Kërkesa e veçantë e djaloshit në kohën e Profetit (a.s.)

Rabia (r.a.) ishte një djalosh i ri, i cili kishte zgjedhur t’i qëndronte pranë Profetit (a.s.) dhe ta ndihmonte për nevojat e tij. Në fakt, mënyra se si ai kishte zgjedhur ta ndihmonte ishte shumë e veçantë. Ai qëndronte çdo natë në derën e shtëpisë së tij, duke mbajtur në duar një enë me ujë, me të cilën priste që t’i hidhte të Dërguari të Zotit, që ai të merrte abdes dhe të falte namazin e natës. Krahas adhurimeve të zakonshme, kjo ishte rruga që ai kishte zgjedhur për t’u afruar më tepër me Krijuesin e Gjithësisë. E ndoshta nga kjo e fundit, ai priste shpërblimin më të madh.

Një natë, pasi përfundoi detyrën e tij, i Dërguari i Zotit i tha: “Kërko diçka prej meje.” Sipas një transmetimi, kërkesa që bëri herën e parë, duket vërtet e mrekullueshme. Rabia (r.a.) i tha: “Më lejo që të kthehem sërish te ti natën që vjen.” Sigurisht që derën e kishte të hapur, por sjellja dhe dëshirat e këtyre njerëzve janë vërtet për t’u mahnitur. Dashuria dhe respekti që kishin për Profetin (a.s.) shkon deri në piedestalet më të larta. Patjetër që kështu do të ishte, sepse Zoti i Lartësuar e kishte bërë atë shkak për nxjerrjen e atyre njerëzve nga errësira në dritë. I kishte shpëtuar me lejen e Zotit nga adhurimi i idhujve, duke i bërë robër të dashur për Allahun.

Rabia (r.a.) erdhi sërish të nesërmen dhe Profeti (a.s.) e pyeti sërish: “A mendove sërish për pyetjen time? Kërko diçka prej meje.” Ai i tha: “Dua që të jem bashkë me ty në Xhenet.” I Dërguari i Zotit i tha: “Atëherë më ndihmo mua (që të të ndihmoj ty) duke bërë sa më shumë sexhde.” Edhe pse kërkesa apo lutja e tij ishte thuajse e pranuar, sërish Profeti (a.s.) e udhëzoi atë që të falte sa më tepër namaz, pra të mos ndalej asnjëherë së bëri mirë. Ajo që vlen për t’u përmendur në këtë histori, është aspirata dhe qëllimi i lartë që këta njerëz kishin në lidhje me fenë e tyre. Ata kërkonin gjithnjë veprën më të mirë, virtytet më të larta dhe çdo gjë e cila do t’i bënte të plotësonin sadopak përgjegjësinë që kishin ndaj Zotit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: