Dy pika uji në krahasim me një oqean të tërë
Ndodh shpeshherë që të përballemi me sfida dhe vështirësi në jetën tonë. Shohim që shumë njerëz përqendrohen aq shumë në dhimbjet e tyre, saqë s’mund të shohin dot përtej tyre. Ata nuk shohin dot dritë pas errësirës dhe nuk shohin dot lehtësim pas vështirësive.
Ne përkujtohemi herë pas here se kjo botë është krijuar për qëllimin e saj dhe ajo nuk është vendi i rehatisë dhe përsosmërisë. Kjo jetë ka errësirat e saj. Në të njëjtën kohë, Zoti na ka dhënë çdo gjë që kemi nevojë për të kaluar sfidat e çdo lloji.
Kur reflektojmë thellë në lidhje me qëllimin e krijimit tonë dhe arsyet e vështirësive tona gjatë rrugëtimit në këtë botë, na kujtohet mënyra se si e përshkruante i Dërguari i Allahut (s.a.s) këtë botë të përkohshme në krahasim me botën tjetër.
Kjo botë është kalimtare, kështu që do të kalojë shpejt çdo vuajtje dhe vështirësi e saj. Kështu, ne duhet të fokusohemi në qëllimin tonë dhe të kujtojmë vazhdimisht që kjo botë është vetëm një udhë kalimi për në botën tjetër, nuk është vend i përjetësisë, por çdo gjë do të përfundojë shpejt.
Nuk ia vlen të sakrifikosh lumturinë e përjetësisë për disa çaste të kaluara në huti në këtë botë. Besimtari e rinovon gjithnjë qëllimin e tij dhe përgatitet shpirtërisht për ditën e kthimit pranë Zotit të gjithësisë.
Profeti (a.s) e krahasoi këtë botë me botën tjetër si në vijim: “Kjo botë në krahasim me Ahiretin është e ngjashme me sasinë e ujit që merr dikush kur vendos gishtin në det. Le të shohë me çfarë kthehet.”
Nëse do ta bëjmë këtë gjë, në gishtin tonë do të ketë maksimalisht disa pika ujë në krahasim me oqeanin e tërë. A do të ishte e logjikshme të sakrifikoje një oqean të tërë për disa pika të kaluara në huti dhe kënaqësi të dëmshme? Kjo botë është mundësia jonë e vyer për të fituar përjetësinë e botës tjetër.