Dobitë e besimit tek Allahu xh.sh

Besimi tek Allahu xh.sh ka vlera të mëdha në jetën praktiketë njeriut si dhe për personalitetin dhe lumturinë e tij. Këto vlera mund t’i radhisim kështu:

1. Besimi tek Allahu xh.sh, e çon njeriun në rrugë të drejtë dhe e orienton për të bërë punë të mira. Ashtu siç kalon në Kur’anin Famëlartë ku Allahu xh.sh, thotë:“Atij që e beson, Allahu ia drejton zemrën…”[1]

2. Ai që e beson Allahun xh.sh, duke menduar se ekziston një qenie që di gjithçka, që sheh dhe vëzhgon gjithçka dhe se një ditë ka për të dhënë llogari për çdo gjë që ka bërë, largohet prej të këqiave, u nënshtrohet urdhërave të Allahut xh.sh.

3. Ai që e beson Allahun xh.sh, druhet t’i idhujtarizojë të tjerët, të jepet pas pasurisë, pozitës e famës, të vejë një ndërmjetës mes Zotit dhe njeriut.

4. Ai që i beson Allahut xh.sh, e di se Allahu xh.sh, është i vetmi që jep rizk, që furnizon, prandaj largohet prej sjelljeve të shëmtuara si koprracia, vjedhja, pangopësia, etj., priret nga sjelljet e bukura si bujaria, falja, dorëgjerësia, etj.[2]

5. Besimi tek Allahu xh.sh, zgjon tek njeriu guximin, trimërinë, nënvleftësimin e vdekjes, dëshirën për të rënë dëshmor për të drejtën dhe të vërtetën.

6. Besimi tek Allahu xh.sh, kënaq ndjenjën fetare që ndodhet e bashkëlindur tek njeriu, ndjenjën e besimit te fuqia e lartë dhe absolute, siguron qetësinë dhe kënaqësinë ndjesore. Njeriu i qetë, për rrjedhojë, u gjen lehtë zgjidhje problemeve të vështira; edhe po s’u gjeti, di të durojë, pra, s’bie në pesimizëm dhe dobësi shpirtërore.

7. Sipas njeriut që i beson Allahut xh.sh, koncepti mbi vëllazërinë dhe njerëzoren është i gjerë sa, po të duhet, mund t’i përfshijë të gjithë njerëzit që jetojnë mbi tokë. Sipas tij, pavarësisht nga raca, kombi dhe kultura, të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit.

Shkurt, njeriu që i beson Allahut xh.sh, me dije, me dashje e me arsye, është i qetë, i sigurtë, i përgjegjshëm, i drejtë, që nuk u bën keq të tjerëve dhe me lidhje të forta njerëzore me të tjerët. Ai që e beson Allahun xh.sh, i do të gjithë dhe dëshiron për të tjerët atë që dëshiron edhe për vete.

 

[1] Kur’an, Tegabun: 11

[2] Mithat Hoxha, Akaidi dhe Kelami, Stamboll: 2001, fq. 31

Postime të ngashme