhe për punët e tjera!”
Namazet nafile bëhen pretekst për afërsinë hyjnore
Një tjetër kuptim i namazeve nafile është se ato bëhen pretekst për afërsinë hyjnore (afrimin ndaj Allahut). Fitimi i afërsisë ndaj Zotit do të thotë hyrje në rrethin e dashurisë së Tij. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e shpreh kështu këtë të vërtetë në një hadith: “Allahu i Lartë urdhëron: “… robi im nuk e meriton afërsinë time me asgjë tjetër më shumë se ç’e fiton me gjërat që ia kam bërë të detyruara. Kurse me nafilet robi më afrohet aq shumë sa unë filloj ta dua dhe, atëherë, unë bëhem veshi i tij që i dëgjon, syri që i sheh, dora që i prek dhe këmba që i ecën (shkurt, dëgjimi, shikimi, prekja dhe ecja e tij fillojnë të veprojnë drejtpërdrejti në rrethin e dëshirës volitive hyjnore). Një rob i tillë, po të kërkojë ndonjë gjë prej meje, ia jap patjetër. Po të mbështetet te unë, e marr atë nën mbrojtjen dhe ruajtjen time!” Po, njeriu me namazet nafile i afrohet Allahut dhe meriton dashurinë e Tij. Kur Allahu e do një njeri, ua bën të dashur edhe të tjerëve.
Namazet nafile lartësojnë gradën
Gjithashtu, namazet nafile, duke qenë për njeriun kundërshpërblim për mëkatet, i përftojnë atij disa gradë. Prandaj, çdo nafile e kryer në kohën e vet, ka vlerën e vet të veçantë. Në një
hadith lidhur me namazin e duhasë, Profeti paqja qoftë mbi Të thotë: “Çdo ditë, çdo nyje të trupit tuaj i takon një sadaka. Çdo tesbih (subhanallah) është një sadaka. Çdo tahmid (elhamdulil’lah) është një sadaka. Çdo tehlil (la ilahe il’lallah) është një sadaka. Urdhërimi për të mirë (emri bil maruf) është një sadaka. Ndalimi i së keqes (nehji anil munker) është një sadaka. Namazi dy rekatesh që fal personi në kohën e paradites barazohet me këto!” Kjo do të thotë se në çdo frymëmarrje dhe frymënxjerrje, Allahu (xh.xh.) na e fal jetën dy herë. Atëherë, a nuk duhet ta falënderojmë Allahun që çdo herë na e kthen jetën prapë nga platforma e ekzekutimit? Ja, pra, namazi të cilin Allahu e ka formuluar dhe vënë në një trajtë të caktuar, dhe, veçanërisht, nafilet, na e fal mundësinë për ta bërë një falënderim të tillë ndaj Tij.