Edukimi fetar i fëmijëve sipas Kuranit dhe Traditës Profetike!

Edukimi fetar i fëmijëve

Një nga mirësitë e mëdha të Allahut të Lartësuar është furnëzimi me fëmijë.
Menjëherë sa njerëzit furnizohen me fëmijë fillojnë që të jenë më të përgjegjshëm dhe sakrifikues në të njëjtën kohë në mënyrë që të sigurojnë një jetë sa më të mirë për fëmijën e tyre.
Nga prespektiva Islame, përkujdesja e fëmijës vetëm nga aspekti material dhe neglizhimi nga kujdesi shpirtëror, moral dhe fetar konsiderohet dështim dhe jo realizimin siç duhet të përkundesjes së fëmijës.
Nisur nga kjo është shumë e rëndësishme që fëmijëve tonë tu mësojmë dhe ti edukojmë me edukatën fetare.
Më poshtë do të rëndisim disa pika kryesore aë duhet të kemi parasysh në edukimin e fëmijëve tonë në aspektin fetar;

Edukimi fetar i fëmijëve fillon që para se të lindi fëmija. Babai ka përgjegjësi që në shtëpi të çojë fitim hallall në mënyrë që ushqimi dhe pija të jenë hallall. Nëna gjatë shtatëzanisë të jetë shumë e kujdesur dhe mundësisht të jetë gjithmonë me abdes, qoftë në shtëpi apo dhe kur të dalë jashtë. Gjithashtu gjithmonë prindërit të jenë aktivë në lutje për fëmijën e tyre

Mbas lindjes duhet pasur shumë kujdes në sjelljen tonë në shtëpi sepse fëmija pothuajse gjysmëm e edukimit që do ti shërbej për gjithë jetën e merr nga mosha 1-5 vjeç.
Kujdesi fillon që me zbatimin e sunnetit të Profetit a.s ku mbasi lind fëmija Këndimi i ezanit dhe ikametit në vesh të fëmijës pas lindjes, qeshja e flokëve në ditën e shtatë të lindjes dhe prerja e kurbanit (akika), shpërndarja si lëmosh e një sasie argjendi apo floriri sa pesha e flokëve të qethur, janë veprime sipas traditës profetike. (Ebu Davud,Tirmidhi) .
Krahas të gjitha këtyre, vënia e një emri të bukur fëmijës është një specifikë mbi të cilën Profeti a.s është përqëndruar veçanërisht. Kështu, Profeti a.s ka thënë: “Në ditën e kiametit, ju do të thirreni me emrat tuaj dhe të baballarëve tuaj, prandaj vëruni emra të bukur fëmijëve!” (Ebu Davud,). Të gjitha këto specifika shërbejnë për të rrënjosur identitetin fetar tek fëmija, i cili gjithë jetën e tij do ti ketë si identitetin e tij të pashkëputur dhe që do e ndjekin atë gjithmonë nga pas. Kjo na kujton këtë këshillë të rëndësishme të dijetarit të shekullit të kaluar Bediuzaman Said Nursi i cili thotë: “Nëse fëmija nuk merr një edukim të fortë fetar që në moshë të vogël, atëherë kur të rritet ai do ta ketë shumë vështirë ta pranojë islamin, njëjtë siç është vështirë për një jomusliman që të pranojë islamin. Fëmija që në moshë të vogël nëse nuk ka parë tek prindërit e tij aktivitet fetar, por ka parë vetëm gjëra dynjaje, atëherë ai fëmijë do të mendoj si një i huaj (jo si mysliman). Muhammedi a.s na këshillon në lidhje me këtë pikë kështu: “Që të gjithë jeni çobanë dhe që të gjithë jeni përgjegjës për tufën që ruani” (Buhari). Ashtu siç ruan çobani tufën e tij që mos të futet në tokë të huaj sepse do sjelli probleme me njerëzit, apo ashtu siç e ruan tufën e tij nga kafshët e egra, njëjtë prindërit duhet të kujdesen për fëmijën e tyre që fëmija mos të përfundoj rrugëve të gabuara dhr larg besimit në Zot.

