Argumentet mbi ekzistencën e vullnetit të pjes­shëm

a) Ndërgjegjja e bën njeriun ta ndjejë peshën e të këqijave që ka bërë ose bën. Kështu, shpesh herë njeriu ndjen pendesë për ato që ka bërë, përpëlitet nga ankthi, madje ndodh që nje­rëz të çekuilibruar, për shkak të ankthit dhe vuajtjeve të pen­dimit, të shkojnë gjer në vetëvrasje! Po qe se njeriu, i privuar nga dëshira dhe vullneti, e bën një gjë i shtrënguar nga kaderi, atëherë pse të vuajë vrasjet e ndërgjegjes, pse të shtypet nën peshën e mëkateve dhe të derdhë lot, pse të pendohet? Dhe pse kur ia thyeni zemrën dikujt shkoni e i kërkoni falje? A s’tre­gojnë të gjitha këto se ato që bëni, i bëni me dëshirën dhe vull­netin tuaj?

b) A jemi apo s’jemi të lirë në fjalët dhe sjelljet tona, në lë­vizjet dhe veprimtarinë tonë? A kemi mundësi t’i lëvizim si të duam krahët, këmbët, duart, gjuhën, apo i kemi gjymtyrët të lidhura në pranga dhe gojën të zënë dhe presim të na i zgjidhin që të bëjmë ato që duam të bëjmë? Kur duam të ulemi apo ngrihemi, të hamë e të pimë ose të bëjmë një punë në emër të Zotit, a ka ndonjë gjë që na detyron ose shtrëngon pozitivisht ose negativisht, pra, për të vepruar ose mosvepruar? Kur duam ta njoftojmë të drejtën dhe të vërtetën, a veprojmë me vullnetin tonë, apo me detyrim? Jo, asnjëri prej nesh s’jemi ndonjë buton komandimi në dorë të tjetërkujt, ndonjë robot që komandohet në drejtimin e dëshiruar ose një kukull që tërhiqet me pé!

c) Lëkundja, pavendosmëria, krahasimi, gjykimi, vlerësimi, parapëlqimi dhe vendimi gjithashtu tregojnë për vullnet.

Një shoku ynë i mirë na fton për në një vend të mirë, ndër­kaq që edhe një shok i keq na fton për në një vend të keq. Në kushte të tilla, mendojmë se ku do të shkojmë, krahasojmë dhe gjykojmë, i mendojmë përfundimet, bëjmë parapëlqimin dhe zgjedhjen tonë dhe vendosim se ku të shkojmë. Në të njëjtën mënyrë, ndoshta njëqind herë në ditë, të vënë përballë me ftesat me kahje të kundërta të engjëllit dhe djallit, bëjmë po të njëjtat veprime gjykimi, krahasimi, zgjedhjeje dhe vendimi. Se­pse ne nuk jemi një gjethe që e hedh era nga të dojë, një fije kashte që e zvarrit rryma nga të dojë!

ç) A mundeni që, si pasojë e një faji që keni bërë, të jus­tif­i­koheni para viktimës suaj apo organit të drejtësisë duke thënë, “ç’të bëj, më mungon vullneti”? Edhe sikur të thoni, a do t’jua pranonin një justifikim të tillë? Po qe se e vërteta do të ishte e tillë, atëherë s’do të kishte as shtet, as organe drejtësie, as poli­ci, kurse skena e jetës do të mbushej me miliarda viktima të ka­derit, qofshin vrasës ose të vrarë! Kurse e vërteta është ndryshe! Dhe, fakti që, në njërën anë ka njerëz të moralshëm e të virtyt­shëm, ndërsa në anën tjetër, të pamoralshëm e të pavirtytshëm, ndërsa përballë të pafajshmëve, në njërën anë, janë fajtorët, në anën tjetër, ndërsa, në njërën anë, disa punojnë e derdhin djer­së, kurse, në anën tjetër, disa të tjerë rrinë si përtacë të paturp­shëm, fakti që njerëzit ndahen në klasa, poste e pozita të ndry­shme sipas karakterit, profesionit, mjeshtërisë, suksesit etj., a nuk tregon për përpjekjet dhe luftën e madhe të vullnetit të njeriut për t’i përgatitur vetes një vend të caktuar në këtë hie­rarki vlerash e pozitash?

d)Vetëm njerëzit me zhvillim mendor jonormal, me të meta mendore të lindura ose të pësuara si dhe të sëmurët mendorë e psikikë nuk janë të përgjegjshëm e përgjegjës, sepse vullneti i tyre nuk funksionon normalisht. Prandaj, fjalët, sjelljet dhe vep­rimet e njerëzve të tillë i shohim si jonormale dhe themi për to: “Këto s’janë fjalë, sjellje dhe veprime njerëzish të mençur!” Ç’ë­shtë, atëherë, gjëja që na dallon ne prej tyre? Ç’është e drejta, haku i të qenit i mençur? Është vlerësimi dhe veprimi i përgjegj­shëm dhe me përgjegjësi! Të mos i japësh të drejtën që i takon mendjes dhe vullnetit, a nuk është, në një dimension tjetër, shprehje çmendurie? A nuk është pasioni i sëmurë pas parasë, pasurisë, postit dhe pozitës, shprehje e një marrëzie apo çmen­durie shumëdimensionale? Mes konfuzionit të koncepteve, u bënë të pakuptueshëm si mençuria, ashtu dhe çmenduria! Në këtë rast është me vend të mendojmë edhe një herë tjetër për kuptimin e fjalëve që i dedikohen Hasan Basriut: “Po qe se ju do t’i shihnit sahabët, do t’i quanit të marrë, kurse po t’ju shihni ata ju, do të thoshin “këta s’janë besi­m­tarë”!”

e)Te kafshët nuk ka vetëdije, njohje dhe vullnet. Kafshët ve­projnë me anë të shtytjes hyjnore. Për shembull, bleta, me anë të shtytjes apo frymëzimit hyjnor (që s’është instinkt), i bën hojet gjithmonë gjashtëkëndëshe dhe me një përpikmëri të jash­tëzakonshme, sepse as ka vullnet që të veprojë ndryshe, as i është dhënë ndonjë aftësi për të bërë një model tjetër.

Disa herë ndodh që të bëni veprime të pavullnetshme pa e vënë re as vetë se ç’po bëni. Dilni nga shtëpia pa ndonjë plan, pa ndonjë synim, por i ngarkuar rëndë me mendime që s’i vini dot në rregull, prandaj dhe, siç themi shpesh, shkoni nga t’ju çojnë këmbët! Ka filluar shiu, por ju s’e ndjeni dhe s’e hapni as çadrën që e keni në dorë. Vetëm kur ju fundoset këmba në një gropë me ujë ose kur t’ju bëjë zë me të madhe ndonjë shok, vi­ni në vete. Atëherë i bini në të shiut, hapni çadrën, ndërroni rrugën… Pra, përdorni vullnetin, atë që quhet vullneti i pjes­shëm.

 

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: