Pendesa, eliksir që ç’rrënjos çdo nismë të keqeje
Në fakt, çdo njeri duhet të tregojë kujdes të veçantë për të ndaluarën përpara se të hedhë hapa në të. Kësodore, ai duhet të përpiqet që t’i formojë vetes në ambient të pastër, ku të mos bjerë dot në mëkat, madje duhet të largohet prej vendeve që janë të hapura ndaj mëkatit, njësoj siç largohet prej gjarprit dhe nepërkës. E kjo i bëhet e mundur vetëm një zemre që e ndjen deri në thellësitë e ndërgjegjes frikën se pas diçkaje të këtillë të ndaluar do të rrokulliset në flakët e Xhehenemit. Zaten nëse në zemër nuk formohet një neveri ndaj mëkatit, mund të thuhet se ajo zemër është e vdekur. Po, një zemër që nuk reagon fare ndaj gabimeve dhe mëkateve, që nuk shqetësohet asfare prej asnjërës prej trajtave të së ndaluarës, që nuk i del gjumi prej gabimeve që ka bërë, është si një organizëm i vdekur. E për këtë shkak, një zemër që beson tregon medoemos njëfarë reagimi ndaj mëkatit. Dhe reagimi më parësor që duhet të tregojë, është pendesa dhe të kërkuarit falje.
Ndërsa besimtari thotë “estagfirullah”, në fakt, duke përfituar prej gjerësisë përmbajtjesore që mbart kjo formë gramatikore e foljes, thotë: “O Zot, unë (po)/(do të) kërkoj pastrim prej Teje!” Është shumë domethënëse që këtu përdoret kjo lloj e tashmeje, e cila i përfshin brenda vetes të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Sepse me këtë, njeriu do ta ketë shpërndarë pendesën dhe kërkimin e faljes për mëkatet e të shkuarës edhe në të ardhmen. Në fakt, Allahu mund t’ia falë robit të Tij mëkatin edhe nëse ai pendohet e kërkon falje vetëm njëherë. Mirëpo, detyra e robit është që të mos e shohë asnjëherë si të mjaftueshme nevojën për të kërkuar falje nga frika se mos sytë, veshët, duart apo këmbët i rrëshqasin në drejtim të së ndaluarës. “O Zot, unë kërkoj falje prej Teje; dhe sa kohë që të kem jetë, do ta vazhdoj këtë lutje. Nuk e shoh si të mjaftueshme që të të kërkoj falje vetëm njëherë; ashtu siç dua që të më falësh tani, unë do të të lutem për faljen e atij gabimi gjatë gjithë jetës sime. Pastromë mua, o Allah!..” Pikërisht, ta thotë këtë dhe ta ndjejë pendesën për të gjithë jetën. Megjithëse është duke e parë sërish rrugën e shpërblimit, edhe pas kryerjes së diçkaje të ndaluar, ai prapëseprapë duhet të ndjejë pendesë dhe të kërkojë falje për gabimin e tij. Kur e di se ka një Xhenet, ai duhet ta shohë futjen e tij në mëkate si një paturpësi, duhet të ndjejë thellë dhimbjen e atij gabimi, e duhet të pendohet e të kërkojë falje menjëherë. Asisoj, që ndonjëherë t’i duhet të kërkojë të falur dhjetëmijë herë vetëm për një mëkat të vetëm. Madje ndonjëherë edhe këtë të mos e shohë si të mjaftueshme, andaj duhet të thotë, “Elfu elfi estagfirullah!”, e brenda një pendese të vetme të ndjejë me miliona të tilla.
Të kërkuarit falje për mëkatet, ashtu siç restauron atë që është rrënuar, poashtu i pret hovin prirjes ndaj së keqes. Sepse një njeri që pendohet dhe kërkon falje për pastrim vazhdimisht, do të thotë se e zhduk terrenin që do të ishte një ftesë për në mëkat. Domethënë, në zemrën e tij nuk gjendet më një virus që do të ishte thirrje për të gjitha mikrobet e tjera. Veç të tjerash, në një mënyrë që ne as mund ta imagjinojmë, Allahu ia çrrënjos njeriut ndjesinë e prirjes ndaj të këqijave.
Nga ana tjetër, Allahu (xh.xh.) në ajetin, “Allahu i kthen të këqijat e tyre në të mira, e mëkatet e tyre në shpërblime.”, i cili gjendet në suren Furkan, shprehet se do t’ia kthejë në të mira të gjitha të këqijat që kanë kryer, atyre, të cilët i drejtohen Atij me pendesë, besim, përvujtëni dhe vepra të mira. Po, Allahu mund t’i fshijë dhe t’i pastrojë faqet dhe radhët që i drejtohen Atij, të cilat janë ndotur prej mëkateve; e ato faqe e radhë të ngelura bosh, që të mos mbeten të tilla, i mbush me të mira që burojnë prej mëshirës së Tij të thellë. E kjo është një tjetër pasqyrim i faktit se mëshira e Allahut qëndron mbi ashpërsinë e Tij. (shih: Buhari, teuhid, 22)