Gruaja në Islam

Femra, kjo gjini që shfaqet herë si nënë, herë si vajzë, herë si motër, herë si bashkëshorte dhe në shumë e shumë role të tjera në shoqëri, është shtylla kryesore e jetës familjare dhe asaj shoqërore.

Gruaja ka kaluar sfida të shumta në historinë e njerëzimit.

Profeti Muhamed, paqja e begatia e Zotit qoftë mbi të, erdhi pikërisht në një ku në Gadishullin Arabik, vajza ishte një barrë në aspektin material dhe shkak turpi në aspektin moralo-shpirtëror.

Profeti Muhamed me mësimet e tij arriti të ndërgjegjësojë burrat e të ngrejë pozitën e gruas në çdo fushë të jetës. Ai i thoshte burrave: “Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me bashkëshorten e tij”, ose “Kush edukon dy vajza e ka siguruar parajsën e amshuar”. Kurse gruan e quante edukatoren e familjes, duke treguar që parajsa ndodhet nën këmbët e nënës.

Profeti, ashtu siç shpalli barazinë ndërmjet popujve, racave, gjuhëve e ngjyrave, shpalli edhe barazinë ndërmjet burrave e grave, duke marrë parasysh edhe natyrën e tendencat e të dyja gjinive. Kështu gruaja rifitoi atë dinjitet, që Zoti i ka dhënë çdo njeriu.

Gruaja ka një pozitë të veçantë në Islam. Kur Profeti filloi të njoftonte njerëzimin për fenë e së drejtës, njeriu i parë që besoi, ishte një grua.

Omeri i madh, kalifi i dytë pas Profetit Muhamed do të heshtte kur një grua, e cila dëgjonte ligjëratën e tij, do t’i bënte një vërejtje në lidhje me një nga çështjet, që ai në fakt i dinte shumë mirë.

Sipas Islamit nuk ka asnjë dallim midis burrit dhe gruas në besimin ndaj Zotit dhe bazave të fesë, në njohjen e urdhrave dhe këshillave të Krijuesit në lidhje me këtë botë dhe përjetësinë.

Gruaja myslimane në çështjet materiale zotëron të drejtën ligjore të pasurisë së vet. Me peshën që iu dha, është zotëruesja gjer në fund të jetës e mallrave që do t’i kalojnë asaj si pajë, dhurata dhe trashëgim, si dhe i produkteve të fituara prej punës së saj.

Feja Islame e shpëtoi femrën nga një padrejtësi e madhe siç ishte mohimi i të drejtës së trashëgimisë. Siç mund të bëhen trashëgimtarë meshkujt, në të njëjtën formë bëhen trashëgimtare edhe femrat.

Në shoqëri, feja Islame, ka dashur ta mbrojë gruan, t’ia shtojë vlerën dhe të provojë se ajo është një njeri i denjë për respekt. Ajo mund të punojë në çdo ambient të përshtatshëm për të. Nuk mund të harrojmë këtu edhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në edukimin e brezave. Gruaja është forca ekuilibruese e një shoqërie; ajo është pesha kryesore në familje. Pas një gruaje të mirë vjen një burrë i suksesshëm, pas një nëne të mirë vijnë fëmijë të edukuar dhe të moralshëm dhe pas një familje të edukuar e të moralshme vjen një shoqëri më e mirë.

Një nga këshillat e Profetit në Ligjëratën e Lamtumirës ishte: “Njerëz! Ju këshilloj të merrni parasysh të drejtat e grave dhe për këtë veçanti të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti, duke dhënë fjalën në emër të Allahut! Kështu, ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. Ju keni të drejta mbi gratë dhe ato kanë të drejta mbi ju.”

© URTESI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: