Dobitë shpirtërore të Agjërimit

Njeriu ka një strukturë të përbërë prej shpirtit dhe kurmit. Që të dyja këto përpiqen ta bëjnë njeriun satelit të tyre. Njëra lëndë janë dëshirat epshore dhe shtazore, aspekti i tij i kurmit që Kur’ani na e bën të njohur me këto fjali: “Me të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një baltë e thatë, nga një argjilë e trajtësuar.” “Pyeti ata: “Ata janë më të fuqishëm në krijim, apo gjërat që krijojmë Ne?” Me të vërtetë, ne i krijuam ata nga argjila.” “Ai e krijoi njeriun nga një argjilë e thatë (që tingëllon) si bardak.”

Kurse aspekti tjetër i njeriut është ai shpirtëror që ia kujton njeriut qëllimin e krijimit, që e shtyn njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, që i bëhet njeriut shkak për të soditur botërat shpirtërore, që edhe kur të mbetet i uritur e i etur, i jep mundësi njeriut të shijojë kënaqësi të papërshkrueshme, që ia sugjeron njeriut të mos i shohë të këqijat si të mira, që të mos i pëlqejnë të këqijat dhe që të largohet prej tyre!

Po qe se zotërimi i shpirtit mbi njeriun dobësohet ose kurmi kthehet në gjendje sunduesi, atëherë njeriu zhytet në kënaqësi dhe epshe; kufirin e arsyes, kufijtë e përcaktuara nga feja i vlerëson me zero; fuqinë e mendjes e shpenzon pothuaj për të shtënë në dorë lloje të ndryshme të ngrënash e të pirash. I gjithë shqetësimi i tij përqëndrohet në gjetjen e gjërave duke i fshikulluar dëshirat epshore, në mësimin e rrugëve dhimbëse, shtytëse, orekshapëse.

Kështu, megjithëse është ngjitur në kulmin e shkencës, kulturës dhe qytetërimit, s’ka ndryshim me gomarin që rrotullon gurin e mullirit, me kaun që tërheq parmendën dhe s’bën gjë tjetër veçse shkon e vjen mes dhomës së gjumit dhe banjos. S’merr vesh, veç kësaj, as për ndonjë parim, as për ndonjë jetë tjetër. Tek ai vdes e shkon çdo gjë tjetër veç dëshirës për të ngrënë e për të pirë, veç ndjenjës së kënaqësisë e dëfrimit, veç shqetësimit për të fituar për ushqim.

Meqë nuk ka mundësi për të bërë një përshkrim më të drejtë e më të hollë se të Kur’anit, po ia lëmë fjalën përsëri atij: “Sa për mohuesit, ata në këtë botë vetëm dëfrehen e kënaqen dhe hanë si bagëtitë. Vendi i tyre është zjarri!”

Postime të ngashme