Ç’duhet bërë për t’u mbrojtur nga e keqja e xhindëve?

a) Së pari duhen krijuar marrëdhënie të mira me Allahun dhe Profetin dhe duhet vepruar sipas parimeve të Islamit.

Rruga e parë dhe më e sigurt e kësaj pune është krijimi i li­dhjeve dhe marrëdhënieve të mira me Allahun dhe Profetin, vënia në jetë e parimeve të Islamit si feja që e ndan të mirën nga e keqja, thellimi ndjesor dhe jetimi i botës sonë në atmos­ferën tonë krejt të pastër. Duke i bërë të gjitha këto, në njërën anë, në anën tjetër dhe njëkohësisht duhet të mos lëmë asnjë boshllëk dhe dritare mëkati nga mund të kalojnë shpirtrat e kë­qij. Një e çarë që mund të hapet në shpirt, mund të përgatitet terren për përvjedhjen dhe kalimin e tyre.

b) I duhet përgjëruar Zotit me lutje me fjalë dhe ve­pra.

Elementi i dytë për t’u mbrojtur nga e keqja e shpirtrave të këqij është lutja e cila, me veçorinë e vet si pjesë e adhurimit ndaj Zotit dhe një armë e jona, s’duhet të na bjerë nga gjuha. Po, mbrojtjen duhet ta kemi në unitet fjale e veprimi, shfaqjeje dhe ndjenje.

Lutja është dy llojesh: me punë dhe me fjalë. Puna që bën bujku për lërimin e arës, përgatitjen për mbjellje, mbjelljen dhe ujitjen, është lutje me punë. Pastaj ai hap duart dhe lutet me fjalë: “Zoti ynë, jepna bereqet, mos na e kurse mëshirën dhe bujarinë!” Po s’qe lutja e llojit të parë, me punë, vetëm lutja me fjalë nuk i sjell asnjë fitim njeriut. Nga ana tjetër, mjaftimi vetëm me punë, pa i kryer detyrat e lutjes dhe adhurimit ndaj Zotit, do ta zhvlerësojë punën në zero.

Le ta supozojmë se një besimtar lutet kështu: “Zoti ynë, bëji myslimanët fitimtarë!” Kjo është e bukur, por e pamjaftueshme. Sepse zogu nuk fluturon dot vetëm me një krah. Fakti që Profeti bëri përgatitje të gjerë e të patëmetë para luftës së Bedrit dhe vetëm pastaj iu drejtua me të gjithë qenien e tij Zotit për t’iu lutur për fitore, tregon se në fillim duhet bërë lutje me punë, gjë që nënkupton se njeriu është i detyruar të kryejë gjithçka që i takon dhe ka mundësi pa lënë asgjë mangët e me të meta, pa­staj duhen hapur duart për lutje, për të pritur nga Zoti atë që e ka në dorë Ai!

Po kështu, kur kemi ndonjë shqetësim në trup ose kur jemi të sëmurë, duhet të shkojmë te mjeku dhe të përdorim ilaçe; të gjitha këto veprime janë nga një lutje praktike më vete. Pas kë­saj, duhet t’i lutemi Zotit që e ka në dorë shërimin, të na japë shërim; dhe kjo është lutje me fjalë. Disa herë ndodh që së­mundja ose dhimbja e kokës apo e dhëmbit të na kalojë vetëm me lutje me fjalë drejtuar Zotit, por ndodh edhe që dëshira dhe vullneti hyjnor ta kërkojnë që të shkojmë te mjeku. Profeti na ka nxitur të mjekohemi, domethënë, të lutemi praktikisht, duke thënë: “Allahu ka krijuar shërim për çdo sëmundje, prandaj mjekohuni!”

