• August 10, 2020

Gradët e agjërimit dhe kriteret e tij të brendshme sipas Imam Gazaliut

Nëse agjërimi analizohet në këndvështrime të ndryshme, atë mund ta ndajmë në tri gradë:

1. Agjërimi i njerëzve të thjeshtë

Me këtë agjërim synohet koncepti i parë që të vjen në mendje, kur bëhet fjalë për agjërimin. Është pikërisht largimi i njeriut nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime, nga koha e rënies së agimit deri në perëndimin e diellit.

2. Agjërimi i njerëzve të zgjedhur

Ky është agjërimi i njerëzve të devotshëm dhe ka të bëjë me ruajtjen e syrit, gjuhës, veshit, dorës, këmbës dhe gjymtyrëve të tjera, nga rënia në mëkate.

a. Ruajtja e shikimit

Shikimi duhet ruajtur nga gjërat e ndyra e të ndaluara dhe nga gjërat që e pengojnë zemrën nga përmendja e Allahut. Në lidhje me këtë temë, Profeti (a.s) ka thënë:

“Shikimi i të ndaluarës është nga shigjetat helmuese të shejtanit. Kush e shmang atë për shkak të frikës ndaj Allahut, Ai do ta bëjë që ta ndiejë ëmbëlsinë e besimit në zemrën e tij.”

b. Ruajtja e gjuhës

Gjuha duhet ruajtur nga gënjeshtra, thashethemet, shpifja, fjalët e ndyra dhe fjalët e kota. Bashkë me këtë, duhet të përpiqemi ta orientojmë gjuhën drejt heshtjes, ta angazhojmë atë me përmendjen e Allahut, leximin e Kuranit dhe ky konsiderohet pikërisht edhe si agjërimi i gjuhës. Në lidhje me këtë temë, Profeti (a.s) ka thënë:

“Agjërimi është mburojë. Kur dikush prej jush të jetë agjërueshëm, të mos flasë fjalë të ndyra dhe të mos bëjë veprime të pamatura. Nëse dikush grindet apo e shan atë, le të thotë që unë jam agjërueshëm.”

Njerëzit e kësaj grade, përgojimin, gënjeshtrën dhe të ngjashme si këto, i kanë konsideruar si veprime që e prishin agjërimin. Për shembull, transmetohet që Muxhahidi (r.a) ka thënë: “Janë dy cilësi dhe që të dyja ato e prishin agjërimin; përgojimi dhe gënjeshtra.”

c. Ruajtja e dëgjimit

Dëgjimi duhet ruajtur nga çdo fjalë e gënjeshtërt. Për më tepër, ajo që është e ndaluar të thuhet, është e ndaluar edhe që të dëgjohet. Si shkak i kësaj, Allahu (xh.sh) ka thënë: “Kanë shumë dëshirë t’i dëgjojnë gënjeshtrat dhe janë shumë të dhënë pas ngrënies së të ndaluarës.” Që të dyja këto cilësi, Ai i përmend si cilësi që karakterizojnë mohuesit dhe hipokritët.

d. Ruajtja e gjymtyrëve të tjera

Çdo gjymtyrë dhe organ, duhet mbajtur larg çfarëdolloj mëkati. Kjo çështje është kuptuar edhe si privim i vetes nga ngrënia e gjërave që i lakmon me të madhe dhe pakësimi i ngrënies prej gjërave të lejuara. Sepse, pavarësisht të qenit hallall, edhe shumica e tij të dëmton. Nëse e shohim në këtë këndvështrim, agjërimi është edhe një adhurim që na mëson të hamë me masë edhe atë që është e lejuar.

e. Ngrënia e paktë në iftar

Në iftar duhet ngrënë pak, edhe pse hamë prej të lejuarës. Edhe pse ajo që hamë mund të jetë e lejuar, dihet që ena më e urryer tek Allahu është stomaku i tejmbushur. Një nga synimet e agjërimit është edhe lënia të uritur e vetes sonë, thyerja e dëshirave dhe epsheve, duke e mësuar kështu veten drejt rrugës së devotshmërisë.

f. Pas iftarit të jesh në gjendjen midis frikës dhe shpresës

Pas ngrënies së iftarit, agjëruesi duhet të jetë në një gjendje midis frikës dhe shpresës, sepse ai nuk e di nëse agjërimi i tij është pranuar apo jo. Në të vërtetë, kjo gjendje duhet të jetë pas çdo adhurimi që kryejmë. Çdo adhurim ka aspektin e tij të brendshëm dhe të jashtëm, ka thelbin dhe lëvozhgën e tij. Ai që dëshiron mjaftohet me lëvozhgën dhe nuk zbret më në brendësi. Po ashtu, ai që dëshiron përpiqet të depërtojë në thelbin e çdo adhurimi.

3. Agjërimi i më të përzgjedhurve (elitës)

Agjërimi i njerëzve më të përzgjedhur (elitës) është grada më e lartë e agjërimit. Ata e pastrojnë zemrën e tyre nga çdo dëshirë, mendim i jetës së kësaj bote dhe qëndrojnë larg çdo gjëje, përveç Allahut. Ky lloj agjërimi prishet me mendimin e diçkaje tjetër përveç mendimit për Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Kjo do të thotë që e gjithë përpjekja e njeriut të drejtohet nga Allahu dhe të lërë pas çdo synim tjetër. Këtë gradë është e pamundur ta shpjegosh me fjalë, ajo mund të kuptohet vetëm duke e përjetuar. Këtë gjendje e shpjegon në mënyrë të përmbledhur ajeti: “Thuaj Allah dhe më pas lëri ata të dalldisen në thashethemet e tyre.”

Postime të mëparshëm

Dita e pestë e Ramazanit

Postime të rradhës

Dita e gjashtë e Ramazanit