Feja Islame
Nga Ali Zaimi
Islami është feja e fundit që Zoti i Lartë i ka dërguar njerëzimit. Islam do të thotë t’i dorëzohesh Allahut, t’i bindesh urdhrave të Tij, të ecësh i palëkundur në një rrugë të sigurt dhe të besueshme, të dhurosh butësi dhe besim, të mos shqetësosh askënd me gojë apo me dorë.
Islami është emri i fesë hyjnore, bazat e së cilës mbështeten në mesazhet e Allahut e që janë transmetuar dhe jetuar nga ana e Profetit tonë (s.a.s).
Islami është fe e paqes, sigurisë dhe mirëqenies. Islami është feja e unitetit. Ai solli fuqishëm normat e barazisë së të drejtave themelore dhe ndaloi parimisht dhe konkretisht çdo diskriminim mbi njeriun. Për herë të parë në historinë e njerëzimit Islami erdhi si një fe për mbarë botën dhe profeti Muhamed paqja dhe bekimi i Zotit qoftë përmbi të, qe i pari që u nderua me një detyrë të tillë për mbarë njerëzimin nga Allahu i Madhëruar.
Në aspektin e tij më themelor, Islami personifikohet në frazën më të përdorur të të gjithë Kuranit: Bismi’lahi Rrahmani Rrahim – “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Zoti e shfaq vetveten nëpërmjet Mëshirës dhe Dhembshurisë së Tij Absolute dhe Islami është themeluar mbi bazën e këtij pohimi. Kurani e cilëson dërgimin e Profetit Muhamed alejhi selam “një mëshirë për të gjithë botët”.
Fjala Allah është përmbledhës i të gjithë emrave të Zotit si Krijues, I Githëditur, I Gjithëpushtetshëm, I Urtë, i Gjithmëshirshëm, etj. Profeti i fesë Islamit është Hz. Muhamedi (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), kurse libri i shenjtë është Kur’ani. Feja islame është universale. Kur’ani i është zbritur gjithë njerëzimit, po kështu, Hz. Muhamedi (a.s.) është dërguar si profet për të gjithë njerëzimin.
Besimtari i fesë islame quhet muslim, mysliman dhe nënkupton njeriun i cili u është dorëzuar dhe nënshtruar mesazheve të Islamit, i cili përfaqëson qetësinë, paqtimin, suksesin dhe shpëtimin. Këtë emër, besimtarit islam ia ka dhënë Allahu i Lartë në Kuran: “…Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran)..” (Haxh, 22/78)
Besimtari që e quan veten mysliman pranon të jetë i nënshtruar ndaj vullnetit të Allahut, të Mëshiruesit dhe të Mirëbërësit, Zotit të Vetëm dhe të Vërtetë, të Krijuesit të Përjetshëm dhe të Kudondodhur, të Plotfuqishëm dhe të Gjithëditur.
Kreu dhe baza e Islamit është besimi i palëkundur tek Allahu i Madhëruar dhe tek e vërteta hyjnore. Ndërsa kulmi i tij është të zbatosh përgjegjësitë e tua me ndjesinë sikur e sheh Atë dhe Ai të sheh ty (ihsan), si dhe të jetosh vetëm me qëllimin për të arritur kënaqësinë e Tij, që në terminologji quhen ihlas, principialitet dhe sinqeritet.
Sipas fesë Islame, njerëzit lindin pa mëkate dhe të pafajshëm dhe askush nuk mund të mbajë përgjegjësi për fajet ose mëkatet e të tjerëve. Gjynahet e njerëzve mund t’i falë vetëm Allahu. Askush tjetër nuk ka të drejtën t’ua falë njerëzve gjynahet apo t’i nxjerrë ata nga feja.
Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla:
E para është dëshmia se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i tij. Edhe universi me ç’ka në të, që nga grimca më e vogël deri tek galaktikat, edhe libri i Allahut Kur’ani, Profetët e veçanërisht ai i Fundit Hz. Muhamedi (a.s.), si dhe ndërgjegjja njerëzore janë argumentet përmbledhëse që bëjnë të domosdoshëm dhe tregojnë ekzistencën e Allahut me cilësitë dhe Atributet e tij.
Shtylla e dytë e Islamit është namazi që është dhe thelbi i adhurimit dhe përfaqësuesi më i denjë i falënderimit ndaj Allahut për të gjitha mirësitë e begatitë që s’kanë të mbaruar. Kryerja e vazhdueshme e namazit në kohë të caktuara e mëson besimtarin me disiplinë, shpirtërisht dhe trupërisht, materialisht dhe kuptimisht
Shtylla e tretë është Zekati që në vetvete mbart bujarinë dhe solidarizimin me shtresat e ndryshme të shoqërisë. Me anë të zekatit, myslimani e ka detyrim që 2.5% të fitimit vjetor ta japë për njerëzit në nevojë. Në periudhat kur institucioni i zekatit është respektuar me përpikmëri nga besimtarët, myslimanët kanë jetuar kohët më të arta në fushën ekonomike.
