Agjërimi e lartëson njeriun në nivel engjëllor
Te njeriu ka dy aspekte: aspekti engjëllor dhe aspekti shtazor. Kur njeriu ecën në kahje të kundërt me ndjenjat shtazore, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se aspekti engjëllor i zhvillohet, kurse aspekti shtazor i dobësohet. Njeriu është krijuar nën engjëjt dhe mbi gjallesat e tjera. Ndërkaq, Allahu e ka pajisur njeriun me mundësinë dhe aftësinë për t’iu përshtatur cilësdo pike të një vije që shtrihet nga pozita më e lartë gjer poshtë e më poshtë. Për rrjedhojë, njeriu herë-herë e kapërcen botën e engjëjve duke i lënë pas ata si gradë, kurse herë-herë struket në një vend nën djajtë. “Ne njeriun e krijuam në formën më të bukur. Pastaj e hodhëm atë poshtë e më poshtë. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira. për ta ka një shpërblim të pasosur!”
Njëra nga veçoritë që e dallon njeriun nga engjëjt është se njeriu ka ego. Te engjëjt s’ka gjëra të tilla, si ngrënie-pirje, martesë, kundërshtim të Allahut, etj. Si domosdoshmëri e krijimit të tyre, engjëjt janë qenie të pafajshme, janë qenie që merren vazhdimisht me madhërimin dhe adhurimin e Allahut. “Ata nuk flasin para Tij, ata lëvizin e veprojnë me urdhër të Tij. Allahu e di se ç’kanë ata para e ç’kanë lënë pas. Ata nuk ndërhyjnë për faljen e dikujt tjetër veç atyre për të cilët dëshiron Allahu dhe dridhen nga frika prej Tij!”
Kurse njeriu mund ta vazhdojë jetën vetëm me të ngrënë e me të pirë. Mundësia që njeriu të kundërshtojë (Zotin), që të bëjë gabim, ekziston gjithmonë. Por sa për njeriun që agjëron, ai, duke mos ngrënë e mos pirë nga mëngjesi në mbrëmje, duke e zotëruar epshin, duke u shmangur nga përfolja dhe padrejtësia ndaj të tjerëve, fiton pothuajse një cilësi engjëllore. Madje, me këto sjellje e qëndrime, ai i lë pas engjëjt. Zoti krenohet para engjëjve me rob të tillë të Tij, ua tregon engjëjve si shembull!