Fara e zezë, një ilaç profetik

Studimet mbi aspektet kuruese të farës së zezë (Nigella Sativa) kanë pasur një rritje eksponenciale vitet e fundit. Nëse bëni vetëm një kërkim të thjeshtë në internet mbi farën e zezë, do të shikoni rreth 400 publikime shkencore dhe të tjera që janë në proces vit pas viti dhe që trajtojnë aspekte të veçanta shëndetësore të saj, si: diabeti, kanceri, astma, obeziteti, etj. Sidoqoftë, ka akoma shumë punë për të bërë për të zbuluar të gjitha misteret kuruese të farës së zezë, të cilat janë përshkruar si një mrekulli nga Profeti Muhamed a.s. para 14 shekujsh: “Te fara e zezë ka shërim për çdo sëmundje përveç vdekjes.” (Buhariu, 7:71)

Nigella sativa, e njohur zakonisht si fara e zezë, rritet kryesisht në zonën e Mesdheut, por mund të gjendet edhe në gadishullin Arabik, Afrikë dhe Azinë perëndimore. Ajo i përket familjes Ranunculaceae dhe është një nga bimët e shumta të kësaj familje, e cila ka veti të mëdha terapeutike. Me më shumë se 100 përbërës ushqimor, fara e zezë është e pasur në acide yndyrore të pangopur dhe vajra esenciale (rreth 0.4%), përfshirë tymoquionone dhe carvacrol. Antioksidantët e farës së zezë, që i atribuohen përbërësve të vajrave esenciale, lehtësojnë stresin oksidativ, duke frenuar aktivitetin e radikaleve të lira. Përbërës të tjerë përfshijnë proteinat, karbohidratet dhe vitaminat. Ajo mund të rritet deri në 30 cm lartësi dhe ka lule të bardha me farë të zezë jo më të madhe se 3 mm.

Historikisht, fara e zezë është përdorur për dy qëllime të ndryshme: si erëz sezonale në ushqim dhe si një medikament për trajtim sëmundjesh. Ibn Sina (980-1037), i njohur edhe si Avicena, thotë se fara e zezë stimulon energjinë trupore dhe ndihmon rikuperimin e organizmit nga lodhja. Kërkimet e fundit tregojnë se nëse ajo merret vazhdimisht për një kohë të gjatë, mund të forcojë sistemin imunitar. Në një tjetër thënie të Profetit Muhamed a.s. theksohet përdorimi i përsëritur i farës së zezë me frazën “qëndroni në përdorimin e farës së zezë”.

Roli përforcues i sistemit imunitar

Studimet e kryera dekada më parë kanë sugjeruar se përdorimi i farës së zezë në mënyrë të rregullt nxit dhe përforcon imunitetin e njeriut, sidomos në pacientët me dobësim të imunitetit. Në vitet ‘80 dhe ‘90, disa studime me grupe vullnetarësh treguan se fara e zezë vepron si fuqizues natyral i sistemit imunitar. Përdorimi i saj për këtë qëllim është kthyer madje në patentë. Rezultati i tyre ishte se fara e zezë mund të përdoret me sukses në trajtimin e kancerit, SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera me ulje të imunitetit.

Në vitin 2010, profesor Xuan dhe kolegë të tij të Universitetit Tubingen në Gjermani, bënë një studim mbi timoquinonin (një përbërës i farës së zezë), për të testuar efektin e tij mbi qelizat dentritike, të cilat kanë rol të rëndësishëm në përshtatjen imunitare. Duke përdorur si model qelizat dentritike të palcës së kockave të minjve, u vu re se tymoquinoni merr pjesë në maturimin, çlirimin e citokinave dhe rritjen e mbijetesës së qelizave dentritike.

Fara e zezë ka gjithashtu efekte radioprotektive. Një studim nga Assayed në vitin 2010 me minjtë, synonte të zbulonte fuqinë radioprotektive të farës së zezë pas ekspozimit në rrezatim jonizues. Minjtë e rrezatuar me rreze gama u ushqyen me vajin e farës së zezë për disa javë dhe u hetua se efektet e rrezatimit tek ata ishin fare minimale. Eksperimenti tregoi se kjo bimë mund të përdoret si mbrojtëse nga efektet anësore të rrezatimit në raste tragjedish, si shpërthimi i stacionit bërthamor pas tërmetit të Japonisë në mars të vitit 2011.