E katërta është agjërimi i muajit Ramazan, që konsiston në privimin me vetëdije nga uji dhe ushqimi nga agimi deri në perëndim të diellit. Më fjalëdrejti i njerëzve, Hz. Muhamedi (a.s.) që në krye të herës lajmëronte se kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me përkushtim i falen të gjitha gjynahet e kaluara. Myslimani e agjëron këtë muaj sepse është urdhër i Zotit dhe vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij, gjithsesi në këtë adhurim, si në çdo adhurim tjetër ka një sërë urtësish e dobish, shpirtërore, psikologjike, sociologjike, shëndetësore etj. të njohura deri tani dhe të panjohura akoma. Ky adhurim që e ngre njeriun në nivelin e engjëjve, duke e bërë të ndjejë nevojën e ushqimeve, i kujton atij vlerën e mirësive dhe Pronarin e vërtetë të tyre; duke i vënë fre egos e maturon atë; duke e bërë bashkëvuajtës me shtresat në nevojë i mëson atij durimin dhe e bën të përgatitur të përballojë vështirësitë e mundshme të jetës.
Dhe shtylla e pestë është Haxhi, i cili është si një kongres, që manifeston unitetin dhe barazinë përpara Zotit. Haxhi bëhet shkak që faltorja më e shenjtë e myslimanëve, ajo e Qabes çdo vit të mbushet me gjallëri. Nëpërmjet Haxhit, miliona besimtarë nga të katër anët e botës, pa marrë parasysh dallimet e gjuhës, ngjyrës, kombësisë, racës, pozitës shoqërore etj. bashkohen në të njëjtin vend dhe formojnë një tabllo të mrekullueshme të barazisë vëllazërore.
Secila nga këto shtylla do të shpjegohen gjerësisht më tej, me veçoritë përkatëse.
Islami fokusohet së pari në aspektet e pandryshueshme të jetës dhe ekzistencës. Në ato vlera që njerëzimi ka nevojë gjithmonë, në këtë botë dhe tjetrën. Besimi në Zot, profetët, jeta e përtejme, librat e shenjtë, engjëjt dhe përcaktimi hyjnor, janë të lidhura përherë me njeriun dhe shoqërinë, prandaj ato janë të rëndësishme dhe të nevojshme për njeriun në çdo kohë dhe rrethanë. Nëse do ti bënim këtyre një përkufizim të shkurtër:
Besimi në Zot, është forca më e madhe e njeriut në këtë botë, është shpresa e tij për në botën tjetër dhe është ndjenja më e natyrshme e njeriut të virtytshëm. Meqenëse Zoti i Vetëm e i Vërtetë është i Pafundmë dhe Absolut, sikurse është dhe pafundësisht i Mirë, Ai e mundësoi Krijimin. Për një qenie njerëzore të njohë Zotin do të thotë të përmbushë qëllimin e Krijimit.
Profeti Muhamed është padyshim njeriu më i rëndësishëm i pemës së krijimit, është personaliteti që la mbresat më të mëdha në historinë njerëzore, është vula e profetëve dhe më i sigurti udhërrëfyes i labirintit të kësaj bote.
Besimi në jetën e përtejme është edukuesi më i mirë i rinisë, është shpresa më e madhe e fëmijëve, pleqve, të sëmurëve, është ngushëllimi i të dhunuarve dhe është frenuesi i zullumqarëve, tiranëve, diktatorëve të mundshëm.
Librat e shenjtë, e sidomos i fundit i tyre, Kur’ani është Fjala e mrekullueshme e Allahut që iu shpall Profetit Muhamed (a.s.) dhe u shkrua e iu transmetua brezave pasardhës me anë të shumë burimeve të besueshme dhe recitimi i të cilit përbën një akt adhurimi të detyrueshëm në faljet ditore.
Kur’ani është një libër urtësie e drejtësie, libër lutjeje e adhurimi, libër urdhri e thirrjeje, libër mendimi e meditimi, është burim për të gjithë librat që i vlejnë njerëzimit.
Ai është libri që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë e vërtetë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve, gjer te kafshët e bimët. Ai ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, kamatën, gënjeshtrën, dëshminë e rreme…
Engjëjt janë krijesa të Allahut që nuk hanë, nuk pinë, nuk kanë gjini, i binden urdhrave të Allahut dhe kryejnë detyrën e tyre me përpikëri
Kaderi është njohja dhe përcaktimi nga ana e Allahut e të gjitha gjërave, të mira apo të këqija, veçorive të tyre, kohës dhe mënyrës së ndodhjes, që kanë ndodhur dhe do të ndodhin nga fillimi deri në fund. Besimtari është në dijeni se Allahu di çdo gjë dhe beson se as edhe një gjethe nuk bie pa lejen e tij. Ai tregohet i kujdesshëm për të mos prishur ekuilibrin që ka vendosur Allahu në gjithësi. Allahu ka krijuar gjithçka brenda një rregulli dhe si një pjesë e këtij rregulli i beson Allahut kur lufton dhe përballet me vështirësi.
Edhe shtyllat e besimit do të trajtohen të detajuara më poshtë.
Ndërsa përsa i përket çështjeve të qeverisjes, Feja Islame nuk parashtron një sistem të veçantë, por vendos parimet themelore të ruajtjes së drejtësisë, gjatë implementimit të çfarëdo lloj forme qeverisjeje që njerëzit zgjedhin.
Islami, nga njëra anë, është mendor dhe logjik. Nga ana tjetër, baza e tij është nënshtrimi. Diku fillon me mendjen dhe logjikën dhe arrin në nënshtrim, po aty, nisur nga nënshtrimi, shkon tek mendja dhe logjika, të cilat, nga ana e tyre, përsëri e çojnë njeriun në nënshtrim. Në fund të fundit, nuk mund të jenë ndryshe rregullsia dhe sistemi I Zotit, që na ka vënë përpara këtë gjithësi në formën e një libri.