Ashtu siç e thamë edhe më sipër, duke e njohur dhe pritur shërimin nga Allahu, ne nuk e lëmë kurrë mangët lutjen si një nga detyrat tona të adhurimit ndaj Tij. Mirëpo, siç ndodh që, ndonjëherë, një lutje specifike me fjalë të mbetet e pamjaf­tueshme, ndodh që edhe lutja praktike të mbetet e pamjaftue­shme. Pra, ndodh që Zoti e jep shërimin vetëm me njërën lutje dhe ndodh që e jep vetëm kur të plotësohen të dyja lutjet. Çdo gjë është në dorën e Tij. Sa shumë njerëz ka që, megjithëse nuk dinë ç’është lutja me fjalë, domethënë, nuk luten kurrë, bëjnë një jetë plot shëndet, të qetë e të lumtur dhe sa shumë njerëz të lidhur me zemër pas Allahut ka që, megjithëse mjekohen dhe nuk pushojnë së luturi, kalojnë një jetë me sëmundje e shqetë­sime. Në kushte të tilla ne pandehim se lutja nuk na është pra­nuar. Mirëpo pranimi është tjetër gjë dhe përgjigjja e pranimit, tjetër. Çdo lutje dëgjohet dhe merr përgjigje, por kjo përgjigje siç mund të jetë në formën dhe kohën që pritet, mund edhe që të jepet më vonë se ç’pritet ose të jepet jo në këtë botë, por pas ringjalljes. Kjo varet plotësisht nga urtësia e Zotit. Ju e thërrisni mjekun ose shkoni te ai, por, po t’i thoni se cilat ilaçe dëshironi t’ju japë, ai përgjithësisht nuk ju jep ç’dëshironi ju, por ç’e sheh të nevojshme e të domosdoshme ose më të mirë se ajo që me­ndoni ju. Edhe Zoti i dëgjon gjithmonë lutjet e njeriut, robit të vet, dhe, duke i dhënë qetësi, ia bën të ditur njeriut se e ka dë­gjuar, sepse Ai është më pranë njeriut se damari i qafës që i rreh. Mirëpo mund të mos i japë njeriut çdo gjë që dëshiron ose i kërkon sepse ato që dëshiron dhe kërkon njeriu jo gjithmonë mund të jenë në të mirë të tij, ose mundet që dhënien e tyre ta shtyjë për më vonë përsëri në dobi të njeriut. Fundja, Ai është “i zoti i mallit” dhe “me mallin e vet mund të bëjë si të dojë”! Edhe favori i Tij është i këndshëm, edhe persekutimi! Ai nuk bën punë pa kuptim; në çdo gjë që bën, ka jo një, por një mijë urtësi!

Veçanërisht, duhet ditur kategorikisht se, si namazi, edhe lu­tja është pjesë e adhurimit dhe se duhet bërë me thjeshtësi, me pastërti shpirtërore, me qetësi dhe pa interes. Njeriu duhet t’i drejtohet Zotit me një zemër krejt të pastër e të sinqertë duke kërkuar pëlqimin e Tij. Disa herë, Zoti, me bujarinë dhe favorin e tij, mund ta kënaqë njeriun menjëherë. Prandaj, lutjet e bëra me këtë paramendim duke pritur se do të merret një rezultat i shpejtë dhe do të arrihet qëllimi për të cilin bëhet lutja, mund të mos pranohen. Ato mund të mos ngjiten në pikën e miratimit dhe pranimit ngaqë nuk janë të pastra nga ngarkesat me kara­kter subjektiv.

Nuk duhet këmbëngulur për shpërblime të parakohshme, por duhet këmbëngulur me vendosmëri në lutjet dhe pritjen e realizimit të gjërave vetëm nga Zoti. Të mos lësh mangët për­gjërimin ndaj Zotit, të kërkosh gjithmonë gjërat e dobishme e të bekuara, t’i mbetesh gjithmonë besnik portës së Zotit ku mëka­tet bien si gjethet në vjeshtë dhe ku vlerat njerëzore dhe virtytet shumëfishohen, të durosh me vendosmëri dhe, duke mos ha­rruar se jemi në provë, t’i presësh rezultatet në jetën tjetër, ahi­ret, të gjitha këto janë domosdoshmëri të sinqeritetit ndaj Zotit!

c) Vlera e lutjes së personave të pranuar në Lartësinë Hyjnore.

T’u drejtohesh për lutje në emrin tënd njerëzve, lutja e të ci­lëve te Zoti është e çmuar, është shumë e rëndësishme dhe e dobishme. Me të vërtetë, Profetit i janë drejtuar shpesh për këtë gjë. Në rivajetet e Ahmed b. Hanbelit, Ebu Davudit dhe Tabe­ranit, Umu Hani përcjell: “Të Dërguarit të Allahut i sollën një fëmijë të turbulluar. Profeti e preku duke thënë: “Largohu, o armik i Allahut!” Pastaj ia lau fytyrën fëmijës duke u lutur për të dhe te fëmija s’mbeti asgjë!” Edhe ne u drejtohemi njerëzve për të cilët kemi opinion të mirë dhe kërkojmë të luten për ne duke menduar: “Inshaallah Zoti na fal shërim!”

