Kohë të rëndësishme për të kërkuar falje

 

Të kërkosh tri herë falje pas çdo namazi farz është sunet. (Muslim, mesaxhid, 135). Të kërkuarit e faljes pikërisht në një çast kur njeriu është afruar aq shumë me Krijuesin e tij, mund të shpjegohet me këto dy çështje: E para, është gjendja kur njeriu nuk ia jep dot veten namazit, por veç rend për ato punët e tij, dhe të gjitha sjelljet e këtilla, në një adhurim që konsiderohet si miraxh, janë nga një paturpësi ndaj Allahut (xh.xh.). E një sjellje e këtillë e papërgjegjshme, që ndërsa ka mundësinë që të ngrihet e të ndjejë të gjitha ato kuptimet që ka ndjerë i Dërguari i Allahut ndërsa ngjitej në miraxh, pengohet prej vetvetes, i duhet medoemos që të pendohet e të kërkojë falje pranë Allahut.

E dyta, ngase namazi është një pozicion nga ku të gjitha lutjet dhe përgjërimet e robit janë të mirëpritura prej Allahut, edhe lutjet e tjera që bëhen menjëherë pas tij kanë një vlerë dhe një pranueshmëri më të veçantë. Prandaj edhe është këshilluar prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që pas drejtimit kah Allahu dhe pastrimit prej mëkateve, të thuhet tri herë “Estagfirullah”. Kësisoj, pesë kohët e namazit kthehen në një terren dhe mundësi e rëndësishme për t’u penduar dhe për të kërkuar falje.

Siç shprehet edhe në Kuran, “Ata, që gjatë natës flenë pak, e në prag të agimit kryejnë pendesë dhe kërkojnë falje.” (Dharijat, 51/17-8), ja edhe një tjetër kohë, e cila është një kohë tejet e veçantë për të kryer pendesën. E, këtu, ndërsa nga njëra anë lavdërohen ata besimtarë, të cilët ngrihen në prag të agimit e kërkojnë falje, që ia derdhin Allahut gjithë ç’kanë në shpirt, e duke e vendosur kokën në sexhde, nuk duan që ta ngrenë më, ky lavdërim u thuhet engjëjve, gjithë besimtarëve dhe banorëve të tjerë të qiellit. Nga ana tjetër, me këto fjalë u tregohet edhe një synim besimtarëve. Sepse, në Kuranin Famëlartë dhe në Sunetin e Drejtë, ndërsa disa tipare të besimtarit jepen sikur të ishte duke u dhënë raporti i një ngjarjeje, në anën tjetër ato lavdërohen, e në fund, edhe u tregohen besimtarëve mbarë si një synim që duhet arritur. Kështu që, një njeri i zhytur në mëkate e ka të pamundur të shpëtojë prej tij. Madje edhe një njeri që është i mbushur deri në grykë me mëkatet e tij, nëse nuk e përdor vullnetin siç duhet, duke përqafuar edhe vendosmërinë, fillon të gjykojë edhe pse është ndaluar ai mëkat, një pikë kjo e cila mund ta çojë në rrëpirë edhe krejt besimin e tij. E ata që janë rrënuar, në përgjithësi, prej këtyre mendimeve kanë përfunduar të atillë. Pikërisht, si pasojë, duhet thënë që në fillim, “Kjo rrugë të çon në një moçalishte! Pas njëfarë kohe, ndoshta vjen një pikë nga nuk mund të kthehem më.”, madje duke mos humbur asfare pak kohë, do kthyer nga çdo lloj gabimi ose mëkati në të cilin mund të jetë rënë.

Dua të shtoj edhe një çështje të fundit, edhe nëse kohët e sipërpërmendura përbëjnë nga një pjesë kohe si mundësi e artë, nuk është aspak e kushtëzuar që të kërkohet medoemos një kohë e caktuar për t’u penduar dhe për të kërkuar falje. Sepse, nuk është aspak e drejtë, që pendesa të kufizohet brenda këtyre harqeve kohore. Njeriu mund të kërkojë falje kur të dojë, qoftë agim apo muzg, ditë apo natë, duke e përdorur ndoshta çdo çast të jetës së tij si një kohë të përshtatshme për të kërkuar falje prej Allahut. Po, njeriu, me të gjetur mundësitë, duhet të tërhiqet mënjanë, qoftë duke u ulur në gjunjë, qoftë duke e ulur kokën përdhe. Madje, edhe kur është duke shkuar për diku, ndërsa është duke ngarë makinën, duke pritur dikë, etj., në vend që të rrijë kot, më mirë është që t’ia rrëfejë Allahut (s.a.s.) shqetësimet e tij, duke i kërkuar Atij mbrojtje dhe falje, pasi vdekja mund të na trokasë, fare pa e pritur, nga çasti në çast. E ta presësh vdekjen me buzët që belbëzojnë pendesë dhe kërkesë për falje, është një arsye shumë e mirë për të shtegtuar pastërtisht matanë.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: