Cila është tregtia me fitimin më të madh?

Njëri nga ensarët ishte duke ndërtuar një gardh mes tokës së tij dhe asaj të dikujt tjetër. Gjatë punës, në vendin ku duhet të kalonte gardhi, i del një pemë hurme, e cila e pengonte. Shkoi te komshiu i tij për t’i kërkuar që ta zhvendosë atë pemë, por ai nuk ra dakord. Madje nuk donte as që ta shiste atë. Ky person shkoi tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për t’i shprehur hallin e tij dhe për të gjetur një zgjidhje.

Profeti (a.s.) thirri pranë vetes personin që kishte hurmën dhe i ofroi diçka në këmbim të saj. Oferta ishte vërtet e mrekullueshme dhe me fitim të madh, por reagimi do të ishte i papritur. I Dërguari i Allahut i tha: “Nëse e fal këtë pemë, atëherë do të kesh një të njëjtë në Xhenet.” Si për çudi, ai person nuk pranoi dhe kjo gjë e mërziti shumë Profetin (a.s.). Pranë tyre gjendej edhe një person i quajtur Ebu Dahdah, i cili vendosi të bëjë diçka në lidhje me çështjen. Në fakt, ajo që e tërhiqte më tepër ishte premtimi për të pasur një pemë të njëjtë si ajo në Xhenet.

Ebu Dahdah zotëronte një kopsht me 100 hurma në Medine, gjë e cila nënkupton një pasuri të madhe. Ai shkoi te personi i cili nuk dëshiroi ta falte pemën e hurmës dhe i tha: “Nëse ma jep mua atë pemë hurme, atëherë i gjithë kopshti im është yti!” Personi tjetër pranoi menjëherë dhe kështu marrëveshja u arrit. Ebu Dahdah shkoi menjëherë te Profeti (a.s.) dhe i tregoi ç’kishte vepruar. Më pas e pyeti: “A do ta kem unë tani një pemë në Xhenet.” Ai iu përgjigj se po.

Ebu Dahdah (r.a.) shkoi te gruaja e tij dhe i tregoi për kopshtin që ai tanimë ai kishte shitur. Ajo e pyeti: “Kujt ia shite?” Ai tha: “Allahut!” Përgjigja e asaj besimtareje të devotshme ishte e menjëhershme: “Tregtia jote ka dal me fitim, o Ebu Dahdah.” Këta njerëz të nderuar e kërkonin shpërblimin në çdo grimcë mirësie. Ata ishin të vendosur për të shfrytëzuar çdo rast që u dilte para, vetëm për t’u siguruar që do të ishin në anën e atyre që veprojnë vazhdimisht mirë, një kategori që Allahu i përmend shpesh në fjalën e Tij, Kuranin Famëlartë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: