Dyshimi është si një rrjetë merimange që nuk e pengon dot njeriun të shkojë më tutje
Me paqëndrueshmërinë e vet karakteristike, dyshimi nuk është i dëmshëm kur njihet. Kurani konkludon: “Pa dyshim, dredhia e shejtanit është e dobët!” (Nisa, 76) Pra, djalli ka dredhi, por të dobët, sikur të mos e kishte. Për shembull, ju duhet të kaloni përmes një korridori të ngushtë mes dy muresh, mirëpo, mu në mes të korridorit, një merimangë ka thurur një rrjetë nga muri në mur duke e zënë rrugën. Por a mund të jetë ajo pengesë që ju të shkoni më tej? Pa dyshim që jo. Ju s’e shihni si pengesë rrjetën e merimangës dhe kaloni duke e prishur atë.
Profeti s.a.s na thotë se nuk është djalli që i detyron njerëzit për të mohuar, për të bërë të këqija dhe mëkate. Ai nuk e kap dot njeriun për dore për ta çuar ose detyruar në mëkat. Puna që bën djalli është vetëm stolisja dhe zbukurimi i të këqijave, kamuflimi i tyre si të mira e tërheqëse. Është Allahu që i krijon edhe të mirën, edhe të keqen, që edhe orienton, edhe çorienton. Dyshimet e djallit janë si pallate ngjyra-ngjyra prej flluske sapuni. Ato duken të bukura nga jashtë, por brenda janë bosh, janë një gropë e rrezikshme!
Dyshimi nuk shkakton dëm kur dihet se është kalimtar, i përkohshëm. Dyshimi është i dobët si një pupël që e merr me vete edhe flladi më i lehtë. Dyshimi u përngjet reve që mblidhen për një çast, por pastaj menjëherë shpërndahen pa lënë pas as shi, as fllad. Dyshimi është si gropa ajrore ku bie për një çast avioni; as duhet bërtitur, as duhet vajtuar!