Ul nivelin e sheqerit në gjak te diabetikët

Një studim i kryer në Japoni nga Fararh dhe kolegët e tij mbi efektin hipoglicemik të farës së zezë te kaviet diabetike, tregoi se trajtimi me vajin e kësaj bime ka një rol rregullator në nivelin e glukozës në gjak. Në këtë studim vaji i farës së zezë e uli nivelin e sheqerit në gjak nga 391+/-3.0 në 179+/-3.1 mg/dl pas 4 javësh trajtimi. Edhe glukoza e formuar rishtazi nga pararendësit e glukoneogjenezës si alanina, gliceroli dhe laktatet, gjithashtu u ulën në kaviet e mjekuara. Ky trajtim pati edhe efekte shumë të mira mbi forcimin e imunitetit të kavieve duke e bërë vajin e farës se zezë një nga patentat më të vlefshme në SHBA dhe në botë (US Patent No. 6042834).

Efektet mbi inflamacionin

Vaji i farës së zezë ka efekte anti-inflamatore dhe mund të përdoret në lehtësimin e simptomave të artritit. Timoquinone, një përbërës aktiv i farës së zezë, ka treguar fuqi të konsiderueshme anti-inflamatore. Kërkimet mbi timoquinone gjithashtu treguan se ai rrit përgjigjen imunitare të limfociteve T dhe qelizave natural killer.

Fara e zezë është e njohur gjithashtu për efektin e saj mbrojtës ndaj rritjes qelizore kanceroze duke nxitur vdekjen e tyre të natyrshme. Një studim i kryer te minjtë në vitet ‘90 tregoi se acidet yndyrore të farës së zezë mund të frenonin disa linja qelizash kanceroze përfshirë karcinomën Ehrlich dhe limfomën Dalton. Përfundimi i studimit ishte që agjenti antitumoral i farës së zezë ishte acidi yndyror me zinxhir të gjatë.

Një tjetër studim zbuloi se vaji i farës së zezë mund të frenonte prodhimin e acidit eicosanoid duke shfaqur aktivitet antioksidant dhe anti-inflamator. Ai gjithashtu shfaqi efekte pozitive mbi stresin oksidativ në tru dhe një rritje të nivelit të oksidit nitrik nëpër inde.

Efektet antihistaminike dhe antibiotike

Astma bronkiale shoqërohet me reaksione alergjike dhe shpesh kjo vjen nga prodhimi i histaminës nga indet e vetë organizmit. Në vitet ‘60, u zbulua se dimeri ditymoquinone (nigellone) i farës së zezë zhdukte simptomat e astmës bronkiale. Në vitin 1993, Chakravarty tregoi se nigellone frenonte prodhimin e histaminës përmes frenimit të protein kinazës C, një proteinë e njohur për nxitjen e çlirimit të histaminës. Një studim klinik me 152 pacientë me sëmundje alergjike në vitin 2003 në Gjermani, tregoi gjithashtu se vaji i farës së zezë ishte një agjent i efektshëm për trajtimin e sëmundjeve alergjike, duke iu ofruar kështu një trajtim alternativ këtyre pacientëve.

Studime në Bangladesh treguan se ekstraktet e farës së zezë shfaqnin efekte antibakteriale dhe antifungale. Studimi, që krahasonte vajin me 5 antibiotikë (ampicilin, tetraciklinë, kotrimoxazole, gentamicin dhe acidin nalidixik), tregoi se fara e zezë ishte e efektshme kundër disa baktereve, përfshirë V. kolera, E. coli dhe shtame të Shigellës.

Vlerësimi final

Tashmë është pranuar gjerësisht se fara e zezë rrit metabolizmin, përmirëson tretjen e ushqimit dhe largon parazitët nga zorra. Ajo gjithashtu mund të përdoret si lehtësues i kollës, nxitës i periodave menstruale dhe i laktacionit (prodhimit të qumështit të gjirit), rrit cilësinë e spermës dhe numrin e spermatozoideve.
Teknologjia moderne e bazuar në substancat sintetike për qëllime terapeutike e ka devijuar vëmendjen e saj drejt kërkimeve bimore, të cilat ekzistojnë në natyrë. Barnat farmaceutike janë patjetër shumë të dobishme, por të shoqëruara me produktet natyrale mund të eliminojnë sadopak efektet anësore që ato kanë.

Fara e zezë mund të jetë një thesar i pazbuluar për mjekësinë moderne. Kërkimet shkencore dhe përvoja njerëzore në shekuj kanë hedhur dritë mbi efektet kurative të saj. Sidoqoftë, sasia, cilësia dhe shtrirja e këtyre studimeve nuk janë në nivelin e pritur. Kjo duhet t’i shtyjë shkencëtarët në përpjekje akoma më të shumta për të kuptuar dhe zbuluar kura dhe trajtime për sëmundjet e sotme duke përdorur farën e zezë, një kurë natyrale të cilën njerëzit e kanë përdorur me sukses prej 1400 vitesh.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: