Një mendje e pastër dhe një fund i lumtur

 

Është një e vërtetë, që sidomos në këto kohë që po jetojmë, mendjet tona janë të prirura të bien pre e shumë ndotjeve serioze, madje edhe në vendet më të sigurta dhe të mbrojtura që janë shtëpitë tona. Dhe të gjitha këto, me kalimin e kohës, fillojnë t’ia marrin nën kontroll të gjitha, si mendjen ashtu edhe kujtesën. Këto informacione të ndotura që zënë vend atje, fillojnë ta ngacmojnë mjaft seriozisht njeriun, derisa brenda tij fillon të nxiten disa ndjenja të caktuara. Këto piktura të shfaqura përpara shikimit të këtij njeriu, pasi e marrin nën kontroll gjithë botën e tij të ndjenjave dhe mendimeve, fillojnë t’i parashtrojnë atij kërkesat dhe dëshirat e veta. Madje, po gjetën rastin, ia paralizojnë atij vullnetin, derisa e rrokullisin drejt mëkatesh që do t’ia rrënonin atij jetën e përtejme.

Po, me kalimin e kohës, këto mëkate formësojnë një nënvetëdije që fillon të ndotë deri edhe ëndrrat e tij. Kur, në fakt, njeriu, edhe kur është duke fjetur duhet të mundohet si e si për ta ruajtur pastërtinë e tij. Ne, kur i marrim lutjet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) si prijës për jetën tonë, në lutjet që bëjmë në agim dhe në mbrëmje, themi: “O Zot, që je i besueshëm në fjalën Tënde! Unë po t’i lë Ty në dorë ndjenjat, mendimet dhe imagjinatën time. Mos i lejo ato që të ndoten, në mënyrë që, kur të zgjohem, të mos zgjohem me ndjenja të ndotura.” Pikërisht, kësimënyre ne mbështetemi tek Allahu, duke ia lënë Atij në dorë mbrojtjen tonë. Lëvizja me kaq kujdes e një njeriu, padyshim që është shumë e rëndësishme për ahiretin e atij personi. Duhet ditur, se çdo qëllim, lutje apo përpjekje e tij regjistrohet në fletoren e tij të veprimeve. Madje, sipas rasteve, përpjekja për mosndotjen e imagjinatës, për të mos të rënë në trysninë e një shtrese të nënndërgjegjes, mund të jetë më e rëndësishme edhe se falja e njëqind rekateve namaz. Mirëpo, ç’e do se, shëtitja e njeriut nëpër botë të pastra edhe në ëndrrat e tij, duke shëtitur ndër kopshte të pafundme jaseminësh, është e lidhur ngushtë me një përdorim sa më të frytshëm të vullnetit.

Në të vërtetë, sa më larg që të qëndrojë njeriu prej shkaqeve ose arsyeve që mund ta shtyjnë në gabim, aq më afër sigurisë për të mos rënë në mëkat është. Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) në një hadith të Tijin, shprehet: “O Zot, ashtu siç mban të ndarë Lindjen nga Perëndimi, ashtu mbamë mua të largët prej gabimeve.” (Buhari, daauat, 44), duke treguar rëndësinë e të qëndruarit larg prej mëkateve. Sepse një njeri, që e fut veten brenda atij rrethi, qoftë kjo edhe për fare pak, pas njëfarë kohe do të ngërthehet nga rryma, derisa të mos gjejë dot më mundësi për t’i shpëtuar asaj. Po, nëse njeriu del njëherë hapur në detin e kundërvënies, ka mundësi që të mos dalë më në bregun e shpëtimit. Kështu që, ai duhet të jetë përherë duke u përpjekur që t’i ruajë në gjendje sa më të pastër mendjen, ndjenjat dhe zemrën, e të jetë në kontroll të vazhdueshëm se mos sulmohet nga ndonjë kurth i egos apo djallit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: