E fitoi Xhenetin për dy copa bukë që u dha të varfërve
Sinqeriteti është një cilësi shumë e rëndësishme, që duhet të gjendet në zemrën e çdo besimtari dhe në çdo punë që ne bëjmë. Është kjo cilësi ajo që i jep jetë një vepre të caktuar dhe e bën atë të pranuar te Zoti. Në mungesë të saj vepra është e vdekur, e refuzuar dhe nuk na sjell asnjë lloj dobie. Sinqeriteti është i lidhur ngushtë me qëllimin që ne kemi në zemër para se ta kryejmë një punë dhe ruajtja e pastërtisë së tij gjatë kryerjes së asaj pune. Pse është kaq i rëndësishëm sinqeriteti dhe pse flitet kaq shumë për të? Pa sinqeritetin s’mund të mendohet as një veprim yni dhe ai përfshin motivin që gjendet pas çdo gjëje. Zoti na urdhëron që të jemi të sinqertë në adhurimet tona, tek Ai mbërrin vetëm sinqeriteti i veprave tona dhe Ai pranon punët vetëm të atyre që i druhen Atij dhe takimit me Të.
Për të kuptuar më mirë vlerën që ka sinqeriteti, do të ndalemi te historia e një dijetari dhe do të shohim së bashku se ç’vlerë merr kjo cilësi e madhe. Ky dijetar hadithi vinte nga një familje e pasur dhe i ati i la një trashëgimi të madhe kur vdiq. Sidoqoftë, për arsye të ndryshme, dijetari e humbi shumë shpejt pasurinë e tij dhe s’kishte më asgjë përveç shtëpisë ku banonte. Familja kishte nevojë për ushqim, kështu që së bashku me bashkëshorten vendosën ta shisnin shtëpinë, në mënyrë që me të ardhurat e saj të shikonin ç’mund të bënin për veten.
Dijetari niset menjëherë për në treg, në mënyrë që të takonte ndonjë tregtar të interesuar dhe ta shiste shtëpinë. Atje përballet me një njeri të devotshëm dhe kështu ia shpreh arsyen pse kishte ardhur deri atje. Njeriu i devotshëm kërkon ta ndihmojë dhe i thotë që të kthehet në shtëpi derisa të dalë dikush që dëshiron ta blejë shtëpinë e tij. Duke parë gjenden e tij të vështirë, i jep me vete dy copa të mëdha buke, të cilat ishin të lyera me gjalpë dhe mjaltë. Me këto mund të ushqente sadopak familjen, derisa të gjenin një zgjidhje tjetër.
Kur po kthehej në shtëpi, dijetari takohet me një grua të ve, e cila kishte me vete një fëmijë jetim. Ajo i zgjati dorën dhe i kërkoi ndihmë, në mënyrë që të ushqente veten dhe djalin e saj. Gjendja e tyre ishte vërtet e rëndë. Pavarësisht nevojës që kishte vetë, dijetari vendos që dy copat e bukës me mjaltë dhe gjalpë t’ia japë kësaj nëne për hir të Zotit.
Kur kthehet në shtëpi, gruaja e pyet nëse e kishte shitur shtëpinë apo kishte sjellë diçka për të ngrënë, por përgjigja e tij ishte negative. Ai nuk i tregon asgjë për atë që kishte ndodhur dhe vendos të kthehet sërish në treg. Kur shkon atje, takohet sërish me njeriun e devotshëm, i cili u çudit me kthimin e tij aq shpejt. Sidoqoftë, e pyet: “Më njoftuan që pranë shtëpisë tënde gjendej një karvan i madh me mallra, pse erdhe deri këtu?”
Dijetari i tha: -“Unë nga andej erdha, por nuk e pashë diçka të tillë.” Sidoqoftë, kthehet edhe njëherë te shtëpia e tij.
Atje takon të parin e karvanit dhe fillon të bisedojë. “Për çfarë keni ardhur deri këtu? Keni nevojë për ndonjë vend ku të qëndroni? Me çfarë mund t’ju ndihmoj.”
Ai njeri i tha: -“Jo, s’kemi nevojë për asnjërën nga këto. Ne kemi ardhur këtu për të çuar në vend një amanet. Babai yt na ka dhënë para hua para 30 vitesh dhe ne nuk arritëm dot t’ia shlyenim borxhin. Me ato para u fitua e gjithë kjo pasuri. Kjo tani të përket ty.”
Çdo njeri do të fluturonte nga gëzimi në një situatë të tillë, por reagimi i të diturit ishte ndryshe. Ai u shqetësua shumë, u mërzit dhe mendoi me vete: “Mos vallë, ky është shpërblimi për dy copat e bukës që dhashë? Mos vallë, Zoti po ma jep shpërblimin që në këtë botë dhe s’do të ketë diçka për mua në ahiret?”
Atë natë dijetari shikon një ëndërr. Pa veten e tij në ditën e Gjykimit, teksa engjëjt sillnin punët e tij të mira dhe të këqija. Engjëjt e punëve të këqija vazhdonin të sillnin nga mëkatet e tij dhe ai po çuditej se si ishin mbledhur aq shumë. Kur mbaruan ata, engjëjt e punëve të mira sollën çdo gjë që ai kishte dhe peshorja arriti në balancë të plotë. Punët e mira i kishte të barabarta me punët e këqija! U pyetën engjëjt e punëve të këqija nëse kishte më ndonjë vepër të keqe dhe ata thanë se jo. U pyetën engjëjt e punëve të mira nëse kishte më ndonjë vepër të mirë dhe ata u përgjigjën me po. Vepra e mirë që kishte mbetur ishte dy copat e bukës që i kishte dhënë gruas së ve. Kur ajo vepër u vendos në peshore, ndryshoi i tërë ekuilibri dhe punët e mira i tejkaluan shumë atë të këqijat.
Dijetari u çudit nga kjo skenë dhe s’po arrinte të kuptonte diçka. Si ka mundësi, namazi, agjërimi, dituria, etj, nuk patën kaq shumë ndikim në peshore? Dallimin e bënë dy copat e bukës të dhëna si lëmoshë! Këtë pyetje ua drejtoi engjëjve përgjegjës dhe ata i thanë: “Në çdo vepër tjetër që ke bërë, vetja jote ka pasur pjesën e saj dhe kështu të është pakësuar shpërblimi. Këtë vepër, dy copat e bukës të dhëna lëmoshë, e ke bërë vetëm për hir të Zotit, kështu që shpërblimi i saj është shumë i madh.”
Çfarë pjese ka vetja jonë, nefsi e egoja në punët që ne bëjmë? Nëse namazin e zbukurojmë se dikush na sheh, atëherë vetja jonë merr pjesën e saj, por shpërblimi pakësohet. Nëse me një punë të mirë duam edhe përfitime personale të ndryshme, atëherë s’mund të themi që ajo është e sinqertë. Sinqeriteti është ai që punët e vogla i bën të mëdha dhe mungesa e tij, punët e mëdha i bën fare të vogla ose tërësisht të pavlera.