Djaloshi dhe molla
Tregohet se në shekullin e parë sipas hixhretit, ishte një djalosh i devotshëm i cili ishte në kërkim të diturisë, por që ishte shumë i varfër. Një ditë prej ditëve ishte uritur dhe në breg të një lumi shikon një kokërr mollë dhe e merr dhe e ha, pasi e kishte kafshuar mollën fillon e mendon se, kjo mollë e ka një pronar dhe ai e kishte marrë pa leje. Kështu që merr rrugën për të gjetur pronarin dhe për t’i kërkuar hallallëkun, duke ecur përfundon para një kopshti i cili ishte plot me mollë.
Kështu pasi e gjeti pronarin shkoi te shtëpia e tij, trokiti, në derë doli pronari. Pasi e përshëndeti me selam, iu drejtua duke i thënë: I nderuar, unë isha tepër i uritur dhe duke kaluar pranë kopshtit tuaj, hëngra një kokërr mollë pa lejen tuaj, prandaj kam ardhur të kërkoj falje dhe të ma bëni hallall.
Pronari i Kopshtit tha: Nuk ta bëj hallall, mbi të gjitha unë do të jem armiku yt ditën e gjykimit para Allahut dhe do të kërkoj dëmshpërblim!
Djaloshi, u mundua ta bindë, por më kot, filloi t’i lutej që t’ia falë gabimin dhe i tha: Ç’ka të duash bëj me mua, vetëm më fal gabimin. Mirëpo pronari i kopshtit ishte këmbëngulës në qëndrimin e tij, andaj u largua duke e lënë pas derës djaloshin.
Kur më vonë, pronari i kopshtit niset për të shkuar në xhami, për të falur namazin e ikindisë, shikon djaloshin i cili akoma qëndronte para derës së tij duke pritur i shqetësuar. Djaloshi sapo e pa sërish daljen e pronarit, iu drejtua duke i thënë: Unë jam i gatshëm të punoj në kopshtin tënd si shërbëtor pa pagesë tërë jetën time, ose çfarë të dëshironi tjetër, vetëm më fal, ma bëni hallall.
Këto fjalë e prekën pronarin, u mendua pak dhe i tha: O djalosh, do të fal, por me një kusht.
Djaloshi u gëzua aq shumë dhe i tha: Cilido që të jetë kushti vendos vetëm më fal gabimin.
– Kushti im për të falur gabimin është që të martohesh me vajzën time!
Djaloshit i erdhi si bombë në kokën e tij duke u menduar, çfarë kushti është ky?
Akoma pa përfunduar mirë me kushtin vazhdoi dhe tha pronari i kopshtit tha:
– O Djalosh, po vajza ime është e verbër nuk sheh, është e shurdhë nuk dëgjon, është invalide nuk ecën, e unë kam kohë që po kërkoj bashkëshort që do të kujdeset për vajzën time. Këto fjalë edhe më shumë e shqetësuan djaloshin, duke menduar si do të jetojë me të kur ajo është në këtë gjendje?!. Kështuqë djali fillon të mendojë dhe si përfundim vendos të pranojë, sepse mund të bënte durim në këtë jetë të shkurtër vetëm që t’i shpëtojë dënimit të mollës në ahiret.
Djaloshi u drejtua nga pronari dhe tha:
– Po e pranoj kushtin, pra pranoj vajzën tënde për bashkëshorte, dhe i lutem Allahut të më ndihmojë.
Kur erdhi dita e dasmës, djaloshi niset për ceremoninë e dasmës. Pasi mbaroi ceremonia erdhi momenti që çifti të futeshin në dhomë. Futet në dhomë, por ç’të shohë, ishte një vajzë e bardhë, e bukur si hëna. Djaloshi u trondit, kur vajza u ngrit në këmbë, e përshëndeti burrin e saj duke i thënë: Selam alejkum o burri im! Djali i shtangur dhe i habitur qëndronte para nuses, por i shastisur, sepse kjo nuk ishte nusja që ai priste të përballej. Menjëherë del nga dhoma me vrap, duke menduar se kishte ngatërruar dhomë, del dhe pyet të atin e vajzës: Ti më the se ajo ishte e verbër, memece, e shurdhët dhe invalide, por në realitet ajo nuk ishte ashtu.
Babi i vajzës fillon të tregojë të vërtetën duke i thënë: – Kur të kam thënë se është memece dhe nuk mund të flasë, kam thënë sepse pasha Allahun goja e saj asnjëherë nuk ka folur fjalë të ndaluara, kur të thashë se është e verbër e nuk sheh, të thashë sepse pasha Allahun syri i saj asnjëherë nuk ka parë haram, kur të thashë se nuk mund të ecë, të thashë sepse pasha Allahun këmba e saj nuk ka shkuar kurrë në haram. Prandaj unë kam kërkuar për vite të tërë një burrë që është i devotshëm, i sinqertë dhe që nuk kryen kurrë diçka të ndaluar, e kur erdhët ju për të kërkuar falje për mollën e ngrënë pa leje, mendova se ky është burri i duhur për vajzën time.
U martuan dhe filluan jetë të këndëshme, e pas një viti, këtyre dy bashkëshortëve të devotshëm Allahu xh.sh. ua dhuroi një djalë i cili do të habisë botën me diturinë dhe devotshmërinë e tij. Ishte dijetari i famshëm Imam Ebu Hanife, themeluesi i medh’hebit Hanefi, i cili është një ndër shkollat juridike islame që ka më shumë ndjekës.
Përgatiti: Marius Tafani