Namazi i Xhumasë

Si namaz, namazi i xhumasë nuk ka ndryshim nga namazet e tjerë; edhe në këtë ka kijam, kiraat, ruku, sexhde dhe ndenjje. Ne, ashtu siç e ndajmë njëzetekatërorëshin ditë-natë në pesë pjesë duke e ndriçuar dhe zbukuruar çdo pjesë me namaz, edhe javën e kufizojmë me xhumanë duke i dhënë një formë të caktuar, dritë dhe bukuri shpirtërore. Ne e rregullojmë orën javore sipas xhumasë dhe, kur vjen ai çast, drejtohemi me të gjithë zemrën dhe shpirtin kah Zoti ynë, sepse dita e xhuma është dita më e çmuar mes ditëve që ka krijuar Zoti. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të ka thënë kështu për xhumanë: “Dita e xhuma është më e shquara ndër ditët e (tjera të) javës. Ajo është dita më me rëndësi në lartësinë e Allahut. Te Allahu, ajo është më e rëndësishme se ditët e bajrameve të ramazanit dhe kurbanit. Kjo ditë ka pesë veti të shquara: Këtë ditë Allahu (xh. xh.) krijoi Ademin (a.s.). Këtë ditë Allahu e zbriti Ademin mbi tokë. Këtë ditë Allahu ia mori shpirtin Ademit. Këtë ditë është një orë e tillë që, po të mos i kërkojë robi Allahut ndonjë gjë që është haram, çfarëdo që t’i kërkojë, i jepet patjetër. Edhe kiameti këtë ditë do të shpërthejë. Të gjithë engjëjt e afërt (ndaj Allahut), qielli, toka, era, malet, detet kanë frikë nga ajo ditë!”

Namazi i xhumasë e ndan javën dhe i lartëson njerëzit në atë mënyrë që të mund t’i afrohen Allahut. Edhe njerëzit, me anë të vendit që zë xhumaja, mendojnë për rrugën e përfitimit nga mëshira e Zotit të tyre. E shprehur ndryshe, pasi falin namaz gjashtë ditë me radhë, ngjiten në një ditë të caktuar gjer në një pikë të caktuar për të marrë shpërblim dhe, atë ditë, prehri i atyre që ia kanë dhënë zemrën Zotit, mbushet plot e përplot me margaritarë. Prandaj themi se xhumaja është, në përfundim të një udhëtimi javor, shprehje e arritjes në një lartësi të caktuar për të marrë nga Zoti gjëra të caktuara. Këtë të vërtetë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të e shpreh me këtë hadith: “Pesë kohët e namazit, namazi i xhumasë nga namazi i tjetër i xhumasë, ramazani për ramazanin tjetër, janë falëse të gjynaheve. Po të mos ndodhë ndonjë mëkat i madh, mëkatet e tjera mes tyre i bëjnë që të falen.” Siç u pa, Profeti paqja qoftë mbi Të i ndan ditën, javën dhe vitin në pjesë dhe fragmente të caktuara dhe pohon se namazet e falura në ato fragmente u japin dritë dhe bukuri pjesëve dhe fragmenteve kohore të tjera që kalojnë pa namaz. Allahu i Lartë i fton besimtarët në namazin e xhumasë: “O ju që keni besuar! Ditën e xhuma, kur të thirreni në namaz, vraponi menjëherë për ta përmendur Allahun dhe lëreni shitblerjen. Po ta dinit, kjo është më e mbarë e më e dobishme për ju!” (Xhuma 62/10) Me fjalën “nida” (thirrje) që përdoret në ajet, aludohet për ezanin. Fundja, himni i myslimanëve është ezani muhamedan që hap flatrat drejt qiejve pesë herë në ditë. Kurse me fjalën “dhikr” (përmendje) aludohet për namazin që fillon me hutben. Në periudhën e Profetit paqja qoftë mbi Të, ky ezan këndohej ndërsa imami ndodhej në minber, pastaj këndohej ikameti për namaz dhe fillonte namazi. Kjo praktikë vazhdoi edhe në periudhat e Hz. Ebu Bekrit dhe Hz. Omerit (r.a.). Por, me shtimin e myslimanëve nga dita në ditë dhe me zgjerimin e qyteteve, zëri nuk dëgjohej dhe nuk arrinte dot më në të gjitha anët. Prandaj, me qëllim për të bërë një njoftim të gjerë e të plotë, Hz. Osmani filloi zbatimin e këndimit të ezanit të jashtëm si shtesë të ezanit të brendshëm që këndohej kur imami ndodhej në minber dhe kjo mënyrë veprimi fitoi miratimin e përgjithshëm. Ndërsa ezani i brendshëm i hutbes vazhdoi të zbatohej për respekt të sunetit si shenjë mbarësie. Në ajetin pasardhës urdhërohet: “Dhe, pasi ta falni namazin, shpërndahuni mbi tokë dhe kërkoni nga të mirat e Allahut. Dhe përmendeni shumë Allahun që të shpëtoni!” (Xhuma, 62/10) Në lidhje me çështjen se ç’janë të mirat dhe favoret e Allahut (të emërtuara në ajet me fjalën lutf), ibni Abasi thotë kështu: “Me këtë ajet, besimtarët nuk u urdhëruan për ndonjë gjë në lidhje me kërkesat materiale (të kësaj bote), por vetëm me gjëra të tilla, si vizita tek të sëmurët, vajtja në varrim dhe vizita te një vëlla i fesë për hir të Allahut.”92 Por ne, nëse do të donim të shpreheshim duke e trajtuar çështjen në kompleks, do të mund të thonim kështu: “Faleni namazin dhe le t’u kthjellohet zemra, pastaj, me ndjenjën e përgjegjësisë, shpërndahuni mbi tokë dhe përfitoni nga të mirat dhe favoret materiale e shpirtërore të Allahut dhe bëni një jetë të ndritshme, të mbarë e të begatshme që jeta t’ju hyjë në një rrjedhë të rregullt dhe, kështu, të shpëtoni!” Kurse në ajetin e fundit të sures thuhet: “Kur ata shohin ndonjë tregti apo dëfrim, menjëherë shpërndahen, shkojnë atje duke të lënë ty në këmbë. Thuaju: “Kush ndodhet pranë Allahut, është më i fituar se ai që ndodhet në tregti dhe dëfrim! Allahu është më i miri ndër dhënësit e të mirave!” (Xhuma, 62/11)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: