PASTRIMI I ZEMRËS NGA SMIRA DHE MLLEFI

Historia e një myslimani, të cilin i Dërguari i Allahut s.a.s dhe Abdullah bin Amri r.a e përgëzuan me xhennet.

Tregon Enes bin Maliku r.a: “Ne ishim ulur e po rrinim me të Dërguarin e Allahut s.a.s. Resulullahu na tha: – “Tani, këtu tek ne do të vijë një njeri që është njëri prej banorëve të Xhenetit.”

Tek ne erdhi një burrë nga ensarët, i cili sapo kishte marrë abdes, kishte këpucë vetëm në këmbën e majtë, ndërsa nga mjekra i pikonin ende pika uji. Kaloi ajo ditë dhe Profeti ynë na tha sërish të njëjtat fjalë. Aty erdhi po i njëjti person. I Dërguari i Allahut i përsëriti fjalët e tij edhe në ditën e tretë dhe aty erdhi po i njëjti person dhe po në të njëjtën gjendje. I Dërguari i Allahut s.a.s u ngrit dhe Abdullah bin Amr bin Asi e ndoqi atë njeri deri te porta e shtëpisë dhe i tha kështu:

“Diskutova me babanë dhe iu betova se tre ditë nuk do të shkoja tek ai. Do të të falënderoja shumë, po të më pranoje në shtëpinë tënde për tri ditë.”

“Patjetër!”, – i tha ai, duke e pranuar atë që i kërkoi Abdullahu.

Enesi r.a thotë se: “Abdullahu këtë ngjarje neve na e pati treguar me këto fjalë:

– “Unë ndenja tri ditë në shtëpinë e atij njeriu. Gjatë natës nuk e pashë asnjëherë që të çohej për të falur namaz. Mirëpo, gjatë natës, ashtu siç ishte i shtrirë në krevat, edhe kur kthehej sa nga njëra anë në anën tjetër, përmendte vazhdimisht Allahun dhe thoshte “Allahu Ekber”. Ajo që më bëri përshtypje ishte se për tri ditë me radhë nga goja e atij njeriu nuk doli asnjë fjalë e keqe, por vetëm fjalë të mira. Kaluan tri ditë dhe unë nuk pashë asgjë të jashtëzakonshme tek ai njeri, derisa më në fund e pyeta:

“O rob i Zotit! Unë nuk pata asnjë zënkë, e as urrejtje, për babanë tim. Por unë dëgjova të Dërguarin e Allahut që më tha për ty plot tri herë: “Tani tek ne do të vijë një njeri që është prej banorëve të Xhenetit.”, – dhe, që të tria herët njeriu që erdhi ishe ti. U bëra shumë kureshtar, ‘vallë ç’jetë bën ky njeri, që është prej banorëve të parajsës, ta shoh, që ta ndjek si shembull e të bëhem edhe unë si ai’, prandaj erdha tek ti, të qëndroja si mysafir. Mirëpo, unë nuk pashë asgjë të jashtëzakonshme tek ti, nuk pashë asgjë nga ato që prisja të shihja. Cila duhet të jetë ajo punë që bën ti, që i Dërguari i Allahut të ka përgëzuar me parajsën?” Ai m’u përgjigj:

“Ajo çfarë ke parë duhet të jetë, sepse unë nuk është se bëj ndonjë gjë më shumë.”

U largova prej andej dhe teksa po ikja dëgjova që ai njeri diçka thoshte me zë të lartë:

“Po ta përsëris, e gjithë jeta dhe bëmat e mia janë ato që pe. Por, ta dish se unë në zemrën time nuk ushqej smirë dhe urrejtje ndaj askujt. Nuk ka vend e keqja në zemrën time. Nëse i Dërguari ynë Fisnik e i Nderuar i ka thënë për këtë arsye ato fjalë, unë nuk di ç’të them.”

“Kjo mirësi duhet të jetë medoemos ajo që të ka lartësuar drejt asaj grade, o njeri.”, – i thashë unë dhe u largova.”[1]

 

[1] Hejthemi, Mexbmeu’z-Zeuaid, 8/150 (13048)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: