Imitimi i kombeve të tjerë
Në lidhje me gjendjen e popujve të shembur për shkak të shthurjes morale, Profeti (s.a.s.), duke ia tërhequr vëmendjen bashkësisë së tij, ka thënë kështu:
“Do ta ndiqni hap pas hapi rrugën e paraardhësve tuaj…”[1]
Në shembjen e shoqërive që përjetojnë rrënim moral, vihen re çrregullime të tilla si mashtrimi nga kjo botë, pamundësia për të ngritur ekuilibrin trup-shpirt dhe paaftësia për ta përcaktuar veten. Për fat të keq, ky defekt ka filluar qysh në thellësi të historisë, është përcjellë gjatë epokave nga brezi në brez dhe, më pastaj, perëndimi e ka trashëguar këtë të keqe dhe, duke e stolisur me fantazira qytetërimi, ua ka përcjellë ndjekësve apo imituesve të vet. Nga ky këndvështrim, hadithi i mësipërm konsiderohet, gjithsesi, mrekullisht pohues.
Këtu nuk do të kaloj dot pa prekur edhe një moment tjetër të veçantë: kur i shohim disa vende dhe njerëzit e tyre, na duken, nga mundësitë materiale, në mirëqenie e të lumtur dhe pandehim se i kanë kapërcyer të gjitha problemet. Mirëpo njeriu perëndimor është gjithmonë i paqetë; ai kërkon qetësi e lumturi, por gjithsesi nuk i gjen dot. Së pari, përqindja e vetëvrasjeve në perëndim është shumë më e lartë se në vendet e tjera. As nuk mund të mendohet se një popull a një komb, njerëzit e të cilit, qofshin meshkuj a femra, bëjnë vetëvrasje, të jetë i lumtur!
Në një konferencë me temë familjen në islam, të zhvilluar në Rabat, nën titullin “Rregullimi i familjes”, bëhej e ditur se në Amerikë, përqindja e divorcit ishte 40%. Sot kjo shifër mund të jetë rritur. Mes popujve të degjeneruar në botë, Amerika duket si më e ekuilibruara. Meqë është e ndjeshme në çështje të caktuara, mund të quhet se s’ka hyrë plotësisht në falsitetet e perëndimit. Megjithëkëtë, edhe atje gjendja është aty-aty.