Gjithashtu një nga porositë e profetit Muhammed a.s është që fëmija të orientohet drejt faljes së namazit që në moshë të vogël, rreth moshes 7 vjeçare, sepse në këtë moshë skalitet në zemrën e fëmijës ky adhurim dhe më e shoqëron gjithë jetën. Prandaj duhen gjetur metoda të ndyshme që ne të mundësojmë një edukim adhurimor tek fëmija,”. P.sh kur është muaji i agjerimit fëmijën ta mësojmë të agjeroj deri në drekë, apo disa orë, pra taktika të cilat i shërbejnë atij që të skalitë besimin dhe islamin në zemren e tij. Këtë gjë e përforcon thënia e Hasan el-Basriut ku thotë se:
العِلْمُ في الصِّغَرِ كالنَّقْشِ في الحَجَرِ
“Dituria e mësuar në fëmijëri është si skalitja mbi gurë”
Përveç këtyre këshillave që burojnë prej haditheve dhe thënie të dijetarëve, e rëndësishme gjithashtu është metodologjia Kuranore e cila na orienton pikat bazë dhe mënyren sesi me duhet të edukojmë fëmijët tanë.
Në suren Lukman, 13 Allahu thotë:
وَإِذْ قَالَ لُقْمَانُ لِابْنِهِ وَهُوَ يَعِظُهُ يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّهِ ۖ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ
(përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe!”
Siç e shikojmë, gjëja kryesore që duhet të skalisim në zemrën e fëmijës është Teuhidi, Njëshmëria e Zotit. Fëmijës i bëhet e qartë se asgjë tjetër përvec Allahut nuk meriton adhurim dhe çdo gjë tjetër përveç Allahut është krijesë. Në këtë formë fëmija qartësohet mbi pastërtinë e besimit në Zot dhe ai kurrë nuk do të ketë dyshime në këtë pjesë.

Në suren Lukman,16 flitet mbi mjë pikë përsëri shumë të rëndësishme. Allahu thotë:
يَا بُنَيَّ إِنَّهَا إِنْ تَكُ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِنْ خَرْدَلٍ فَتَكُنْ فِي صَخْرَةٍ أَوْ فِي السَّمَاوَاتِ أَوْ فِي الْأَرْضِ يَأْتِ بِهَا اللَّهُ ۚ إِنَّ اللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٌ
O djali im, s’ka dyshim se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë e fshehur në rrasë guri, ose në qiej apo në tokë Allahu do ta sjellë atë, se Allahu është shumë i Butë dhe Njohës i hollësishëm për çdo send.
Tek fëmija duhet që të kultivojmë ndjenjën se Allahu shikon dhe di çdo gjë çfarë njeriu bën dhe se do jepet llogari për veprat e tua.

Mbas kësaj pike Kurani na orienton që këtë besim ta kaloj në praktikë, si falja e namazit, fjala e mirë, urdhëresa për të mirë, gjithmonë të jetë kah e mira dhe kundërs së keqes.
Allahu i Lartësuar thotë në Lukman, 17
يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنْكَر
O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat…

Pika e fundit që na orienton Kurani është që të kultivojmë tek fëmija shkrirjen e virtyteve që burojnë prej besimit në praktikë të përditshme në marrëdhënien njerëzore.
Allahu thotë në Kuran, Lukman, 18-19
وَلَا تُصَعِّرْ خَدَّكَ لِلنَّاسِ وَلَا تَمْشِ فِي الْأَرْضِ مَرَحًا ۖ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍ فَخُورٍ
Dhe mos e shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.
وَاقْصِدْ فِي مَشْيِكَ وَاغْضُضْ مِنْ صَوْتِكَ ۚ إِنَّ أَنْكَرَ الْأَصْوَاتِ لَصَوْتُ الْحَمِيرِ
Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.
“Besmitari më i mirë është ai nga i cili njerëzit ndjehen të sigurtë” thotë Profeti a.s.
Nisur nga kjo ne edukojmë fëmijët tanë se besimi është çështje i cila e përfshin të gjithë jetën tonë me detaje.
Një musliman i mirë është ai i cili dinë të ruaj raportet me Zotin dhe njerëzit, dhe ai i cili dinë përgjegjsitë që i takojnë me Zotin dhe me njerëzit.
Nëse do punojmë fortë që të kemi fëmijë me një edukatë të tillë, atëhere me plot bindje mund të themi se shoqëria në të cilën jetojmë do të mbushet me njerëz me vlerë ku do të rrezatojnë në çdo cep të saj.
Kur shoqëria të jetë e mbushut me njerëz që veprojnë nën ndikimin Hyjnorë, atëherë kjo shoqëri do të shpëtojë nga korrupsioni, vjedhjet, vrasjet, droga, prostitucioni dhe çdo gjë e kësaj natyre të cilën e ndalon besimi në Zot.

Leonard Çela

Postime të ngashme