Po qe se u drejtohemi menjëherë atyre që merren me xhin­det, kjo shkakton çarje në mendimin tonë besimor dhe mund të na e thyejë fuqinë shpirtërore. Gjithashtu, të tjerët mund të për­fitojnë nga rasti ynë e të na shpërdorojnë. Shkrimi i nuskave andej-këtej duke e kthyer të sëmurin e shkretë në hamall nus­kash, dhe përdorimi i tyre, sidomos, pastaj, humbja eventuale e tyre shkaktojnë shqetësime edhe më të mëdha te i sëmuri dhe e rëndojnë gjendjen e tij. Ai fillon të dridhet, të ketë frikë dhe ta humbë shpresën. Prandaj lutja është më e mira. Për shembull, Abdullah Ibn Amri u mësonte fëmijëve lutje. Ndërkaq, nuk du­het dhënë shumë pas kësaj pune. Sipas burimeve të haditheve autentike, Profeti, duke dhënë sihariqin e hyrjes në xhenet të 70 mijë personave pa u marrë në pyetje e pa u kërkuar llogari, thekson se ata janë njerëz të lidhur e të dorëzuar pas Allahut që nuk u japin vlerë nuskave, të fryrave e gjërave të këtij lloji. Pra­ndaj, edhe lutja nuk duhet lënë, edhe shërimi prej Allahut duhet pritur duke iu dorëzuar dhe nënshtruar gjer në fund Atij!

d) Duhet shkuar te psikiatristët dhe mjekët besim­ta­rë.

Këshilla jonë tjetër është që të shkojmë jo te psikiatristët dhe mjekët materialistë dhe mohues, por te ata që janë besimtarë dhe që i japin rëndësi rolit dhe ndikimit të shpirtrave dhe xhin­deve në gjendjet e ndryshme të sëmura. Mjekët jobesimtarë të cilët, për shkak të mosushqimit të shpirtit dhe ndjenjave të veta, nuk munden të krijojnë ekuilibër ndërgjegje-ndjenja, për rrje­dhojë, bëjnë një jetë dualiste, u këshillojnë të sëmurëve po të njëjtën gjë duke ua rënduar edhe më shumë gjendjen. Është pi­kërisht boshllëku shpirtëror një nga sëmundjet më të rënda të kohëve të sotme që bëhet shkak për shfaqjen dhe përgjithë­si­min e krizave të rënda shpirtërore e psikike me pasoja të shum­ta.

e) Duhen përdorur si lutje ajeti Kursi, suret Felek, Nas, etj.

Gjëja më e rëndësishme në kuadrin e kësaj çështjeje është mbështetja te Allahu, bashkimi me Të dhe hyrja nën mbrojtjen e Tij. Kjo është edhe ajo çka u thotë Allahu robve të Tij në Kuran: “Po qe se ke ndonjë shtytje djallëzore, menjëherë mbë­shtetu dhe strehohu te Allahu!” (Fussilet, 36) Domethënë, thuaj: “Eudhu bil’lahi mine’sh shejtani rraxhim / Mbështetem te Allahu nga shejtani i përzënë (i mallkuar)!” Këtu le të shtojmë edhe këshillën për të mësuar përmendësh dhe përdorur si lutje ajetet 97 dhe 98 të sures Mu’minun.

Ajetin Kursi e ka këshilluar dhe porositur vetë Profeti. Një shok i tij pati kapur një shpirt të keq në trajtë njeriu që donte të vinte dorë mbi mallin e caktuar për zekat. Me qëllim për të shpëtuar, shpirti i keq i pati thënë kështu atij: “Më lësho që të të mësoj një lutje që të ruheni prej nesh. Ajo lutje është ajeti Kur­si!” Në lidhje me këtë ngjarje dhe me fjalët e shpirtit të keq, Profeti pati thënë: “Ai është gënjeshtar, por këtë herë ka thënë të vërtetën!”

Kur çifutët i patën bërë magji Profetit, magjia qe zgjidhur me këndimin e sureve Felek dhe Nas të quajtur muavidhetejn, dy ndihmësit. Siç tregon Hz. Aisheja, “Profeti këndonte në mën­gjes e në mbrëmje nga tri herë suret Felek dhe Nas, frynte në pëllëmbët e bashkuara si grusht dhe të tri herët fërkonte trupin gjer ku t’i arrinte dora”. Gjithashtu, në mëngjes e mbrëmje Pro­feti këndonte nga tri herë lutjen “Bismil’lahil ledhi la jedurru measmihi shej’un fi’l erdi ue la fi semai ve huve semiul Alim”, e cila, me leje të Zotit, është sigurim nga paraliza. Gjitha­shtu, “Eudhu bi kelimatil’lahi tammati min kul’li shejtanin ve hammetin ve min kul’li ajnin ve lammetin”, është ndër lutjet e këshilluara dhe të provuara.

Këshilla e imam Gazaliut është këndimi 1 herë “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”, 10 herë “Allahu Ekber”, 19 herë “La jufli­hu sahiru hajthu eta”; gjithashtu, këndimi i “ue min sherrin neffathati fil ukad”. (Ta-Ha, 69; Nas, 4)

Sipas këshillës së një personi tjetër, duhet vepruar kështu: në fillim pihet një të gëlltitur ujë, çaj ose supë, pastaj këndohen dy ajetet e mësipërme dhe kjo gjë përsëritet 19 herë.

Ka edhe shumë lutje për të cilat duhet parë në librat e ha­dithit ose duhen pyetur personat kompetentë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: